Dhunë e re në Kaukaz

Dy policë janë sulmuar në qytetin Khasaviurt të Dagestanit nga persona të panjohur. Njëri ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri pak më vonë në spitalin lokal.
Sulmuesit kanë hapur zjarr në drejtim të makinës së tyre, të cilën më pas e kanë vjedhur dhe janë larguar.
Në Ingushetinë fqinje, një polic ka qëlluar për vdekje dy militantë në qytetin Nazran.
Dagestani dhe Ingushetia janë zona të Kaukazit Verior. Ky i fundit, pjesë e Federatës Ruse, është skenë e përleshjeve të armatosura ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve.
Sulmi i fundit i madh, që është kryer nga kryengritësit e Kaukazit Verior, ka pasur në shënjestër Aeroportin Domodedovo të Moskës, në janar të vitit 2011, me ç’rast u vranë 37 persona.