E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri prezanton nismën e re të qeverisë "Shqipëria, një euro", gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave

Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha prezantoi nismën e re të qeverisë "Shqipëria, 1 euro". Nismë, e cila synon shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet.

Në fjalën e tij, Kryeministri ndër të tjera theksoi:

"Sot, shpallim nismën e re të qeverisë, të cilën do ta quajmë "Shqipëria 1 euro". Në programin tonë elektoral ne kemi përcaktuar si objektivin më madhor Shqipëria vendi më tërheqës për investitorët e huaj. Objektiv ky vendimtar për zhvillimin e Shqipërisë.

Të pretendosh dhe të përpiqesh për të shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës për investitorët është një nismë shumë e vështirë, por dhe e mundshme. Në rrethana të tilla, ne mund ta realizojmë atë vetëm duke menduar të pamendueshmen dhe duke imagjinuar të paimagjinueshmen. Ky është kushti. Duhen tejkaluar praktikat e të tjerëve, përndryshe përse do jemi vendi më tërheqës?

Disa kushte janë themelore, por po kaq themelore janë dhe rrethanat që diktojnë këtë nismë. Shqipëria do të bëhet më tërheqëse vetëm atëherë kur të jetë më e lira dhe më e mira. Nuk duhet të jemi iluzivë. Asnjë komb dhe vend nuk i ka më jetike investimet se kombi shqiptar dhe Shqipëria. Në rast se vështrojmë historinë kombëtare, në shekujt e historisë moderne, shqiptarët rezultojnë se kanë vuajtur, janë sëmurë, kanë vdekur dhe janë larguar nga Shqipëria shumë më tepër nga skamja dhe mjerimi se nga luftrat dhe pushtimet. Armiku më i egër i qenies dhe i identitetit të tyre ka qenë mjerimi, varfëria.

Sot, sirenat e tij bien në mbarë vendin. Kombi shqiptar përjetoi më gjatë dhe më shumë se çdo komb tjetër kalvarin e varfërisë dhe të mjerimit. Përpjekjet e bëra pas pavarësisë për të ndërtuar sistemin e bazuar në vlerat e inisiativës së lirë u ndërprenë nga diktatura më çnjerëzore, më totalitare që Evropa ka njohur në historinë e pasluftës. Kjo diktaturë shndërroi mbi 80 për qind të qytetarëve shqiptarë në uzina e fabrika, në kooperativat bujqësore e ferma, në skllevërit dhe mëditësit më të mjerë të historisë moderne të Evropës dhe të botës. Kjo diktaturë ndërtoi tre herë më shumë bunkerë se apartamente banimi me të njëjtën kosto. Kjo diktaturë ndërtoi me qindra kilometra tunele dhe asnjë kilometër autostradë.

Pas saj, u bënë katër vite përpjekje të mëdha në sistemin e vlerave, por rebelimi i '97-s i ndërpreu ato. Ky rebelim zëvendësoi sistemin e vlerave me sistemin kleptokratik. Shqiptarët u gjendën sërish kombi më i mjerë, të cilit, nga qeveritarët dhe zyrtarët, i vidheshin çdo vit miliarda, pasuri publike, taksa, tatime dhe prokurime, që shndërroheshin në pasuri të zyrtarëve dhe qeveritarëve.

Në rast se ju shihni raportin i fundit i Bankës Botërore për vitet 2002-2005, ai fakton se ata janë në krye për "kapjen e shtetit", janë në krye për korrupsion në dogana dhe sistem gjyqësor. Në rast se iu referohemi shifrave të fundit mbi kleptokracinë që jep Departamenti i Shtetit dhe Banka Botërore për vitin 2004, Shqipëria ka gjobën më të lartë se çdo vend afrikan dhe më të lartin në botë për frymë. Ndaj dhe të gjitha këto bënë që vendi të përmbyset në honet e mjerimit

Këto janë imperativ absolut i një përpjekje të gjithëanshme që do të bëjmë për ta shndërruar Shqipërinë në më të mirën dhe më të lirën. Vetëm në këtë mënyrë sloganin "Shqipëria vendi më tërheqës për investimet e huaja" do të mund të shndërrojmë në realitet. Kjo është sfida jonë absolute. Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të realizojmë për këtë vend kaq të varfër standartet e BE- së, projektit ëndërr të këtij shekulli për shqiptarët. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbajmë energjinë e kombit brenda për të ndërtuar vendin dhe jo të ndërtojmë rrugët, fermat apo sipërmarrjet e të tjerëve.

Deri në datën 10 shtator të gjithë ministrat do të shqyrtojnë gjithçka ne veprimtarinë e tyre, nën dritën e nismës "Shqipëria, një euro". Natyrisht bëhet fjalë për pronën publike, pasi për pronën private do të ndiqen vetëm rregullat e tregut dhe asnjë rregull tjetër. Në varësi nga numri i të punësuarve dhe prodhimi, Ministria e Ekonomisë ka marrë detyrën për të përcakruar kriteteret e adoptimit të nismës "Shqipëriua një euro".

Do të sillen të gjitha propozimet në mënyrë që pas lëvizjes së madhe fiskale dhe revolucionit fiskal që ka nisur me sukses të admirueshëm, ne të vazhdojmë përpjekjen tonë për të shndërruar Shqipërinë në më të mirën dhe më të lirën për investitorët e huaj dhe ata vendas. Do t'u ofrojmë tokën me një euro, do t'u ofrojmë kualifikimin e punëtorëve me një euro, do t'u ofrojmë ujë teknologjik me një euro, do tu ofrohet regjistrimi i biznesit me një euro, do t'u ofrohet hyrja në Shqipëri me një euro.

Edhe njëherë e theksoj se ky standart ka një kërkesë, të mendojmë të pamendueshmen, të imagjinojmë të paimagjinueshmen. Ju garantoj se përfituresit kryesore do të jenë shqiptarët. Me masat paraprake që do të ndërrmerren kam kënaqësinë t'ju informoj se ka një interes të madh në rritje për investime, të cilat janë në konkretizim e sipër. Ky interes i madh do të vijë gjithnjë duke u rritur me kusht që ne të zbatojmë ligjin.Çdo ditë e më tepër, investitorët shprehen të kënaqur se nuk iu kërkohen më ryshfete.
Ky interes në rritje do të shoqërohet me paketën "Shqipëria një euro". Gjithashtu ky interesim do të shoqërohet me një orierntim total të diplomacisë shqiptare drejt tërheqjes së investimeve.Do të sillen në Shqipëri dhe do të trainohen mjaft ekipe të specializuara për njohuritë në këtë fushë. Sfida është e madhe, por sa ç'ështe e tillë eshtë dhe tërheqëse. Unë kam shumë besim se ne do ta përbushim atë. Ne do të qëndrojmë në këtë sfidë dhe në këtë mënyrë do ti bëjmë një shërbim shumë të madh vendit. Në këtë mënyrë do ti mundësojmë Shqipërisë dhe shqiptarëve të shkëputen nga armiku i tyre më i egër në Shqipërinë moderne, skamja dhe varfëria.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›