Pollo: Dialogu ndërfetar, pikë kyçe për rajonin
Mbahet në Tiranë Forumi për Dialogun Ndërfetar në Evropën Juglindore. Në forum morën pjesë ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, zëvendëskryeministri Genc Pollo dhe ambasadorët e akredituar në Tiranë. Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Genc Pollo u shpreh se ky forum ka rëndësi të madhe për ruajtjen e dialogut ndërfetar. Ministri Lulzim Basha dhe zëvendëskryeministri Genc Pollo theksuan se në Shqipëri mbizotëron bashkëjetesa fetare. Numri dy i qeverisë propozoi gjithashtu që forumi për dialogun ndërfetar të organizohet çdo dy vjet në Tiranë. Dialogu ndërfetar është një nga pikat kyçe për konsolidimin e marrëdhënieve mes popujve të rajonit. Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Pollo theksoi se bashkëjetesa fetare duhet të mbizotërojë në të gjithë rajonin. "Ne jemi dëshmitarë të ditëve të errëta që ka përjetuar rajoni, kur urrejtja për çmimin, dallimin dhe diferencat artificialisht të ekzagjeruara janë veshur me politikë, apo janë fshehur në petkun fetar. Fatmirësisht, ato kohë janë të kaluara, por në mënyrë që vetëm të mos përsëriten, por të jenë të pamundura, ne kemi nevojën të njihemi më mirë, të dialogojmë dhe të bashkëpunojmë", vijoi Pollo. Qeveria shqiptare ka kërkuar që të miratohet edhe deklarata e Tiranës, që do të shërbejë si një platformë për bashkëjetesën fetare në rajon. Ndërkohë që ky forum, sipas qeverisë shqiptare, duhet të organizohet në mënyrë periodike, çdo dy vjet.