E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista, 135 mijë zgjedhës në Durrës

02/04/2005  Jashtë listës mbeten shumë të paregjistruar

DURRËS - Në bashkinë e Durrësit ka përfunduar faza e dytë e regjistrimit të popullsisë. Në të gjithë rajonet e Durrësit ky proces ka sjellë shifra të ndryshme nga numri i votuesve të publikuara në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2003, duke shtuar në mëse 20 mijë numrin e zgjedhësve vetëm në bashkinë e Durrësit.

Sipas koordinatorit të këtij procesi në Bashkinë e Durrësit, Indrit Puteci, mësohet se pas përpunimit të të gjithë materialit të mbledhur në terren në qytetin bregdetar, si dhe pas hedhjes në kompjuter, rezulton se në zgjedhjet e ardhshme do të ketë 135 294 zgjedhës, emrat e të cilëve do të afishohen në vende publike. Koordinatori ka bërë të qartë se shifra i përket listës paraprake të zgjedhësve dhe se numri i shtetasve, që kanë të drejtën e votimit, pritet të lëvizë pas shpalljes.

Koordinatori Puteci ka thënë se, në disa familje, grupet nuk kanë mundur të kontaktojnë me qytetarët, por pa dhënë një numër të saktë se sa janë familjet dhe qytetarët të mbetur jashtë verifikimit dhe regjistrimit.

Popullimi i qytetit bregdetar kryesisht në 5 vitet e fundit e ka ndërlikuar procesin, pasi në administratat e bashkisë dhe në zyrat e gjendjeve civile të rajoneve pjesa më e madhe e të ardhurve nuk kishin depozituar shpërnguljet nga rrethet ku kanë banuar më parë. Por kjo ka qenë vetëm njëra nga pengesat që ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në nxjerrjen e një statistike të plotë. Në Durrës është vërejtur se shumë familje apo kurora të reja janë transferuar nga një vendbanim brenda qytetit në një lagje tjetër, pa kaluar në njësinë e re administrative shpërnguljen e dokumentacionit për efekt regjistrimi. Ajo që është publikuar tashmë është deklarimi i dyfishimit të popullsisë së qytetit të Durrësit, duke e rritur numrin e popullsisë nga afro 80 mijë para procesit të nisur në fillimin e këtij viti në 176 mijë banorë. Koordinatori i procesit të regjistrimit të zgjedhësve, Puteci ka thënë se numri në 135 294 zgjedhës ka përfshirë të gjithë shtetasit e datëlindjes para 1 gusht 1987.

Qytetarët të papërfshirë në listën paraprake do të kenë kohë deri 25 ditë para datës së zgjedhjeve të kërkojnë ndryshimet në listë, e cila do të pasojë me shpalljen e listës përfundimtare.

Nga ana tjetër bëhet e ditur se këshilltarët e Partisë Demokratike në këshillin e bashkisë së Durrësit kanë dërguar një kërkesë në bashki pikërisht për transparencën e procesit të verifikimit dhe të regjistrimit të qytetarëve. Në këkresën e nënshkruar nga të gjithë këshilltarët e opozitës thuhet se ata janë të interesuar të dinë veçanërisht për listat paraprake të zgjedhësve. Për këtë arsye në mesin e javës tjetër do të mblidhet këshilli i bashkisë për të bërë të qartë të gjithë procedurën e ndjekur.

20 343 zgjedhës

Rajoni nr.1

20 399 zgjedhës

Rajoni nr.2

19 197 zgjedhës

Rajoni nr.3

33 500 zgjedhës

Rajoni nr.4

41 855 zgjedhës

Rajoni nr.5

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›