E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri merr pjesë në takimin e Karitasit të Europës, organizuar në Tiranë

Sot paradite, Kryeministri Berisha mori pjesë në workshop-in e organizuar në Tiranë nga Karitasi Europian, për të diskutuar rreth veprimtarisë së Karitasit në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera, si dhe forcimit të bashkëpunimit të kësaj organizate në vende të ndryshme, në shërbim të njerëzve në nevojë. Në takim ishin të pranishëm drejtues të Karitasit Europian, përfaqësues të kësaj organizate nga shumë vende europiane, drejtues të Karitas në Shqipëri, përfaqësues të pushtetit vendorë, etj. Ky workshop do të vazhdojë punimet, në Tiranë, përgjatë datave 11-13 tetor 2006.

Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për privilegjin e madh që më bëtë t'ju adresohem sot ju me ndjenjën më të thellë të vlerësimit, të simpatisë dhe mirënjohjes për të gjithë kontributin tejet të çmuar që Karitas i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve. Mbështetja dhe solidarteti juaj ndaj kombit tim ka patur një rëndësi shumë të madhe dhe dua t'ju siguroj se vazhdon të ketë një rëndësi të madhe.

Asnjë komb në Europë nuk u nda nga diktatura totalitare me më shumë probleme se Shqipëria. Por probleme të mëdha patën edhe shqiptarët në Kosovë. Ju keni qenë ndër të parët e të parëve për t'i ndihmuar shqiptarët kudo në nevojë. Kontributi juaj ka qenë shumë i rëndësishëm në të gjitha fushat, në arsim, shëndetësi, fushat sociale, infrastrukturë. Falë kontributit dhe solidaritetit tuaj janë realizuar ëndrrat e shumë të rinjve shqiptarë për studime dhe për shkollim.

Një seri projektesh që kanë patur si qëllim rikonstruksionin dhe hapjen e shkollave në zonat më të thella të vendit, apo të qendrave shëndetësore, janë histori suksesi të verteta.

Janë me mijëra familje shqiptare që kanë ndier zemrën tuaj të ngrohtë ndaj tyre, që jetën e fëmijëve të tyre ua dedikojnë mbështetjes dhe ndihmës që ju gjetët në kushte shumë të vështira për to. Janë jo të pakta familjet shqiptare që kanë vajzat e tyre në shtëpi, falë përpjekjeve tuaja dhe suksesit kundër trafikut të qenieve njerëzore. Në të gjitha plagët shoqërore në Shqipëri ju keni dhënë kontributin tuaj për lehtësimin e saj.

Shqipëria sërish mbetet vendi i një mijë e një halleve. Por unë dua t'ju siguroj se në programin e qeverisë problemet sociale kanë një vend të parë në trajtim. Ne kemi vendosur që në 4 vjet të dyfishojmë buxhetin për shkollimin e fëmijëve shqiptarë. Dua t'ju them se në buxhetin e dytë ne ia dolëm të kalojmë, nga 2 përqind në 3.4 përqind të prodhimit të brendshëm, për arsimin. Ne gjithashtu në një vit kemi rritur me 1/3 buxhetin për shëndetësinë.

Sërish ne kemi vuajtje reale në shoqërinë tonë. Ju gjeni në hartën e Shqipërisë, zona nga më të varfërat në Europë. Ne po përpiqemi për zhvillimin e tyre. Por ne kemi vlerësim të madh për kontributin tuaj. Ne do të përpiqemi të kalojmë në një skemë të re sociale, për të mbështetur një shtresë e cila është tmerrësisht e varfër. Këta janë qytetarët që marrin bukën me lista. Duke biseduar me një mik të huaj, ai më tha se këta njerëz ndoshta e marrin me kartë krediti, por iu përgjigja se ata nuk kanë asnjë qindarkë në to. Ata e marrin bukën e gojës thjeshtë në mëshirën e pronarit të dyqanit.

Shoqëria po polarizohet. Ndaj Qeveria është shumë e vendosur të bëjë një rishpërndarje më të drejtë. Qeveria është e vendosur të ndahet nga kjo situatë. Ndihma dhe kontributi juaj është shumë i vlerësuar. Ne jemi shumë të vendosur të përballemi me seriozitetin më të madh kundër trafikut të qenieve njerëzore. Kemi krijuar komitetet rajonale të luftës kundër trafikut. Ne besojmë se këtij problemi mund t'i përgjigjemi më mirë duke e shndërruar në një çështje të familjes dhe të komunitetit. Ne ju jemi shumë mirënjohës për ndihmën që ju keni dhënë dhe do të na jepni.

Dua ta mbyll këtë fjalë duke u shprehur edhe njëherë mirënjohjen për të gjithë ndihmën që i keni dhënë vendit tim dhe kombit tim, t'ju siguroj se përkushtimi juaj është frymëzim i vërtetë në përpjekjet e mia për të ndryshuar këtë vend. Ju falënderoj që zgjodhet Tiranën për të zhvilluar këtë takim. Urimet më të mira për punimet e këtij workshop-i".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›