Kryeministri pret shirita inaugurimesh në Elbasan
Megjithëse ende nuk ka nisur zyrtarisht fushata elektorale, kjo nuk e pengon aspak Kryeministrin Sali Berisha që të përurojë shiritat e rrugëve dhe objekteve të investuara prej qeverisë së tij. Pas takimeve dhe shiritave të prerë anembanë vendit, Kryeministri, dje ka qenë në Komunën e Gjinarit, në Elbasan ku inauguroi ujësjellësin e ndërtuar në Bukanik-Gjinar me vlerë 8.7 milionë lekë dhe godinën e postës me vlerë 3.5 milionë lekë. Berisha tha se granti i dhënë për Komunën Gjinar nga 11 milionë lekë në vit që ka qenë në qeverisjen e mëparshme është bërë 23 milionë lekë. Sakaq, Kryeministri mori pjesë dje edhe në inaugurimin e nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh Elbasanin me Gjinarin, investim ky i buxhetit të shtetit, me vlerë 460 milionë lekë. Kjo rrugë ka një gjatësi 22 kilometra dhe sipas projektit, përfshihet sistemimi, asfaltimi dhe ndriçimi i saj, veçanërisht në segmentet e rrugës që kalojnë nëpër qendrat e banuara të kësaj zone. Në Komunën e Gjinarit, tha Berisha, në 4 vitet e fundit, janë investuar 428 milionë lekë, ndërkohë që në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme në këtë komunë janë investuar vetëm 1 milion lekë. Kreu i qeverisë, garantoi banorët e kësaj zone se pas përfundimit të kësaj rruge, çdo fshat do ta lidhim me aksin kryesor përmes rrugëve të asfaltuara. Dua t‘i garantoj banorët, u shpreh Berisha, se çdo fshat do të ketë ujësjellësin e tij dhe se në 4 vitet që vijnë, çdo familje shqiptare do të ketë ujin brenda shtëpisë së tij. "Ne jemi të vendosur për urbanizimin e plotë të fshatit shqiptar, jemi të vendosur të ndërtojmë rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla moderne, shërbime sociale, në mënyrë që ju dhe fëmijët tuaj të keni kushte të qytetëruara jetese në vendin ku ju jetoni", premtoi Kryeministri. Më pas, ai u ndal te puna e bërë deri më tani nga qeveria e tij duke theksuar se, realizimi i reformave kryesore ka qenë lajtmotivi i qeverisë. "Reforma të cilat e afruan Shqipërinë sipas tij më afër me BE-në dhe kjo është parë nga ratifikimi në një kohë rekord i MSA dhe anëtarësimi i Shqipërisë brenda një viti me të drejta të plota në NATO", vijoi ai. Ne, tha Berisha "brenda katër viteve dyfishuam pensionet, dyfishuam rrogat e arsimtarëve dhe të infermierëve, dyfishuam ndihmën ekonomie dhe kemi bërë investime të shumta në zonat rurale dhe do të investojmë dy herë më shumë në 4 vitet që vijnë". Sipas Kryeministrit është normale që të mendojmë se çfarë kemi arritur gjatë këtij mandati. "Tani ne ndërtojmë të ardhmen që meritojmë, zhvillohemi shpejt, por nga ana tjetër, anëtarësimi në NATO do të thotë një besim shumë më i madh te Gjinari, tek Elbasani, te Shqipëria. Ne kemi nevojë për besim, sepse është ky besim që do të sjellë investitorë nga e gjithë bota për të investuar në Gjinar, në Elbasan e në gjithë Shqipërinë", theksoi kreu i qeverisë.