Basha: Rama do ta transferojë karrigen e bashkisë në Kryeministri
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka vijuar takimet elektorale në Qarkun e Elbasanit, ku kryeson edhe listën e PD-së për deputet. Basha ka zhvilluar takime në fshatra të ndryshëm, ku ka premtuar që në mandatin e dytë qeveria "Berisha" do realizojë ëndrrën e të gjithë shqiptarëve, duke e bërë Shqipërinë pjesë të familjes evropiane. Më pas ai ka renditur disa nga sukseset e qeverisë "Berisha" dhe ka premtuar se nëse shqiptarët e rimandatojnë këtë qeveri, ajo do të përfundojë projektet e mbetura në mes deri më tani. Duke u ndalur konkretisht në Qarkun e Elbasanit, Basha ka deklaruar se rruga që lidh Pajovën me Belshin, 17 km e gjatë, një investim prej 3.5 miliardë lekësh, ka hyrë në fazën përfundimtare të hedhjes së asfaltit. Më pas kandidati i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Lulzim Basha, ka bërë një inspektim të punimeve në këtë vepër rrugore, ku ka thënë se projekte të tilla tregojnë që Partia Demokratike di t‘i mbajë premtimet dhe nuk flet me fjalë boshe. Basha ka akuzuar Ramën se nuk ka asnjë alternativë për të zhvilluar vendin, por ka vetëm një dëshirë, të transferojë karrigen e kryebashkiakut në Kryeministri. "Zoti Rama çohu, hajde këtu në Shezë, shiko si Sheza po ndryshon, Pajova po ndryshon, Belshi po ndryshon, Shqipëria po ndryshon. Ai nuk ka asnjë plan, asnjë projekt, ai ka vetëm dëshirën që karrigen e bashkisë ta transferojë në Kryeministri. Ne flasim me vepra, nuk flasim me fjalë. Japim fjalën këtu, nga ky asfalt i saposhtruar, se nuk do të lëmë rrugë të komunës apo të fshatrave të kësaj komune pa shtruar në 4 vitet që vijnë; nuk do të lëmë ujësjellës dhe kanalizim pa përfunduar", tha Basha.