Kryeministri i Shqipërisë, z. Fatos Nano u ka dërguan një mesazh trupave tona paqeruajtëse që shërbejnë në Mosul të Irakut. Në mesazhin e tij Kryeministri Nano shkruan: Të respektuar us
Kryeministri i Shqipërisë, z. Fatos Nano u ka dërguan një mesazh trupave tona paqeruajtëse që shërbejnë në Mosul të Irakut. Në mesazhin e tij Kryeministri Nano shkruan:
Të respektuar ushtarakë të kontigjentit shqiptar në Mosul !
Më lejoni t'ju transmetoj përshendetjet e mia më të sinqerta për të gjithë ju antarë të personelit ushtarak të kontigjentit shqiptar në Mosul dhe të solidarizohem e të bashkohem me veprimet tuaja të kohëve të fundit të karakterizuara nga guximi, përkushtimi, uniteti dhe gjakftohtësia në mision.
Më lejoni t'ju shpreh gëzimin dhe krenarinë që unë, ashtu si gjithë populli shqiptar, ndjej sa herë më informojnë për progresin, arritjet dhe sukseset e misionit tuaj aty në Irak, si dhe në Bosnjë e Afganistan.
E ndjej veten aty me ju me gëzimet e shqetesimet tuaja për realizimin e misionit. Jam aty së bashku me ju kur ju jeni në patrullim, apo në festat dhe gëzimet tuaja, por edhe kur dikush ka temperaturë apo e ka marrë malli për familjen e të afërmit.
Ju ushtarët e thjeshtë, nënoficerët dhe oficerët shqiptarë si misionarë të paqes në mision po demonstroni realisht me vepra se nëpërmjet përmbushjes me sukses të misionit tuaj, dini të mbroni dhe ndërtoni paqen edhe në Irakun e largët, si dhe të rrisni reputacionin e shqiptarit dhe të Shqipërisë në botë. Ju përgëzoj dhe ju inkurajoj që ta konsolidoni më tej këtë emër të mirë, për tu treguar të denjë për integrimin tonë të plotë në strukturat euro-atlantike.
E pranoj se, që të jesh anëtar i njësisë komando nuk është aspak e lehtë, por jam i bindur se kjo është zgjedhja e pasionit juaj.
Unë i inkurajoj ata të rinj shqiptarë që e kanë këtë pasion, që të bashkohen me komandot, me forcat speciale apo ato të reagimit të shpejtë në sherbimin ushtarak të detyrueshem apo profesionist.
Përkushtimi e tempi ushtarak që ju keni demonstruar në stërvitje e mision, shpirti i kolektivitetit dhe miqësia ushtarake që ju keni sprovuar e kalitur në garnizon, janë cilësi që gjënden rallë në mjedise të tjera. Ju admiroj dhe ju inkurajoj t'i forconi më tej këto tipare pozitive të shpirtit shqiptar në shekuj.
Ju e dini mirë se qëndrimi ynë i palëkundur për të kontribuar për lirinë dhe per të luftuar terrorizmin ka qenë rrallë herë kaq mbizotërues, gjithëpërfshirës dhe i mbështetur fuqimisht nga parlamenti, qeveria, forcat politike dhe mbarë opinioni publik shqiptar. Unë ju inkurajoj që të vazhdoni, ashtu si deri tani, të udhëhiqeni në misionin tuaj nga motoja e veprimtarisë e sintetizuar në tre fjalët aq të rëndësishme për çdo ushtarak në mision: Nderi, Detyra dhe Atdheu.
Në këtë përpjekje e kontribut kombëtar ne nuk jemi vetëm; ne jemi në krah të forcave aleate Gjermane e Turke në Bosnje-Herzegovinë e Afganistan, si dhe në krahe te aleatëve të mëdhenj Amerikanë aty në Irak. Ne jemi në krahë të tyre, sepse aspirata jonë per integrim në Aleancen Euroatlantike kërkon që ne të mos jemi vetëm konsumatorë të sigurisë e të paqes, por edhe gjenerues te tyre në rajon e më gjerë, duke kontribuar në përballimin e sfidave të vështira të tranzicionit të popujve nga diktatura në demokraci.
Jam informuar në vazhdimesi si për shëndetin, ashtu edhe per përmbushjen e misionit tuaj në Irak, dhe ju siguroj se do të jemi pranë jush në momente të mira dhe të vështira të misioneve që do t'ju besohen. Kontributi i Shqipërisë për paqen dhe sigurinë në botë nuk do të kishte kuptim pa pjesmarrjen, përgatitjen dhe sakrificën tuaj dhe të familjeve tuaja.
Në emër të Qeverisë Shqiptare edhe një herë ju falenderoj juve dhe familjet tuaja. Shëndet të plotë dhe suksese në misionin tuaj fisnik.