E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Komunizmi ne Shqiperi, regjimi me mizor. Lustracioni na ndan prej tij

Kryeministri ne konferencen e Gjermanise

Berlin, 19 mars, 12:23, NOA – Komunizmi në Shqipëri ka qenë regjimi më mizor në gjithë vendet e rajonit, prandaj synojmë që ligji i lustracionit ta ndajë vendin tonë njëherë e mirë prej tij.

Një deklaratë të tillë kryeministri Sali Berisha e ka bërë në konferencën me temë “Vitet 1989/1990: era e ndryshimit në Shqipëri”, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, në të cilën janë prezantuar mizoritë dhe barbaritë e regjimit komunist.

“Regjimi komunist në Shqipëri ishte regjimi më mizor, ekzekutoi me gjyq dhe pa gjyq mbi 11 mijë qytetarë shqiptarë, ekzekutoi në tërësi të gjithë inteligjencën perëndimore të Shqipërisë, udhëheqjen e besimeve fetare, mijëra e mijëra të tjerë intelektualë, burra dhe gra. Mbi 40 mijë shqiptarë përjetuan në kampet e përqendrimit gulakët më të rënda ose u dëbuan nga vendbanimet e tyre, por nuk ishin burgjet kampet apo ekzekutimet me gjyq dhe pa gjyq që përbënin numrin më të madh të viktimave në vendin tim”,  tha Berisha në fjalën e tij.

Duke shtuar se viktimat e shkaktuara nga komunizmi në Shqipëri ishin dy herë më të shumta se të të gjitha vendeve të tjera ish-komuniste përveç Bashkimit Sovjetik dhe Hungarisë në kohën e revolucionit.

“Sa për ligjin e Lustracionit, e vërteta është se ka ngjallur kundërshtira dhe kritika për të cilat unë jam i vetëdijshëm.

Por unë jam i bindur se shoqëria shqiptare duhet të gjejë një mënyrë të qytetëruar pajtimi sepse kryegjykatësi që dënoi me varje poetin sërish deri para tre vitesh ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kurse njeriu që urdhëroi zvarritjen në mes të qytetit të lidhur me tela me gjemba të trupave të rinj, gjer para një muaji vazhdonte kryehetues i vendit. Unë kam bindjen më të thellë se pavarësia e sistemit gjyqësor është jetike dhe vendimtare për sistemin demokratik, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, por shoqëria shqiptare duhet të ndahet nga krimet kundër njerëzimit”, tha ai.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›