E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, Ramës: Dorëhiqu nga kryetar bashkie!

Partia Demokratike reagoi pas deklaratës së bërë një ditë më parë nga bashkia për ngritjen e komisionit hetimor ndaj kryebashkiakut Rama. Gjatë një deklarate për shtyp, zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, e cilësoi Edi Ramën "si frikacak dhe të tmerruar nga vepra e tij e shëmtuar, nga akti megakorruptiv i marrjes së 19 lejeve të ndërtimit për vete nga 28 që ishin gjithsej në KRT-n e fundit, Edi Rama, u kërkoi mbështetje dje të vartësve të tij në bashki". Zëdhënësja e PD-së në deklaratën e saj tha se "Rama detyroi të dalë zyrën juridike të bashkisë së tij dhe të sugjerojë që për të shpëtuar nga akti i shëmtuar që kreu t‘i drejtohet Gjykatës Kushtetuese". Partia Demokratike i bëri apel Ramës nëpërmjet zëdhënëses "se ky është një akt i dëshpëruar me të cilin ai kërkon të fshihet jo prapa fustaneve të vartësve të tij, por prapa gishtit të vet". Partia Demokratike deklaroi se kryebashkiaku nuk duhet të ketë frike, pasi "hetimi do të jetë tërësisht transparent dhe alternativë e vetme ty të mbetet t‘u kërkosh falje qytetarëve të Tiranës për shndërrimin e bashkisë në pronë familjare dhe të japësh dorëheqjen si kryetar i kësaj bashkie". Një ditë më parë, drejtoresha juridike e bashkisë, Migena Vishko, nëpërmjet një komunikimi me mediat deklaroi se i ka propozuar kryetarit të bashkisë, Edi Rama, që t‘i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur antikushtetuese këtë komision hetimor. "Si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe njëkohësisht për të marrë masën e pezullimit të zbatimit të tij deri në shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese", tha Vishko, duke cituar Ligjin 8891 nenet 4 dhe 6 për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore në Kuvend. Juristja e bashkisë deklaroi se "komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Zyrtarja e bashkisë theksoi se në muajin e fundit të Kuvendit nuk mund të ngrihet një komision hetimor siç ka bërë mazhoranca, pasi një veprim i tillë shkel ligjet".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›