Kryeministri vlerëson se institucionet e zgjedhjeve, funksionuan me përgjegjësi dhe në përputhje me ligjin

“Opozita të dalë nga sindroma e hidhërimit dhe i trishtimit, të bashkëpunojë për të mirën e vendit”
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve dhe vendimin e këtij institucioni për mandatet e mbetura. Kreu i qeverisë u shpreh se këto zgjedhje sollën edhe një tjetër risi, pasi për herë të parë në historinë e vendit, fitimtari nuk shpall fitoren, por pret rezultatin, ndonëse ato folën qartë që ditën e parë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një akt të përgjegjësisë më të lartë, me një akt unik, votoi 7 me 0 edhe mandatet që kishin mbetur pa u votuar, mandate të cilat ishin për shqyrtim. Në këtë kontekst dua të theksoj se votimi 7 me 0 i të gjitha mandateve në të gjitha qarqet është një dëshmi e shkëlqyer e funksionimit të këtij institucioni në përputhje me ligjin elektoral dhe me përgjegjësinë e tij përpara këtij ligji”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë u shprehu mirënjohjen e thellë të gjithë qytetarëve shqiptarë, anëtarëve dhe aktivistëve të Partisë Demokratike, si dhe të forcave të tjera politike të koalicionit “Aleanca për ndryshimin”, të cilët bënë të mundur këtë fitore.
Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës, e cila edhe pse humbi zgjedhjet, të dalë nga sindroma e hidhërimit dhe trishtimit.
“Edhe një herë dua të theksoj se në këto zgjedhje nuk ka të humbur dhe këtë nuk e them për retorikë, por e them me bindjen më të thellë se projekti për Shqipërinë evropiane është projekti më i mirë për çdo shqiptar. Ndaj, e ftoj opozitën që të dalë nga sindroma e hidhërimit dhe i trishtimit që krijon humbja, që është e natyrshme, sepse askush nuk mund të thotë se e pret humbjen me buzëqeshje, por të dalë nga kjo sindromë dhe të vendosë urat e bashkëpunimit në interesin më të mirë të pluralizmit politik dhe në interesin më të mirë të vendit”, shtoi kryeministri.
Për sa u takon katër viteve të ardhshme qeverisëse, kryeministri i cilësoi ato të një rëndësie historike për Shqipërinë.
“Janë vite në të cilat ne do të bëjmë që Shqipëria të mbetet vend lider për investimet e huaja në rajon. Gjatë këtyre viteve Shqipëria do të ketë një infrastrukturë tërësisht të re. Një aks rrugor, një korridor kemi ndërtuar dhe sot çdo shqiptar e ndjen, e prek dhe e sheh se çfarë ndryshimi të madh ka sjellë. Në katër vite do të jenë të ndërtuara të gjitha akset e tjera të shkurtra rrugore dhe do ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturën më të mirë. Në katër vite do të zgjidhim në mënyrë përfundimtare probleme të mëdha të zonave rurale dhe të zonave të varfra të vendit, siç zgjidhëm problemin e furnizimit me ujë. Gjeneratori i punësimit do të punësojë mbi 160 mijë qytetarë shqiptarë”, garantoi Berisha.
Zoti Kryeministër, në bazë të deklaratës së Presidencës suedeze pritet që kërkesa e Shqipërisë të shqyrtohet gjatë vjeshtës. Po sa negativisht mund të ndikojë një mosnjohje e zgjedhjeve nga PS-ja gjatë shqyrtimit të kësaj kërkese, duke pasur parasysh se nesër do të shqyrtohet në Asamblenë e PS-së një rezolutë e tillë, e cila mbështetet nga kryetari i saj Edi Rama?
Mendoj se qëndrimet ekstremiste ndikojnë negativisht në klimën e vendit, por, nga ana tjetër, në mënyrë më absolute efektin total negativ e kanë tek ata që i mbajnë, sepse fatmirësisht këto zgjedhje janë të vlerësuara nga një prezencë shumë e madhe ndërkombëtare. Këto mandate, për herë të parë, janë të votuara nga 7 komisionerë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ankimet u shqyrtuan nga kolegji Zgjedhor, i cili në pavarësi të plotë refuzoi rinumërimet. Siç ju kemi bërë me dije sot, PS-ja kishte marrë filmin e Beratin dhe ju garantoj se nuk ka gjetur qoftë edhe një rast të vetëm gabimi apo keq numërimi. Kjo është arsyeja që u spostua nga Berati dhe kaloi tek Tirana, Shkodra etj.. Kjo është arsyeja që nuk u kërkoi gjykatësve të administronin filmin si provë, që ishte gjëja më e natyrshme. Më datën 8 dhe 10 korrik kanë marrë të gjithë videon e numërimit të Beratit. Mund të shkoni ta merrni edhe ju. Jua sugjeroj dhe uluni, zgjidhni radhë, po të doni rëndom dhe numëroni. Do të shini se është numëruar në mënyrë të përsosur, pa asnjë hile. Kur e panë se nuk kishte gjë, për të krijuar ‘mjegull’ kërkuan edhe Shkodrën me Tiranën. Nuk mund të bëhen hile para kamerave, me një material që filmohet, me shumë dëshmitarë që e ndjekin në ekran. Mund të them se ky standard shqiptar shënoi një novitet të shkëlqyer në transparencën e numërimit. Unë nuk gjej ndonjë arsye që zoti Rama t’i prijë drejtimit të mos njohjes së rezultatit të zgjedhjeve. Ky do të ishte një veprim shumë kundërproduktiv, sepse për zgjedhjet ka një certifikim.
Në fakt zoti Rama ose PS-ja nëpërmjet një rezolute nuk do të njohë legjitimitetin e qeverisë dhe do të kërkojë zgjedhje të parakohshme, duke kërkuar njëkohësisht dhe hetimin e zgjedhjeve në parlament. Çfarë do të thotë kjo për ju, kur kërkoni urë bashkëpunimi me opozitën? A mendoni se në të tilla kushte do të keni hapësira për bashkëpunim në një mazhorancë 74 me 66 në parlament?
Mendoj se është në sovranitetin e çdo force politike të marrë vendime që i gjykon më të dobishme. Por, duke lënë modestinë mënjanë, absolutisht do ta mundja çdo vit, po të më lejonte Kushtetuta. I kam dalë borxhit. Në proces të lirë e të ndershëm, harroje se mund të fitosh, i kam thënë dhe, kjo është e thjeshtë, sepse shqiptarët më votojnë mua. Më thoni një rast kur shqiptarët kanë votuar të lirë dhe nuk kanë votuar Sali Berishën. Ka një arkiv dhe zoti Rama më mirë të studionte arkivin elektorale. Po të kërkojë zgjedhje të parakohshme bën gabimin më të rëndë, sepse po të më lejonte Kushtetuta ripërsërisja 2007, 2009, sa herë të dilnim në garë. Zgjedhjet nuk ia dorëzoj kujt, po nuk i fitoi zgjedhjet nuk falen, nuk është e moralshme. Zgjedhjet e parakohshme, po të më lejonte Kushtetuta, që nesër i shpallja, dhe merrte një rezultat shumë më të thellë. Teknika e fitores është e lidhur me liritë, raportet me të cilën Rama i ka të vështira. Nuk fiton dot zgjedhje ai. Këto raporte i ka me trysni dhe tensione.
A mendoni se do të ketë një vlerësim pozitiv nga ana e BE-së për kërkesën e Shqipërisë?
Jam plotësisht optimist. Sot ju e keni lexuar deklaratën, në të cilën citohej si problem mospërfundimi i zgjedhjeve. Unë e quaj këtë normale. Sot doli se ka një nen në Kodin Zgjedhor që thotë se edhe pasi del rezultati përfundimtar, edhe pse i votuar nga 7 anëtarë, mund të ketë kundërshti për formulën e përllogaritjes. Ligji është ligj dhe duhet të zbatohet. Kështu që shpallja e rezultatit shtyhet më datën 1 apo 2 gusht. Duhet të kemi durim. Ky ka qenë një nga proceset më transparentë, që ka evoluar me rezultate paraprake, përfundimtare, me një grup OJQ-sh që bënë përllogaritjet e vazhdueshme dhe dhanë të dhënat. Durim duhet ët kemi, se aq e ka përcaktuar ligjvënësi. Unë jam plotësisht optimist dhe do të punoj shumë që të ecet me vendosmëri drejt objektivave të caktuara.
A do të bashkëpunoni me zotin Rama, në rast se zgjidhet përsëri, në një kohë kur ka deklaruar se nuk do ta njohë qeverinë e re? Së dyti, sa i ka dëmtuar procesin e integrimit të vendit në BE dhe procesin e liberalizimit të vizave, qëndrimi më i fundit i PS-së për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve?
Unë mendoj se këto janë deklarata të sindromës së dëshpërimit dhe të pikëllimit. Janë deklarata të pabaza. Zoti Rama në mënyrë të përditshme sulmoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për mendimin tim nuk veproi drejt, sepse Komisionin Qendror e kemi zgjedhur në mënyrë konsensuale. Edhe unë mund të kisha vërejtje për anëtarë të Komisionit, por nuk sulmova, sepse i kam votuar ata. KQZ-në e kemi konsensual. U sulmua në mënyrën më të pamoralshme kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në një kohë kur është zgjedhur prej tyre ndërmjet tre kandidaturave. E vërteta është se kanë pasur tre opsione dhe vetë e kanë zgjedhur dhe mua nuk më lindi dyshimi pse e zgjodhën zotin Ristani. Shumë mire që përcaktuan atë. Rama u përpoq të politizonte një institucion që dëshmoi një integritet shumë të lartë dhe këtë e faktoi kolegji gjykues elektoral, i cili refuzoi të gjitha kërkesat për rinumërim. Absolutisht jo se përtoi të merrte vendimin për numërim, por sepse ekzistonte zero bazë ligjore për numërim. Në qoftë se nuk ka bazë ligjore përse do të numëronte. Pa bazë ligjore pastaj do të numërosh dhe rinumërosh dhe nuk del dot nga procesi zgjedhor. Unë shpresoj që zoti Rama, çka unë e kuptoj që për një periudhë opozita është më e sertë, më idhnake dhe agresive, të gjykojë që ky ishte një proces i panjohur për vendin gjer më sot. Çdo shqiptar është dëshmitar i kësaj. Ka pasur gjithsej 30 ankesa, nga të cilat 17 nga partitë e koalicionit dhe më pak nga opozita, vetëm 13. Ndaj unë shpresoj që zoti Rama ta rivlerësojë dhe ta rishqyrtojë qëndrimin e tij në interesin më të mirë të forcës politike që ai përfaqëson.
Zoti Kryeministër,inaugurimet e reja që po bëni në infrastrukturën e vendit mbështeten në buxhet, ndërkohë që ende qeveria e re nuk i ka miratuar?
Unë ju garantoj se që të gjitha, pa përjashtim, kanë mbështetje të fuqishme buxhetore. Fondet e investimeve janë të mëdha dhe ne si qeveri do të respektojmë plotësisht nivelin e huamarrjes prej 4.2 për qind të prodhimit të brendshëm. Ne e bëmë, në dallim nga vitet e tjera, më herët ndërprerjen, sepse qeveria e re ndoshta do ta ketë jo shumë të thjeshtë të merret me prokurime. Unë nuk e di cila do të jetë përbërja e qeverisë që të them se çdo ministër sapo të ulet në karrige mund të njihet me problematikën e ministrisë dhe mund të merret me të gjitha. Për këtë arsye po bëjmë edhe buxhetin. E kemi bërë edhe herë tjetër, po bëjmë edhe prokurimet. Kategorikisht jo për mungesë, përkundrazi ne kemi likuiditet më shumë se asnjëherë. Kemi ekonomi optimiste, dinamike, e cila më bën mua të sigurt në të gjitha premtimet e mia. Janë një seri inaugurimesh të tjera. Këto ditë inaugurojmë Golem-Rrogozhinë, Maqellarë-Peshkopi, inaugurojmë tre lote të rrugës së Arbrit, inaugurojmë një lot të ri të rrugës Kardhiq-Delvinë e shumë të tjera… Dy rrugë që përfundojnë në det në zonën e Laçit dhe Milotit, në Kurbin, në Lezhë e kudo. Kemi me dhjetëra inaugurime të reja. Janë për t’u inauguruar rreth 316 shkolla të reja dhe të rindërtuara. Unë bëja mbledhje edhe në kulmin e fushatës, sepse nuk doja ta lëshoja mekanizmin.
...