E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në takimin e grupit parlamentar të PD-së

Sot, Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në takimin javor të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kryeministri i njohu deputetetët me politikat e reja fiskale të ndërmarra nga qeveria, si dhe për disa nisma të rëndësishme që synojnë lehtësimin e aktivitetit të bizneseve kryesisht bizneseve për eksport dhe nxisin prodhimet bujqësore shqiptare.

Ndër të tjera, kryeministri theksoi se muaji maj dëshmoi se përkushtimi kryesor i qeverisë ka qenë për biznesin. Gjatë këtij muaji janë shënuar hapa të rëndësishëm në drejtim të lehtësimit, nxitjes dhe inkurajimit të punësimit dhe biznesit.

Në këtë kuadër, kryeministri Berisha theksoi se "paketa e re fiskale, ulja me 31% e taksës së sigurimeve shoqërore, heqja e çdo takse për makineritë e importuara, shoqëruar me uljen 33% të çmimit të energjisë elektrike, përbëjnë, që nga viti '93 e deri tani, lehtësimin më të madh dhe reformën më të thellë që është ndërmarrë në drejtim të një klime miqësore ndaj biznesit".

Duke rikonfirmuar se reformat janë të pandërprera, kryeministri informoi se do të përgatitet edhe një paketë e re për bizneset eksportuese. "Ministria e Ekonomisë dhe ekspertët po punojnë për këtë paketë dhe një nga qëllimet më madhore të saj do të jetë nxitja e bizneseve për eksport, e biznesit me fason dhe e të gjitha formave të tjera të eksportit, si një veprimtari që krijon më shumë vende pune se çdo degë tjetër, zvogëlon defiçitin tregtar, si dhe parandalon shndërrimin e Shqipërisë në një republikë tregtare, ashtu si edhe e gjetëm".

Më tej, kryeministri Berisha theksoi se reforma do të shtrihet jo vetëm në drejtim të krijimit të një ambienti realisht lehtësues për eksportet, por hapa të rëndësishëm do të shënohen edhe drejt nxitjes së prodhimeve bujqësore shqiptare. "Mbështetja më e madhe që mund t'i bëjmë, - tha kryeministri - është vendosja e TVSH-së. Shpreh keqardhjen që masa të tilla, të cilat kanë vetëm një synim, ndihmën e prodhuesve bujqësore shqiptarë, ndonjëherë demonizohen. TVSH-ja nuk është dhe nuk mund të jetë taksë e atij që shet, por është taksë e atij që blen. Në rast se kjo taksë nuk është shtrirë në prodhimet bujqësore shqiptare, këtu kanë diktuar, para së gjithash, interesat e monopoleve të importit të ushqimeve. Mbrojtja e interesave të monopoleve është e kundërta e interesit publik, ndaj dhe ne do ta studiojmë me shumë vëmendje. Kjo nuk është një masë e thjeshtë, por e domosdoshme, në mënyrë që fermërët tanë të konkurojnë njësoj e të mos ndëshkohen për shkak të mungesës së këtij sistemi të domosdoshëm fiskal. Nga kjo masë fermerët veçse garantojnë një treg më të sigurtë dhe më konkurues për prodhimet e tyre të shkëlqyera".

Duke folur për liberalizimin e tregut, kryeministri siguroi se po punohet për një liberalizim të ri të licencave në disa sektorë, sikundër edhe për vendosjen e procedurave shumë të qarta e të kthjellta ligjore, që askush të mos bllokojë ndërtimin dhe t'i japë fund sekserit, i cili duhet të arkivohet sa më shpejt si një krijesë e përçudnuar e sistemit të korrupsionit.

Në takim kryeministri Berisha shprehu bindjen se këto reforma do të ristrukturojnë ekonominë shqiptare. "Natyrisht efekti i reformave ekonomike nuk është kurrë i menjëhershëm. Reformat ekonomike janë afatmesme dhe afatgjata në veprimin e tyre. Jam i sigurtë se të gjitha këto masa kanë ridimensionuar në një shkallë më të madhe se ndonjeherë lirinë e tregut, inisiativën e lirë dhe dëshmia më e qartë e saj është fakti se ekonomia po merr një gjallërim real. Niveli i kreditit këtë vit mund të rritet më shumë se 100%, infomaliteti është zvogluar, të ardhurat, duke ulur taksat, janë rritur 32% në krahasim me 8 muaj më parë".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›