Kryeministri, interperlancë për konfliktin e interesave
02/04/2005 Me kërkesë të një grupi deputetësh të Partisë Demokratike, ditën e hënë në parlament është thirrur në interpelancë Kryeministri Fatos Nano. Opozita akuzon qeverinë se një pjesë e ministrave kanë konflikte interesi me detyrën, për shkak të bizneseve që ata kanë. Sipas PD-së, kjo gjë bie ndesh me Kushtetutën e vendit, e cila ndalon funksionarët e lartë të shtetit të kenë biznese në emër të tyre, ndërkohë që janë në detyrë. Lideri demokrat Berisha e ka kërkuar interpelancën me Kryeministrin gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të PD-së. "Eshtë e papranueshme që ministra me konflikte interesi të vazhdojnë të qëndrojnë në qeveri. Kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe ne do të kërkojmë thirrjen në interpelancë të Kryeministrit për këtë çështje", tha Berisha. Për konfliktet e interesave që kanë ministrat e kabinetit Nano, janë shprehur dhe zyrtarë të lartë të LSI-së, të cilët për këtë qëllim kanë paraqitur dhe disa amendamente në parlament për miratim.