Zëvendëskryeministri Namik Dokle përuron nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës së Kuçit në Vlorë, si dhe të rrugës së Portit në këtë qytet Zëvendëskryeministri Namik Dokle mo
Zëvendëskryeministri Namik Dokle përuron nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës së Kuçit në Vlorë, si dhe të rrugës së Portit në këtë qytet
Zëvendëskryeministri Namik Dokle mori pjese sot paradite në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës së Kuçit, në Vlorë. Në këtë ceremoni z. Dokle shoqërohej nga Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi, deputetë te rrethit të Vlorës, Prefekti i Vlorës dhe drejtues të pushtetit vendor.
Në fillim të fjalës së tij, Zëvendëskryeministri Dokle vuri në dukje se, ishte hera e tretë që vizitonte Kuçin dhe njihej me traditat dhe jetën e kësaj zone, por këtë herë ai sillte për kuciotët realizimin e premtimit të bërë nga Kryeministri Fatos Nano për ndërtimin e rrugës së Kuçit. Zëvendëskryeministri theksoi se ndërtimi i rrugës së Kuçit mundëson lidhjen e gjithë kësaj krahine me qytetin e Vlorën dhe e integron atë shpirtërisht dhe ekonomikisht me bregdetin e Adriatikut.
Më tej, z. Dokle siguroi se shumë shpejt qeveria do të vijojë edhe me ndërtimin e rrugës së Pilurit, që e lidh Kuçin me Borshin dhe me bregdetin e Jonit. Në këtë mënyrë – u shpreh zëvendëskryeministri -, krijohet një unazë e plotë nga Kuçi për në Adriatik dhe në Jon, duke i lidhur të gjitha këto krahina me një infrastrukturë të standarteve moderne.
Duke vënë në dukje hapat konkretë që qeveria po hedh në drejtim të stabilizimit të infrastrukturës në vend, z. Dokle nënvizoi se, në mbledhjen e fundit te qeverisë u miratuan vendimet për fillimin e punimeve në disa segmente rrugore anekënd Shqipërisë si, rruga Vlorë-Orikum, rruga që lidh Tropojën me Gjakovën, rruga e Nokovës, rrëshqitja e Dukatit, disa segmente të Korridorit 8, si ai i Rrogozhinës, Papër –Elbasan dhe Elbasan-Librazhd, etj. Këto segmente rrugore anekënd Shqipërisë do të integrojnë të gjitha këto zona me zhvillimin e gjithanshëm të vendit, u shpreh zëvendëskryeministri, duke shtuar se, ky integrim bëhet me vendime dhe punë konkrete.
Zëvendëskryeministri garantoi se "Qeveria Shqiptare është e vendosur të punojë intensivisht në zhvillimin e gjithë infrastrukturës së vendit".
Po sot, zëvendëskryeministri Dokle inaguroi edhe nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës së Portit në Vlorë. "Ne kemi nën kujdes të vecantë zhvillimin e Shqipërisë dhe zhvillimi fillon nga ndërtimi i rrugëve, prandaj ne po investojmë miliarda lekë në të gjitha rrugët e vendit, nga jugu në veri e nga lindja në perëndim", u shpreh zëvendëskryeministri.
Në fjalën e tij në portin e Vlorës, z. Dokle theksoi se "integrimi i Shqipërisë fillon nga magjistralet që po ndërtohen dhe janë këto magjistrale që e bëjnë Shqipërinë pjesë të Europës së Bashkuar". Më tej, ai vuri në dukje se "sinjali më sinjifikativ i punës së madhe të qeverisë ishte raporti i fundit i OKB-së, i cili e radhit Shqipërinë 30 vende më lartë, në raport me vitin e kaluar, nga pikpamja e zhvillimit, duke lënë pas vende të tilla të mëdha si Rusia, Turqia, Ukraina, Rumania, etj".