- Luftë të vendosur e të gjithanshme kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme - Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot paradite një takim me kryetarët e partive anëtare tÃ
- Luftë të vendosur e të gjithanshme kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme -
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot paradite një takim me kryetarët e partive anëtare të "Koalicionit për Integrim Euro-Atlantik të Shjqipërisë". Në këtë takim pjesëmarrësit kanë shprehur qëndrimin për një luftë të vendosur e të gjithanëshme kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshëm.
Në përfundim të takimit, partitë e koalicionit kanë dalë me një deklaratë, në të cilën thuhet:
"Partitë anëtarë të "Koalicioni për Integrimin Euroatlantik të Shqipërisë", u mblodhën në Tiranë, sot më dt.14 janar 2004, për të diskutuar mbi nevojën e fuqizimit të mëtejshëm të luftës së organizuar të shtetit kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Ato shqyrtuan rezultatet e vitit të kaluar dhe u ndalën veçanërisht në objektivat dhe programet e bashkëqeverisjes, në këtë fushë, për vitin 2004. Vend të rëndësishëm në diskutimet zuri edhe ngjarja tragjike pranë brigjeve të Karaburunit dhe përfundimet që dalin prej saj.
Me qëllim që 2004, të jetë viti i goditjes vendimtare kundër krimit të organizuar, partitë e "Koalicionit për Integrim":
-duke vlerësuar bilancin e rezultateve pozitive të arritura gjatë vitit 2003 në luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve ilegale;
-duke analizuar egërsinë dhe format e sofistikuara të krimit të organizuar dhe trafikantëve;
-duke e konsideruar vazhdimin me tolerancë zero, të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshem, si domosdoshmëri për sigurinë e jetës dhe të pasurisë së qytetarëve;
-duke u motivuar edhe më shumë nga ngjarja tragjike e Karabarunit, vepër e shëmtuar e krimit të organizuar trafikant të qënieve njerëzore, dhe duke mbajtur parasysh se hidhërimi i thellë i familjarëve dhe i gjithë vendit për humbjen e jetëve të pafajshme, ka shtuar edhe më shumë angazhimin dhe vendosmërinë:
-për të goditur pa mëshirë fajtorët;
-për të parandaluar që krimi i organizuar të shkaktojë viktima të tjera;
-për të mbështetur politikisht marrjen e të gjitha masave ligjore e organizative, që garantojnë fitoren e shtetit dhe qytetareve mbi krimin e organizuar dhe trafikun e qënieve njerëzore;
-duke çmuar se kjo luftë është komplekse dhe si e tillë, bëhet e suksesshme vetëm kur kombinohet me mbarëvajtjen e reformave në të gjithë sektorët e tjerë – ekonomi, financë, biznes, mbështetje sociale, arsim, shërbim shëndetsor, administratë publike, etj.
rikonfirmojnë vullnetin dhe vendosmërinë e tyre të përbashkët që:
1.T'i japin Qeverisë së Koalicionit mbështetjen e tyre të plotë politike për të gjitha reformat dhe masat e tjera ligjore dhe organizative parandaluese, shtrënguese e goditëse, që i shërbejnë suksesit në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, si :
i.Ristrukturimi i Policisë së Shtetit, përfshirë një strukturë të re operacionale antitrafik, me funksion parandalimin e trafiqeve të paligjshëm, evidentimin e kapjen e trafikanteve dhe dokumentimin ligjor të çdo elementi kriminal që tenton të organizojë veprimtari trafikuese.
ii.Reformimi i regjimit të menaxhimit të kufijve shtetërorë, sipas adoptimit të standarteve përkatës të NATO-s dhe vendeve të BE dhe miratimi, brenda janarit 2004, i një programi veprimesh konkrete nga Qeveria.
iii.Largimi dhe ndëshkimi ligjor i zyrtarëve të korruptuar në Policinë e Shtetit dhe struktura të tjera.
iv.Forcimi i grupeve të taskforce ndërmjet institucioneve, mbyllja e ciklit ndëshkues me prova ligjore dhe sekuestrimi i pasurive me origjine krimin e organizuar.
v.Hartimi dhe miratimi i ligjit Anti Mafie dhe mbështetja për strukturat në ngritje të gjykatave dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
vi.Sigurimi dhe kontrolli i lëvizjeve në porte dhe në Aeroport, sipas standarteve të BE.
vii.Forcimi i kontrollit doganor, masat anti-evazion dhe pastrimi i rradhëve të shërbimit, duke mbyllur çdo shteg ligjor apo fizik për trafikime.
viii.Reformimi thelbësor i punës së SHISH, në mbledhjen, trajtimin e informacionit dhe koordinimin operacional me Policinë e Shtetit.
ix.Bashkëveprimi dhe koordinimi me strukturat e specializuara aleate jashtë vendit dhe bërja aktive e Qendrës Antitrafik të Vlorës;
2.Të intensifikojnë punën, nëpërmjet Qeverisë së Koalicionit dhe përfaqësuesve në Kuvend, që të shtohen mundësitë e shtetasve shqiptarë për qarkullim të lirë në Ballkan dhe Europë; për këtë, do të nxitet dhe mbështet:
1.Hartimi dhe zbatimi i matricës së masave, në përputhje me kërkesat e Paketës Shengen, përfshirë reformat ligjore dhe veprimet ekzekutive, duke synuar që Shqipëria të nënshkruajë marrëveshjen e lëvizjes së lirë me BE.
2.Puna e MPJ dhe strukturave të tjera, për zbatim të një plani konkret dhe më rezultativ për lehtësimin e sistemit të vizave, duke shfrytëzuar të gjitha hapsirat ligjore në kuadër të partneritetit me vendet fqinje dhe BE (brenda janarit një program i detajuar veprimesh).
3.Intensifikimi i dialogut në nivel diplomatik dhe politik me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, Komisionin dhe Parlamentin Europian, për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve shqiptarë në vendet e BE.
3.Të nxisin dhe mbështesin çdo masë tjetër të qeverisë, me karakter ekonomik e social, që shërben drejtpërdrejt vazhdimin e politikave sociale dhe të punësimit, arsimimin dhe shërbimin shëndetsor, rininë dhe grupe të tjera shoqërore, veçanërisht për zonat me varfëri të skajshme.
4.Grupet parlamentare dhe deputetët përfaqësues të partive të "Koalicionit për Integrim" do të votojnë "pro" të gjithë projekt-ligjeve që mbështesin masat e mësipërme dhe reformat e tjera , me karakter ekonomik e social, që gjithashtu kanë një impakt të madh në suksesin e luftës së shtetit kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshëm.
5.Grupet parlamentare dhe deputetët përfaqësues të partive të "Koalicionit për Integrim" kërkojnë ngritjen e një Komisioni Parlamentar Hetimor për ngjarjen e 9 janarit 2004.
Partitë e "Koalicionit për Integrim" ftojnë opozitën, që të mbështesë luftën e institucioneve shtetërore kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjëshme, duke analizuar me objektivitet arsyet e vërteta, duke bashkëpunuar me shtetin për identifikimin dhe goditjen e tyre ligjore, në vend të përpjekjeve për të abuzuar me ndjenjat e familjarëve të viktimave, për të nxjerrë përfitime politike nga tragjedi të tilla njerëzore. Krimi i organizuar është shkaktari i tragjedisë, prandaj ai duhet luftuar; përndryshe vëmendja dhe energjitë e goditjes shpërndahen.
Partitë e "Koalicionit për Integrim" i bëjnë thirrje opinionit publik që të mbështesë edhe në të ardhmen luftën e shtetit të vet kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshëm, dhe të mos lejojë që ndokush të bëhet viktimë e atyre që dhimbjen njerëzore dhe dëshpërimin në raste fatkeqësish, mundohen ta kthejnë në urrejte dhe veprim kundër institucioneve të shtetit. Krimi luftohet me masa konkrete ligjore, organizative, ekonomike dhe sociale, duke ia veshtiresuar terrenin, duke ia minimizuar hapsirat e veprimit dhe burimet e ushqimit dhe jo me akuza politike .
Partitë e "Koalicionit për integrim" shprehin bindjen e patundur se shteti dhe qytetarët do ta fitojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale.
Partia Socialiste e Shqipërisë
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë
Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë
Partia Bashkimi per te Drejtat e Njeriut
Partia Aleanca Demokratike e Shqipërisë
Partia Demokracia Sociale e Shqipërisë
Tiranë, 14 janar, 2004"