E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri përpiqet të qetësojë opozitën për procesin zgjedhor

19/03/2009  Kreu i ekzekutivit Sali Berisha dhe ai i Partisë Socialiste Edi Rama përplasen për kartat e identitetit

“Opozita le të jetë e qetë, pasi këto zgjedhje do të kenë infrastrukturën më të mirë teknike se çdo proces tjetër zgjedhor”

Kryeministri Sali Berisha u është përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga opozita mbi zgjedhjet dhe pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit, duke theksuar se procesi zgjedhor do të jetë më i miri që është zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha tha se procesi i pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit po ecën me ritme shumë pozitive. Shefi i ekzekutivit dha shifra ekzakte mbi shpërndarjen e këtyre dokumenteve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek ata që nuk janë të pajisur me pasaporta udhëtimi. “Me gjithë zhurmën e pabazë të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshmit në historinë e këtij vendi, dokumente të cilat bëjnë që shqiptarët të barazohen me të gjithë qytetarët europianë, pra me gjithë fushatën nxirëse, siç e shihni, 277 mijë qytetarët kanë aplikuar për karta. Nga kontingjenti prej 700 mijë qytetarë që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë”, - ka deklaruar Berisha. Sipas tij, ata që u ranë borive se procesi po dështon dhe nuk po ecën, ata e marrin përgjigjen me statistika. Për Kryeministrin masat që mori qeveria për uljen nën kosto të çmimit të kartave, për buxhetorët me 20 për qind, për pensionistët me 35 për qind, për studentët dhe ndihmën ekonomike me 46 për qind, kanë pasur efektin e vet shumë pozitiv. Duke nënvizuar këto masa lehtësuese, Berisha u shpreh kundër propozimit të kreut të Partisë Socialiste Edi Rama për shpërndarjen e kartave të identitetit falas për shtresa të caktuara të shoqërisë. “Përpjekjet për t’i shndërruar këto në karta votimi, ashtu siç ndodhi në vitin 1997, që u shpërndanë falas dhe shumica e tyre përfunduan në lumin Lanë, janë përpjekje për të bllokuar procesin, janë përpjekje dhe kërkesa se si të zhvlerësosh totalisht procesin dhe t’i shndërrosh këto karta në ato lloj kartash votimi. Por ato nuk janë thjesht karta votimi, ato janë letra identiteti, me të cilat në një të ardhme jo të largët do të mundet të udhëtohet, sepse janë të pajisura me dy çipe, pra janë të standardeve më të mira”, - tha Kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit u bëri thirrje qytetarëve që të paraqiten në zyrat përkatëse për të tërhequr kartat e prodhuara. Ai bëri me dije se mbi 125 mijë karta identiteti janë gati për t’u shpërndarë vetëm në Tiranë, pasi në rrethe të tjera nuk janë shpërndarë ende, por ky proces do të fillojë. “Opozita le të jetë e qetë, por edhe shqiptarët duhet ta dinë se këto zgjedhje do të kenë infrastrukturën më të mirë teknike se çdo proces zgjedhor tjetër në historinë e këtij vendi”, - theksoi Berisha. Sipas tij, listat paraprake të votuesve janë publikuar, ndërkohë bashkitë dhe komunat i kanë gjetur ato të përshtatshme. Ai pranoi se çdo lloj vërejtje dhe objeksioni i tyre është i mundshëm elektronikisht për t’u zgjidhur me shpejtësi.

5 milionë euro hua për zonat malore

Qeveria shqiptare do të marrë një shumë prej 5 milionë euro hua nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës (CEDB) për zhvillimin e zonave rurale dhe malore. Maturimi i kësaj shume do të jetë deri në 15 vjet, periudha pa pagesë principale deri në 5 vjet, ndërsa interesi që do të duhet të paguajë qeveria është caktuar të jetë variabël sipas tregut. Objektivi i programit është të fuqizojë kapacitetin e institucioneve dhe forumeve në zonat malore për të krijuar dhe mobilizuar burimet nga partneritetet dhe të zbatojë programe të reja, të cilat janë përcaktuar nga vetë palët e interesuara si vendimtare për rritjen e të ardhurave dhe uljen e varfërisë. Programi do të përpiqet të rrisë të ardhurat në zonat malore të Shqipërisë në 21 rrethe të saj, të cilat do të mbulojnë 55 për qind të vendit.

Marrëveshje ripranimi me Bosnjën

Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina do t’i dorëzojnë njëra-tjetrës të gjithë personat që qëndrojnë në vendet përkatëse në mënyrë të parregullt. Ekzekutivi shqiptar ka miratuar në parim marrëveshjen për ripranimin e këtyre shtetasve. Kjo marrëveshje përmban detyrimin e ripranimit edhe në lidhje me shtetasit e vendeve të treta dhe persona pa shtetësi, të cilët nuk përmbushin, ose nuk përmbushin më tej kushtet në fuqi për hyrje ose qëndrim në territoret e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas relacionit shpjegues, i rëndësishëm është parimi se kurdo që mund të provohet ose prezumohet vlefshërisht se këta persona hynë në territorin e një pale kontraktuese pasi kanë mbetur ose kanë qëndruar transit në territorin e palës tjetër kontraktuese, kjo e fundit duhet të jetë përgjegjëse për ripranimin e atyre personave.

Vizita

Berisha në samitin e PPE-së

Kryeministri Sali Berisha është nisur për një vizitë në Gjermani i ftuar të marrë pjesë në samitin krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane. Berisha është ftuar gjithashtu nga fondacionit “Konrad Adenauer” për të marrë pjesë në konferencën me temë “Vitet 1989-1990: Era e ndryshimit në Shqipëri”. Ai do të mbajë një kumtesë përpara një audience të gjerë politikanësh, intelektualësh, akademikësh dhe personaliteteve nga fusha e biznesit gjerman e më gjerë. Gjatë qëndrimit në Gjermani kreu i qeverisë do të marrë pjesë në një takim të zgjeruar me përfaqësues të firmave më të mëdha gjermane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›