Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të dy kompanive italiane, të cilët i kanë prezantuar disa projekte në fushën energjitike
Gjetja e zgjidhjeve afatshkurtër e afatmesëm për problemet energjitike në vend, ka qenë edhe sot kryefjala e takimeve që kryeministri Berisha ka kryer në zyrën e tij në Këshillin e Ministrave.
Përfaqësues të kompanisë italo-shqiptare Hydro Power Nord Albania i kanë prezantuar kryeministrit Berisha ndërtimin e 5 hidrocentraleve mbi lumenjtë Curraj –Nikaj në zonën Lekbibaj. Këto 5 hidrocentrale, 3 prej të cilave duhet të fillojnë punën 10 ose 11 muaj pas përfundimit të procedurave ligjore, do të kenë një prodhim prej 63 MW.
Ndërsa përfaqësuesit e kompanisë italiane Grandi Impianti Technology, krahas projektit të termocentralit për djegien e mbeturinave urbane të Tiranës, sipas strandardeve evropiane, kanë propozuar si shtesë të këtij projekti dhe vendosjen e disa motorëve dizel, që ushqehen me naftë grexo ose me rreze diellore e që mund të vihen brenda 7- 8 mujave në punë, për prodhimin e shpejtë të energjisë elektrike deri në 30 MW.