E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në prezantimin e politikave të reja fiskale

Sot paradite, kryeministri Sali Berisha mori pjesë në takimin me komunitetin e biznesit për prezantimin e ndryshimeve të politikave fiskale për 6-mujorin e dytë të vitit 2006. Në takim merrnin pjesë anëtarë të qeverisë, përfaqësues të biznesit dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare në Tiranë. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi ndër të tjera:

"Ndjehem i privilegjuar dhe kam kënaqësinë e veçantë t'ju drejtohem sot, në një kohë që vjen e bëhet më e përshtatshme për biznesmenët sesa për politikanët. Kjo ka qenë një nga qëllimet e programit tonë, të kthejmë kohërat për ju, kohën e zhvillimit, begatisë dhe punësimit të qytetarëve.

Vetëm pak muaj më parë ne nisëm një seri takimesh me ju në Tiranë dhe qytetet kryesore të vendit për të dëgjuar mendimet tuaja dhe paraqitëm para jush platformën tonë, e cila ka një synim madhor, lirinë e tregut. Ne i përmbahemi me rigorozitetin më të madh këtij parimi. Në këtë kontekst, ju garantoj se qeveria është e vendosur të ndërmarrë çdo hap, çdo masë, veprim dhe ligj, që liria e tregut të zgjerohet dhe garantohet për ju dhe qytetarët shqiptarë.

Në funksion të zgjerimit të hapësirave të lirisë së tregut ne paraqitëm në atë kohë një paketë fiskale, të cilën, në tërësi, ju e mbështetet dhe e miratuat. Por koha rrjedh dhe gjithçka rishqyrtohet. Në këtë kontekst, une mendoj se po shkojmë drejt një varianti edhe më të përshtatshëm për biznesin, sesa varianti që paraqitëm para jush gjatë fushatës elektorale. Ne po ecim gradualisht, në një partneritet të shkëlqyer me ju, drejt taksës së sheshtë me një nivel.

Gjatë këtyre muajve, janë marrë një seri masash që zgjerojnë dhe lehtësojnë veprimtarinë tuaj. U përgjysmuan taksat e biznesit të vogël; u bë riklasifikimi i bizneseve dhe kjo në funksion të lirisë së tregut; thjeshtuam procedurat e regjistrimit të biznesit, të cilat hyjnë në fuqi më 1 korrik, pas dixhitalizimit të regjistrit tregtar të vendit; përgjysmuam koston e regjistrimit të biznesit; ulëm me 1/3 çmimin e energjisë për biznesin dhe e çliruam atë nga një arbitraritet i pashembullt; hoqëm një prag diskriminues e serioz për ndërtuesit shqiptarë, që nuk i lejonte të merrnin pjesë në tendera me vlera mbi 2 milion, në një kohë kur kontraktoheshin si subkontraktorë nga të gjithë fituesit e tenderave mbi këtë vlerë.

Sot, ne vijmë këtu për të diskutuar sërish me ju dhe për t'ju komunikuar dy hapa të tjerë të rëndësishëm në funksion të lirisë së tregut dhe uljes së kostos së prodhimit. Konkretisht, tarifat për sigurimet shoqërore ulen 31% dhe hiqet tarifa doganore dhe TVSH-ja për të gjitha makineritë që ju dhe investitorët e huaj do të importoni në vend. Këto janë një grup masash që do të shoqërohen edhe nga një grup tjetër i rëndësishëm masash.

Ne liberalizuam një pjesë të mirë të licencave për hidrokarburet dhe shërbimet. Së shpejti, ne dalim para jush, në mënyrë të veçantë përpara ndërtuesve, me një paketë të re, e cila në mënyrë përfundimtare arkivon sekserin, çlirojnë biznesin, përjashtojnë çdo mundësi gjobe ndaj ndërtuesve, të cilëve u kërkohet vetëm ligji dhe zbatimi i tij në ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Askush nuk do të mund t'i bllokojë ata në kundërshtim me ligjin. Jam i bindur se edhe kjo paketë e re, e cila ka të bëje me lejet, sheshet e ndërtimit dhe kushte të tjera, do t'i japë një nxitje sektorit që de facto është promotor i zhillimit të ekonomisë së vendit.

Të nderuar pjesëmarrës,

Dy drejtime të tjera mendoj se janë shumë të rëndësishme për ju. Së pari, lufta kundër krimit të organizuar. Ju jeni dëshmitarë sesa kolegë tuaj gjatë këtyre viteve ranë viktimë e barbarisë së krimit të organizuar shqiptar, u ekzekutuan, u morën peng dhe u zhdukën. Ne do të vazhdojmë betejën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar. Ne jemi të vendosur të garantojmë me çdo çmim jetën, veprimtarinë, pronën tuaj dhe të qytetarëve shqiptarë. Qeveria nuk do të kursejë dhe nuk do të ndalet para asgjëje pa garantuar sigurinë e plotë tuajën dhe të të gjithë shqiptarëve. Toleranca zero është dhe mbetet motoja jonë ndaj krimit të organizuar.

Gjithashtu ne jemi të vendosur të vazhdojmë me tolerancë zero luftën kundër korrupsionit. Ju bën thirrje të merrni pjesë aktive në këtë luftë, të mos përkuleni para askujt, para asnjë padrejtësie ligjore që një segment i caktuar i administratës apo shtetit ndërmerr ndaj jush. Ju garantoj se qeveria do të jetë totalisht në anën tuaj. Në rast se realizuam këto ndryshime në një kohë të shkurtër, ato janë realizuar, para së gjithash, nga pjesëmarrja masive e publikut shqiptar. Ne e mirëpresim pjesëmarrjen tuaj, ashtu siç mirëpresim vërejtjet dhe sugjerimet tuaja për platformën kryesore që paraqesim sot. Ne mirëpresim çdo ankesë ndaj çfarëdo arbitrariti sado të vogël, që ushtrohet ndaj jush nga cilido institucion. Qëllimi ynë është bashkëpunimi dhe partneriteti me ju, i bazuar në ligj, në mënyrë që ju të mund të zhvilloni sipërmarrjet tuaja. Në këtë aspekt, qeveria pret nga ju një partneritet dhe bashkëpunim më të ngushtë. Asnjë shërbim më të madh nuk mund t'i bëjmë vetes, fëmijëve, vendit dhe dinjitetit tonë sesa rivendosjen e shtetit ligjor. Të punojmë sëbashku për të zbatuar ligjet.

Sot, ne ulim 31% taksën e sigurimeve shoqërore. E filluam me këtë masë jo pa qëllim, dhe ju siguroj se taksa të tjera do të ulen progresivisht, por sepse duam që qytetarët shqiptarë që punojnë në sipërmarrjet shqiptare të jenë të siguruar. Dhe sërish do t'i ulim. Ne besojmë tek taksat e ulëta, tek fuqia menaxhuese dhe inisiativa juaj e lirë, por le t'i respektojmë, ndryshojmë dhe t'i vendosim sëbashku rregullat. Të jemi të sigurtë se partneriteti mbi këtë bazë do ta zhvillojë Shqipërinë shumë më shpejt nga sa mund ta mendojmë.

Ju përshëndes përzemërsisht dhe ju siguroj se zëri juaj dëgjohet dhe do të vazhdojë të dëgjohet me vëmendje të madhe".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›