E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes pas 10 ditë në koma

02/04/2005  U aksidentua në autostradë

DURRËS - Aksidenti automobilistik i ka marrë jetën shtetasit Fatos Baruti, i cili vdiq pasi qendroi dhjetë ditë në koma. Baruti, 56-vjeçar, lindur në Elbasan dhe banues në po atë qytet, është aksidentuar dhjetë ditë më parë në autostradën Durrës- Tiranë, në afërsi të një karburanti. Më 21 mars, Baruti ka marrë plagë të rënda në kokë si dhe fraktura në trup në kohën që ai po udhëtonte drejt Tiranës. Pas aksidentit, policia e ka dërguar të aksidentuarin në spitalin e Durrësit për trajtim mjekësor. Prej asaj kohe ai është mbajtur nën terapi intensive për dhjetë ditë, por mjekët kanë dhënë pak shpresa jete për të, pasi dëmtimet që kishte pësuar kanë qenë të rënda, ndërsa ai kishte pësuar edhe hemorragji të brendshme. Për shkak të plagëve dhe gjendjes së rënduar ka qenë i pamundur edhe transportimi i tij për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ndërkohë që dje paradite mjekët kanë konfirmuar vdekjen e tij. Policia rrugore e Durrësit ka shpeshtuar kontrollet dhe ndëshkimet ndaj drejtuesve të mjeteve, të cilët tejkalojnë limitet e shpejtësisë, duke ulur në maksimum numrin e aksidenteve dhe kryesisht brenda në qytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›