Kryeministri, një orë vrer kundër Ramës, e akuzon si përgjegjës për vdekjen e Ardian Klosit
Ky shpërthim i Berishës vjen pas intervistës së Ramës në TV Klan, ku ai foli për takimin e tij me Metën. Berisha jep sinjale se reforma zgjedhore po shkon në humnerë, ndërkohë që akuzon Ramën si fajtor për vdekjen e Ardian Klosit
Ka shpërthyer në vrer për thuajse një orë kryeministri Sali Berisha, që ka mbajtur një fjalim të gjatë përpara deputetëve të tij. Fjalimi vjen pasi Edi Rama është takuar me kreun e LSI, Ilir Meta. Berisha, i cili foli përpara një turme deputetësh të pazë, bënte vetë edhe pyetjet, jepte edhe përgjigjet, derisa në një moment ishte Astrit Patozi që me gjysëm zëri i tha diçka. Ama me gjysëm zëri.
Më pas kryeministri vijoi sulmet ndaj Ramës duke e quajtur bllokmen që kërkon ti marrë pushtetin. Por kulmin e arriti në fund të fjalës, kur e akuzoi Ramën si fajtor për vrasjen e Ardian Klosit. Berisha tha se Edi Rama duhet të thotë se ku e gjen veten në intervistën e Kozara Katit, që shpjegon arsyet se përse kreu vetëvrasje publicisti. Berisha volli vrer edhe ndaj Rudina Xhungës, që mbajti fjalimin e fundit për Klosin duke thënë se ajo lexoi editorialin e Edi Ramës. Berisha akuzoi Ramën se e ka braktisur Klosin.
E vërteta është se kam pasur vlerësim për përkthyesin Ardian Klosi, i cili edhe në vitet 90 kishte shkruar për gjuhën. Ishte një zë i shoqërisë civile me të cilin nuk isha dakord në disa raste, por unë e kam vlerësuar. Por, çfarë bëri Rama? Dëgjoni skenarin tipik të manipulimit: Meqë nuk e ktheu dot në Kosta Trebickë, shkroi një editorial si hipokrizi totale, asnjë fjalë nga zemra, tha Berisha.
Ai iu referua shkrimit Papafingo e krismës së thatë, që Rama publikoi ditën e vdekjes së Klosit. Kryeministri deklaroi se kryesocialisti edhe këtë rast e përdori politikisht.
Titulli duhet të ishte: Papafingo e klithmës së braktisjes dhe kjo e vërtetë nuk mund të fshihet me asnjë makinacion. Pati vetëm një moment sinqeriteti kur dikush tha: Nuk e ndihmuam. Por, njeriu që e kishte braktisur më shumë ishte Edi Rama që kishte shkruar fjalimin e kllogjerës: Ju përgjërohem mos na vrisni, deklaroi kryeministri duke përmendur fjalimin e mbajtur gjatë varrimit nga gazetarja Rudina Xhunga.
Rama të lexojë intervistën e Kozarës e pastaj të bëjë pamflete hipokrite. Atë editorial ia lexova, e vetmja që kam lexuar. Kur e bëjnë disa publicistë, ska problem, por kur kërkon ti japësh nuanca politike dhe deklaron të varri me gojën e zëdhënëses është turp, tha Berisha.
U them miqve të Ramës: Lutjuni të mos shkruajë asnjë fjalë për ju, sepse çdo gjë mbi tokë, kujtdo mund ti duhet, përfundoi kryeministri.