Kryeministri mesazh nderimi per miliona hebrenj
Kryeministri Sali Berisha ka dërguar një mesazh në ditën kur e gjithë bota përkujton Holokaustin që i kushtoi jetën mbi 6 milion hebrenjve të pafajshëm. Në mesazhin e shefit të qeverisë shqiptare thuhet se “sot, kombet e lira në mbarë botën, në ditën e Holokaustit, nderojnë kujtimin e mbi 6 milionë viktimave me origjinë hebre, fëmijë, djem, vajza, burra, gra, të moshuar që humbën jetën në rracizmin dhe urrejtjen njerëzore të kryer nga nazistët gjatë luftës së Dytë Boterore”. Gjithashtu, në këtë mesazh theksohej se “kjo kasaphanë e makinerisë së përbindshme të shfarosjes në masë vetëm e vetëm për shkak të përkatësisë etnike e fetare është sot një apel i fuqishëm për të gjithë njerëzit në mbarë botën për të dënuar çdo formë dhune dhe urrejtje të rracizmit dhe çdo origjine tjetër”. Kryeministri nënvizon se “në këtë ditë Shqipëria u shëndrrua në një strehë të sigurtë për hebrenjte që ndiqeshin nga bisha naziste dhe numri i tyre ishte më i madh në fund të luftës sesa në fillim të saj”. Në vlerësimin e kreut të ekzekutivit “ky qëndrim përbën një bazë solide të miqësisë e bashkëpunimit që bashkon sot kombin shqiptar me kombin hebre, Shqipërinë me Izraelin”.