E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri japonez mbron dënimin me vdekje

Kryeministri japonez, Yoshihiko Noda, ka mbrojtur aplikimin e dënimit me vdekje në vend, pak ditë pasi tre të dënuar u ekzekutuan, duke u varur.

“Nuk kam në plan ta heq dënimin me vdekje”, deklaroi Noda, i cituar nga agjencia e lajmeve japoneze Kyodonews.

Ekzekutimet e kryera të enjten ishin të parat në Japoni që prej korrikut të vitit 2010. Japonia është një nga të paktat vende të avancuara që mban ende dënimin me vdekje, që zakonisht rezervohet për vrasësit e shumëfishtë.

“Duke parë situatën ku numri i krimeve rrëqethëse nuk ka rënë, e shoh të vështirë të heq menjëherë dënimin me vdekje”, ka deklaruar kryeministri.

“Ne duhet ta vlerësojmë me kujdes natyrën e dënimit me vdekje nga këndvështrime të ndryshme, duke i kushtuar ndërkohë vëmendje opinionit publik”, vijoi Noda, duke iu referuar një sondazhi të vitit 2009, ku 85 për qind e të intervistuarve mbështesnin dënimin kapital.

Lajmet e publikuara të enjten në mediat ndërkombëtare tregonin se tre të dënuarit u varën në qeli të veçanta dhe se të gjithë ata akuzoheshin për kryerjen e vrasjeve të shumëfishta.

Aktualisht në Japoni janë mbi 100 persona që mund të dënohen me vdekje, përfshirë Shoko Asahara, truri i sulmeve me gaz në metrotë e Tokios në vitin 1995.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›