E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha merr pjese ne Konferencën kombëtare, "Të drejtat e njeriu fillojnë me të drejtat e fëmijëve"

Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në Konferencën e tretë Kombëtare me temë "Të drejtat e njeriu fillojnë me të drejtat e fëmijëve". Në këtë aktivitet të organizuar nga Ministria e Punës,Çështejeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në bashkëpunim me UNICEF, ishin të pranishëm përfaqësues të organizatave në ndihmë të fëmijëve, përfaqësues të pushtetit vendor, donatorë të ndryshëm etj. Kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e madhe që ka respektimi i të drejtave të fëmijëve dhe shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për zbatimin e strategjisë për mbrojtjen dhe zhvillimin e këtyre të drejtave.

Midis të tjerave, në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

"Dua të përgëzoj për organizimin e kësaj konference të rëndësishme kombëtrae, ministrinë e punës, çeshtjeve sociale dhe shanseve tw barabarta, zyrën e UNICEF, zyrë e cila ka dhenë një kontribut të madh në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe në zgjerimin e koncepteve për këto të drejta.

Ndihem shumë i privilegjuar dhe i kënaqur që ndodhem sot midis jush, por ndjehem shumëfishi detyruar si prind, si gjysh, si mjek, si mësues, si politikan, si kryeministër.

Dashuria dhe përkujdesja prindërore, kujdesi shëndetsor, shkollimi dhe zhvillimi i fëmijëve, sikurse përkujdesja e shtetit për të garantuar të drejtat e fëmijëve janë domosdoshmëri madhore për të patur fëmijë të lumtur dhe të zhvilluar, ndaj me krenari dëshiroj tu them se në të gjithë jetën time nuk jam munduar për asgjë më shumë, sesa të përmbush detyrimet e mija ndaj fëmijëve të mi, ndaj fëmijëve të komunitetit dhe ndaj të rinjve të Shqipërisë.

Unë vij sot për tju garantuar se do të mbështesë fuqishëm përpjekjet për të mbrojtur dhe garantuar të drejtat e fëmijëve, se qeveria është e vendosur të bëjë çdo investim, të ndërrmarrë cdo hap , në mënyrë që në Shqipëri, në shoqërinë tonë, i pari të parëve të jetë fëmija. Në të vertetë ky është një objektiv ambicioz, ndaj të cilit duhet të pranojmë se shoqëria shqiptare nuk është afër, por është një objektiv i vlefshëm për ti përkushtuar të gjitha resurset, të gjithë vëmendjen, të gjitha potencialet e vendit. Të shpallësh fëminë të parin e të parëve në Shqipëri do të thotë para së gjithash të mos pranojmë asnjë fëmijë të braktisur, duhet ta fillojmë nga fëmijët e braktisur , të cilët nuk duhet të ekzistojnë në shoqërinë shqiptare. Fatkeqsisht kjo kategori nuk është e paktë në numër. Një fëmijë mund të humbasë prindërit dhe familjen, një fëmije mund ti mungojnë të afërmit, por ai në asnjë rrethanë nuk duhet të mbetet apo ndihet i braktisur. Ky është dhe duhet të jetë detyrimi madhor i qeverisë dhe i shoqërisë shqiptare. Në këtë kontekst sërish tek fëmijët e braktisur duhet të shpallim tolerancën zero, në strategjinë tonë, ndaj trafikimit të fëmijëve. Asgjë nuk është më lënduese në një shoqëri sesa tregtiae fëmijëve. Asgjë më lëndues nuk ka për moralin e saj se sa ky lloj tregu. Ndaj është e domosdoshme që ministria dhe jo vetëm ministria e punës, por edhe ajo e arsimit dhe ministria e brendëshme, të bashkërendojnë të gjithë përpjekjet për të identifikuar fëmijët dhe familjet me rrezik të lartë, për tu dhënë atyre të gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen e duhur. Është tashmë e njohur se kontigjenti më vulnerabël është kontigjenti i romëve , prandaj dhe nëse duhet të kemi rezultatet me maksimele le të përqëndrohemi tek ky kontigjent ,le të ndryshojme jetën e tyre, sepse në këtë mënyrë ne do të parandalojmë trafikimin e fëmijëve. Le ta shndërrojmë këtë në një cështje të mbarë komunitetit, të të gjitha institucioneve zyrtare , të qeverisë vendore dhe qeverisë qëndrore dhe kjo do të japë frytet e veta Ju garantoj se kjo do të jetë një nga objektivat më madhore të qeverisë sonë. Trafiku i fëmijëve është forma më e shëmtuar e trafikut të organizuar. Ne jemi të vendosur të përballemi me të gjithë forcën e ligjit ndaj këtij trafiku.

Të mos ketë fëmijë të braktisur do të thotë të mos ketë fëmijë jashtë sistemit shkollor. Duhet të përpiqemi me të gjithë potencialin që çdo fëmijë i moshës shkollore të marrë edukim, në shkollë, në spital kudo që ndodhet. Ne kemi shpallur si objektiv që 100 për qind e fëmijëve të përfundojë arsimin 9 vjecar. Ky ovbjektiv është plotësisht i realizueshëm, por kërkon para së gjithash vëmendjen tonë sepse ekzistojne te gjitha burimet dhe mundësitë. Dhe në rast se ky objektiv nuk realizohet, ka katërfish mungesën e përkushtimit nga ana jonë dhe komunitetit, si dhe nga ana e qeverisjes vendore.

Qeveria është e vendosur të bëjë përpjekje të mëdha për shkollimin e mire të fëmijëve. Ne jemi përcaktuar të dyfishojmë këtë katërvjecar, buxhetin për arsimin. Jemi te përcaktuar të modernizojmë shkollat tona dhe të përmirësojme kushtet në keto shkolla, por një përqëndrim më të madh duhet ti kushtojmë arsimit parashkollor dhe nuk duhet që fokusimi tek arsimi i tre cikleve të na spostojnë nga vëmendja arsimin parashkollor të fëmijëve.

Fëmijët e Shqipërisë vuajnë më shumë se të gjithë anëtarët e tjerë të shoqërisë nga babëzia. Asnjë park nuk ndërtohet në kryeqytet për fëmijet, përkundrazi shkatërrohen edhe ato parqe të pakta të trashëguara nga komunizmi. E njëjta situatë eshte edhe në qytetete të tjera, ku nuk është ndërtuar asnjë park apo mjedis për fëmijët. Ndaj në planin kombëtar qeveria do t'u diktojë dhe përcaktojë standarte, kritere dhe norma në të gjithë urbanistikën vendit, që fëmijëve t'u jepet pjesa e tokës dhe diellit që u takon, pasi në këtë mënyrë përveç betonit, nuk mbetet asgjë për ta.

Nuk mund të braktisen fëmijët në këtë mënyrë, të ndryhen në streha të cilat thyejnë çdo kod e moral. Me shpejtesi duhet të hartohet kodi i të drejtave të fëmijëve. Përgjegjësia direkte për fëmijet është publike. Nuk mund të pranojmë që streha të tilla të funksionojnë jashtë çdo lloj vëzhgimi dhe monitorimi. Një grup ndërministror pune do të ngrihet për të përcaktuar rregullat më të qarta të funksionimit dhe kontrollit të këtyre institucioneve. Qeveria nuk mund të shmangë përgjegjësitë e veta ndaj fëmijëve, per faktin se ata janë vendosur në streha private. Qeveria do të marrë të gjitha përgjegjësitë në mënyrë që abuzime të tilla të mos përsëriten më.

Ne kemi ratifikuar konventën e organizatës së kombeve të bashkuara për të drejtat e fëmijëve. Unë ju siguroj se do të keni mbështetjen e plotë për zbatimin e saj gërmë për gërmë dhe frymën e saj totale. Me një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e vendit, dhe me UNICEF, le ta shndërrojmë këtë konventë në një realitet, të mos lejojmë që ajo të mbetet vetëm në letër, sepse vetëm në këtë mënyrë ne do ta bëjmë shoqërinë tonë më njerëzore, më të drejtë dhe më fisnike.

Jemi të vendosur të ristrukturojmë komitetin për të drejtat e fëmijëve, jemi të vendosur të mbështesim me buxhet të gjithë strategjinë e mbrojtjes dhe zhvillimit të drejtave të fëmijëvë, ndaj dhe le të jetë kjo konferencë dhe ky plan që miratojmë sot një pikënisje vërtet e re, e rëndësishme , në qëndrimin tonë ndaj fëmijëve tanë. Fëmijët kanë nevojë të madhe sot. Sirenat e tyre bien në mbarë vendin. Gjendja e tyre është e papranueshme. Ne duhet ta ndryshojmë me shpejtësi këtë gjendje. Ne duhet ta vendosim femijen, në programin tonë, të parin e të parëve. Në këtë mënyrë unë jam i bindur se do të ngrihemi na lartësinë e vlerave familjare që ne ndajmë. Në këtë mënyrë ne do të bëjmë që fëmijët tanë të rriten të shëndetshëm, të edukuar, të shkolluar dhe kështu do të jetë dhe shoqëria jonë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›