E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri pret një grup studentësh të UT-së, fitues të çmimit "Kampion Europe" në konkursin ndërkombëtar SIFE 2006, në Francë

Kryeministri Berisha mirëpriti sot një grup studentësh të Universitetit të Tiranës, të cilët fituan në muajin shtator çmimin e parë "Kampion Europe" në konkursin ndërkombëtar të radhës në Simpoziumin Evropian dhe Kupën e Botës SIFE 2006 (Students In Free Enterprise), të organizuar në Paris, Francë. Në këtë konkurs paraqiten projekte ambicioze në fushën e sipërmarrjes së lirë, ku Universiteti i Tiranës u paraqit me 6 projekte.

Kryeministri Berisha i përgëzoi studentët për çmimin e fituar, duke e konsideruar këtë një sukses të madh dhe një vlerësim për potencialet e studentëve shqiptarë. Kryeministri i inkurajoi ata për rezultate të mëtejshme në kuadër të lëvizjes SIFE, duke i garantuar se kanë gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e qeverisë në çdo nismë të tyre. Ky çmim, tha Kryeministri, është krenari për gjithë shqiptarët dhe është një hap domethënës në drejtim të imazhit të vendit dhe të integrimit dhe konkurimit të denjë të studentëve shqiptarë në universitete prestigjoze ndërkombëtare. Kjo fitore nuk është rastësi, por është frut i gjenisë krijuese dhe lirisë së veprimit të rinisë dhe studentëve shqiptarë.

Studentët e falënderuan Kryeministrin për pritjen e bërë, duke u shprehur se ky takim është inkurajim dhe vlerësim për punën e tyre. Ata vlerësuan mbështetjen e deritanishme të qeverisë, përmes nismave dhe reformave të ndërmarra në modernizimin e arsimit të lartë, si dhe shprehën nevojën për vazhdimin e kësaj mbështetjeje edhe në të ardhmen.

Më tej, Kryeministri theksoi se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për lehtësimin e veprimtarive dhe modernizimin e universiteteve, si në drejtim të cilësisë së arsimimit, ashtu edhe në zgjerimin e kapaciteteve, për të përballuar fluksin e studentëve të krijuar nga liberalizimi i universiteteve. Gjithashtu Kryeministri u prezantoi studentëve edhe nismën "Shqipëria një euro", me synimin për ta bërë vendin më tërheqës për investimet.

Nga datat 9-13 Shtator 2006, mbi 2 000 studentë, rreth 400 drejtues kompanish të suksesshme dhe 100 profesorë universitetesh nga 48 vende, morën pjesë në Simpoziumin Evropian dhe Kupën e Botës SIFE 2006 në Paris, Francë. Mes 13 skuadrave SIFE të përzgjedhura nga Bordi i Drejtorëve të organizatave SIFE anembanë Evropës, SIFE Albania u shpall Kampion Evrope.

SIFE (Students In Free Enterprise) është një lëvizje studentore globale, e krijuar më 1975, ndërkohë që nga mesi i viteve '90 shtriu shumë shpejt rrjetin e saj nga Amerika në të gjithë globin. Skuadra e parë e SIFE në Shqipëri është krijuar në mars të vitit 1996, duke u përqëndruar fillimisht vetëm në Fakultetin Ekonomik të Tiranes. Sot SIFE Albania është aktive në tetë universitete (Universiteti Bujqësor, Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës, Tiranës, Vlorës dhe New York-ut).

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›