Kryeministri Berisha takon Drejtorin Rajonal për Evropën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zotin Marc Danzon
Sot paradite, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Drejtorin Rajonal për Evropën, të Organizatës Botërore të Shëndetsisë, zotin Marc Danzon.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Danson me përpjekjet dhe arritjet e qeverisë në fusha të ndryshme, veçanërisht në atë shëndetsore. Kryeministri Berisha u ndal kryesisht në reformat në sistemin shëndetsor të cilat do ti shërbejnë krijimit të një shërbimi më të mirë për qytetarin dhe jashtë sistemit të korrupsionit. Kryeministri theksoi se reforma e sistemit të shëndetësisë, mbrojtja dhe zhvillimi i shëndetësisë, si dhe rritja e cilësisë së shërbimit mjekësor përbëjnë një prej objektivave më madhore të qeverisjes.
Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha dhe zoti Danzon diskutuan gjerësisht për mundësitë e përmirësimit të cilësisë së shërbimit shëndetësor në Shqipëri, nëpërmjet modernizimit të mëtejshëm të këtij sektori dhe kualifikimit të vazhdueshëm të stafit mjekësor.
Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu rolin bashkëpunues të Organizatës Botërore të Shëndetsisë në zhvillimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë. Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtësisht me këtë organizëm në funksion të përmbushjes dhe realizimit të projekteve dhe strategjive të përbashkëta në shëndetësi.
Nga ana e tij, zoti Danzon u shpreh i kënaqur me arritjet e qeverisë shqiptare në drejtim të reformimit të sistemit shëndetsor në vend dhe luftës kundër korrupsionit në këtë sektor. Ai garantoi se Organizata Botërore e Shëndetsisë do të intensifikojë bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, në hartimin dhe konkretizimin e strategjive të përbashkëta për një shërbim mjeksor modern dhe të standarteve të larta.