E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha takon kryeministrin e Kosovës AgimÇeku

Sot pasdite, kryeministri i Shqipërisë zoti Sali Berisha pati një takim me kryeministrin e Kosovës zotin AgimÇeku. Pas takimit, dy kryeministrat komentuan për gazetarët takimin mes tyre:

Kryeministri Berisha: Dëshiroj t'i uroj mirëseardhjen vëllazërore kryeministrit të Kosovës, zotit AgimÇeku dhe të shpreh mbështetjen dhe kënaqësinë time të madhe për punën, përkushtimin dhe përpjekjet shumë serioze të zotitÇeku dhe qeverisë së Kosovës, që në bashkëpunim me presidentitn Ahtisari dhe grupin e kontaktit, të zgjidhin statusin e Kosovës, në përputhje me vullnetin e shprehur të qytetarëve të saj.

KryeministriÇeku dhe qeveria e Kosovës janë të angazhuar në arritjen dhe garantimin e standarteve në Kosovë, si një vend i lirë, demokratik, i qytetarëve të barabartë përpara ligjit, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, të angazhuar për rikthimin e të shpërngulurve, për një pajtim të vërtetë shoqëror.

Me kryeministrinÇeku diskutuam gjërësisht dhe identifikuam fushat e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, në përpjekjet për të ndërtuar një infrastrukturë që lehtëson lidhjet midis dy vendeve tona, superstradën Durrës-Merdare dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të kulturës.

Një theks të veçantë vendosëm në bashkëpunimin në fushën e turizmit. Shqipëria ka potenciale të mëdha turistike dhe qytetarët e Kosovës janë të ftuar dhe të mirëpritur në brigjet e Shqipërisë. Gjithashtu Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi ndajnë sëbashku alpet, të cilat presin për t'u zhvilluar si zona të reja turistike për rajonin dhe Evropën.

Unë e sigurova zotinÇeku se qeveria shqiptare mbështet dhe vlerëson përpjekjet e qeverisë së tij dhe është e vendosur të zgjerojë bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Porti i Shëngjinit ishte një tjetër çështje për të cilën diskutuam. E sigurova kryeministrinÇeku se ky port do të jetë në dispozicion të Kosovës. Kosova ka lidhje me detin nëpërmjet vendeve fqinj, Selanikut dhe Malit të Zi, si dhe nëpërmjet Shqipërisë. Në këtë drejtim, porti i Shëngjinit është një port shumë i përshtatshëm, i cili do të jetë i lirë për Kosovën.

Gjithashtu të dy vendet kanë mirëpritur pavarësinë e Malit të Zi dhe jemi të vendosur që me këtë vend mik të intensifikojmë bashkëpunimin dhe lidhjet e gjithanshme.

KryeministriÇeku: Shqipëria për Kosovën gjithnjë ka qenë dhe do të jetë shumë më tepër sesa një vend fqinj. Ndaj dhe vendet tona e tejkalojnë kornizën e marrëdhënieve të mira që mund të vendosin dy vende fqinj. Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie vëllazërore.

Ne kemi shumë të përbashkëta, por mbi të gjitha, dhe e një rëndësie të veçantë, kemi të përbashkët qendrimin ndaj procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës dhe qendrimin që ky proces do të rezultoi me pavarësinë e plotë të Kosovës. Gjithashtu kemi të përbashkët edhe orientimin e dy vendeve tona drejt strukturave euroatlantike.

Pata një kënaqësi të veçantë dhe një mundësi të shkëlqyer që me kryeministrin Berisha të bisedojmë për zhvillimet e fundit në rajon, për zhvillimin e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës, për përpjekjet e qeverisë se Kosovës që të sigurojë që ky proces të rezultojë me njohjen e plotë të vullnetit të shumicës së qytetarëve të Kosovës, me pavarësinë e saj.

Në takim biseduam edhe për projektet prioritare, të cilat i përmendi dhe kryeministri Berisha, që do ta fuqizojnë bashkëpunimin dhe integrimin e vendeve tona.

Ne gjithashtu biseduam edhe për procesin e integrimit evropian. Shqipëria ka hedhur hapa të konsiderueshëm dhe ka bërë përparime të mëdha. Kosova është në të njëjtën rrugë dhe mund të përfitojë shumë nga përvoja e Shqipërisë në procesin e integrimit euroatlantik, sikundër edhe nga përvoja e saj edhe në fusha të tjerë në mënyrë të veçantë në vendosjen e ligjit dhe të rendit publik.

Pyetje: Autoritetet më të larta të Beogradit, menjëherë pas referendumit në Malin e Zi kanë paralajmëruar me kërcënime për destabilitet të mundshëm në Ballkan, nëse imponohet një vendim për statusin e Kosovës. E shihni ju këtë rrezik ?

Kryeministri Berisha: Zgjidhja e vetme, që garanton paqe dhe stabilitet ne Kosovë dhe rajon, është ajo që buron nga e drejta e popullit të Kosovës për vetëvendosje, pra respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës, i shprehur në mënyrë të përsëritur për pavarësi. Ky nuk është një qëndrim realist i autoriteteve të Beogradit, por shpresoj dhe uroj qe gradualisht të përshtasin qëndrime më realiste.

KryeministriÇeku: Ashtu si pavarësia e Malit të Zi ishte një proces i pashmangshëm, ashtu dhe pavarësia e Kosovës është një proces natyral dhe i pashmangshëm. Më inkurajon fakti që reagimi i Serbisë, ndaj rezultatit të referendumit të Malit të Zi, ishte konstruktiv dhe mbetet të besojmë se ata kanë filluar ta kuptojnë se ky është një proces i natyrshëm dhe kanë filluar të mbrojnë edhe mendimin, edhe veprimin politik dhe të jenë më pragmatikë ndaj zhvillimeve në rajon dhe ta kuptojnë se tani konfiguracioni në Ballkan ka ndryshuar dhe raportet janë krejtësisht të reja. Unë besoj se ata do të jenë në gjendje ta kuptojnë këtë realitet, sepse në rradhe të parë është në interes të tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›