E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministrit Berisha publikon kabinetin e ri qeveritar që do t’i propozohet për dekretim Presidentit të Republikës

Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha zhvilloi sot pasdite një konferencë për shtyp, ku publikoi emrat e ministrave të kabinetit të ri qeveritar, të cilët do t’i propozohen për dekretim, Presidentit  të Republikës.

“Siç jeni në dijeni, për herë të parë në historinë e këtij vendi,  pas zgjedhjeve të 28 qershorit, që në pesë ditët e para, vendi kishte qeveri. Por që nga ajo periudhë e deri tani, me të drejtë ju prisni dhe qytetarët shqiptarë presin emrat e ministrave të qeverisë së re. Pas konstituimit të parlamentit, zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit, sot i dërguam Presidentit të Republikës propozimin e forcave politike për Kryeministër. Presidenti e dekretoi atë në orët e para të pasdites dhe unë jam sot këtu, para jush, për t’ju njohur me ministrat që do t’i propozohen Presidentit të Republikës nesër.

Zv/Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, zoti Ilir Meta. Ilir Meta është Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, është politikan me një karrierë të gjatë në politikë, nga ditët e para të dhjetorit  ‘90 deri më sot. Në qeveritë e mëparshme të spektrit të majtë ka kryer detyra të rëndësishme, ndër të cilat detyrën e Zv/Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme. 

Ministër i Drejtësisë emërohet zoti Bujar Nishani, një nga politikanët dhe ministrat më efiçentë, një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë gjatë gjithë këtyre  viteve. Unë gjej rastin të shpreh falënderimin tim më të ngrohtë, më miqësor, ndaj zotit Enkelejd Alibeaj, me të cilin do të vazhdoj bashkëpunimin në fushën parlamentare dhe të tjera.

Ministër i Financave emërohet zoti Ridvan Bode. Unë mendoj se të gjithë jemi dakord se financat e këtij vendi kanë pësuar transformimin më të thellë, nën udhëheqjen që zoti Bode i ka bërë kësaj ministrie, katër vitet që shkuan.  Një perspektivë e madhe e reformave në këtë sektor ekziston dhe  bashkë me zotin Bode do të thellohen më tej reformat në fushën fiskale, për ta bërë sistemin fiskal të Shqipërisë  jo vetëm më tërheqësin, por edhe më të mirin se kudo.

Ministër i Brendshëm emërohet zoti Lulëzim Basha. Ministri Basha është faktuar si ministër suksesi, në ministrinë e Punëve të Jashtme, në ministrinë e Punëve Publike. Tani ai merr një nga ministritë e rëndësishme të këtij vendi, në një moment shumë të rëndësishëm për vendin. Së bashku me zotin Meta, ata do të jenë lojtarët ndër më kryesorët në procesin e heqjes së vizave për Shqipërinë. Reforma në policinë e shtetit, në qeverisjen vendore, janë gjithashtu të një rëndësie shumë të madhe.

Ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit emërohet zoti Genc Ruli. Ai ishte një ministër ndër më të suksesshmit, në mandatin 4- vjeçar. Reforma të thella, të realizuara në fushën e ekonomisë  kanë pasur një pasqyrim të madh në klimën e biznesit. Por një dimension të madh të pa precedent mori partneriteti publik – privat, gjatë periudhës kur zoti Ruli udhëhoqi ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë, Energjisë dhe Minierave. Privatizimet e mëdha kanë qenë një nga objektivat e mëdha të kësaj qeverie. Ato sot i përkasin mandatit që shkoi, pra u realizuan.

Dua me të këtë rast të shpreh falënderimin tim më të sinqertë, mirënjohjen ndaj bashkëpunëtorit tim të vjetër Jemin Gjana, me të cilin pres me padurim të vazhdoj bashkëpunimin e ngushtë në fusha të rëndësishme në parlament dhe në fusha të tjera.

Ministër i Mbrojtjes emërohet zoti Arben Imami, një nga themeluesit e PD-së dhe nënkryetar i kësaj partie në vitet e para të jetës së saj. Bashkëpunëtor  ndër më të ngushtët i imi në këto katër vite, mbështetës i palëkundur i të gjitha reformave të ndërmarra dhe të udhëhequra nga Kryeministri i vendit. Dua të falënderoj me përzemërsi dhe mirënjohje zotin Oketa për gjithë lidershipin që dëshmoi në një nga periudhat më të rëndësishme të Forcave tona të Armatosura, reforma të cilat bënë të mundur anëtarësimin e  Shqipërisë në NATO.

Ministër i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës emërohet zoti Dritan Prifti, një nga ekonomistët më të mirë të vendit, por edhe një nga politikanët me integritet të lartë, i graduar në Haward. Kam bindjen se me zotin Prifti do të vazhdojmë reformat e nisura, do të vazhdojmë reformat e thella që kemi nisur me zotin Ruli dhe ekonomia shqiptare do të jetë ndër më të reformuarat.

Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit emërohet zoti  Sokol Olldashi. Me zotin Sokol Olldashi, gjatë këtyre dy viteve, kemi bërë një punë intensive në transformimin e infrastrukturës së këtij vendi . Jam i bindur se gjatë viteve që vijnë ne do të realizojmë qëllimin tonë për një sistem të ri rrugor, një infrastrukturë tërësisht të ndryshuar për këtë vend edhe në rrjetin ujësjellës- kanalizime dhe përpunimin e mbetjeve të ngurta. Pra, Shqipëria do të jetë tjetër.

Ministër i Arsimit dhe Shkencës emërohet zoti Myqerem Tafaj. Ai është njeriu që ka hartuar reformën e sistemit arsimor në Shqipëri dhe që më ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme gjatë këtyre katër viteve në fushën e reformave në arsim. Zoti Tafaj, ka qenë ministër në qeveri në vitet 96-97, është doktoruar dhe ka dhënë mësim në Shtutgard. Është bashkuar me mua sërish më vonë dhe është një nga personalitetet më të shquara që më dha një ndihmesë shumë të madhe në reformën e Akademisë së Shkencave. Unë kam shumë besim se arsimi gjen tek zoti Tafaj, njeriun e pasionuar që do ta reformojë edhe më tej këtë sektor jetik për vendin. Më lejoni t’i shpreh falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë mikut dhe bashkëpunëtorit tim të kahershëm, z. Fatos Beja për përkushtimin që tregoi në drejtimin e kësaj ministrie dhe është  kënaqësi të vazhdoj bashkëpunimin e rëndësishëm me zotin Beja në parlamentin shqiptar.

Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta emërohet një nga bashkëpunëtorët e mi të çmuar, z. Spiro Ksera. Dua të jem i hapur me ju. Kam shumë kënaqësi që minoriteti përfaqësohet në qeverinë time. Unë kam ftuar edhe PBDNJ, e cila për disa probleme nuk iu përgjigj dot ftesës. Por nuk do ta krijoja këtë kabinet pa faktuar se është i përfaqësuar në të edhe minoriteti grek në Shqipëri. Zoti Ksera dha një kontribut real, të ndjeshëm në zgjedhjet e 28 qershorit dhe faktikisht është një parlamentar i mandatuar nga minoriteti. Dua të falënderoj ministrin Gumi, i cili qëndroi vetëm për një kohë të shkurtër në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, por nisi reforma të mëdha. Jam i bindur që zoti Gumi do të vazhdojë të kontribuojë në reforma, si një nga forcat më të rëndësishme në parlament.

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve emërohet  zoti Ferdinand Xhaferri, edhe ky një bashkëpunëtor i hershëm i imi, një nga parlamentarët më aktiv, një organizator i shkëlqyer. Unë jam i bindur se kjo ministri do të drejtohet me kompetencë. Dua t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë zotit Ardian Turku, për kontributin e dhënë dhe pres me padurim të vazhdoj me të bashkëpunimin edhe në fusha të tjera të rëndësishme në parlamentin shqiptar.

Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave emërohet zoti Fatmir Mediu, Kryetar i Partisë Republikane, një politikan me eksperiencë, me formim, gjeolog. Kam bindjen se kjo ministri do të drejtohet me kompetencë dhe përkushtim nga zoti Mediu. Por unë dua të falënderoj me shumë mirënjohje zotin Lufter Xhuveli, me të cilin ne bashkëpunuam ngushtësisht në këto katër vite dhe ia dolëm të ndryshojmë tërësisht gjendjen e mjedisit në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me zotin Xhuveli dhe Partinë Agrare, në interesin më të mirë të dy forcave tona politike dhe të vendit.   

Ministër i Shëndetësisë emërohet zoti Petrit Vasili, drejtues kryesor politik i LSI-së, me një eksperiencë drejtuese në kabinete të mëparshme, njeri i talentuar, i përkushtuar. Dua të garantoj qytetarët shqiptarë se me zotin Vasili ne do të shënojmë ndryshimet më të mëdha dhe më të thella në sistemin tonë shëndetësor. Kjo reformë mbetet përparësi madhore e jona.

Meqenëse trupëzohet posti i Zv/Kryeministrit dhe i Ministrit të Jashtëm, që është shumë normale, do të funksionojë një Ministër Shteti për reformat dhe marrëdhëniet me parlamentin dhe ky është zoti Genc Pollo. Zoti Pollo, gjatë këtyre viteve si Zv/Kryeministër, ka qenë një forcë shumë e madhe e reformave në vend, në fusha të ndryshme. Z. Pollo do të vazhdojë këto reforma sikundër do të mbajë lidhjet e qeverisë me Parlamentin.

Ministre e Integrimit emërohet zonja Majlinda Bregu, e cila është një avokate e suksesshme e arritjeve të këtij vendi dhe një Koordinatore e zonja, e guximshme, e problemeve që kanë të bëjnë me integrimin.

Ky është kabineti, propozimet që unë nesër do t’i dërgoj Presidentit të Republikës. Dua të theksoj se jam përpjekur të bëj përzgjedhjen më të mirë. Por kur e ke të vështirë, ashtu siç e kisha unë, për shkak të personaliteteve të shumta që kanë hyrë këtë vit në parlament, nuk mund të them se kam arritur të përsosurën. Por jam i bindur se kjo qeveri e integrimit evropian, do të japë kontributin e saj për një Shqipëri evropiane, në përputhje me zotimin tonë. Këto ishin komentet e mia.”

Më pas,  Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të medias:

Pyetje: Zoti Kryeministër, shihet një përfaqësim i dobët i grave në qeverinë tuaj, keni vetëm një zonjë. Ç'mund të na thoni për këtë?

Kryeministri Berisha: Ky është vetëm një fillim dhe le ta marrim si një fillim. Vërejtja juaj qëndron.

Pyetje: Zoti Berisha, është publikuar sot një letër e disa analistëve që ka të bëjë me zotin Mediu, propozimi i PR-së për Ministër Mjedisi në kabinetin tuaj. Si e keni pritur këtë vërejtje të analistëve për përfshirjen e Mediut në kabinet, kur ende është një proces i hapur për të. A ka qenë kjo çështje, temë bisede mes jush dhe zotit Mediu?  

Kryeministri Berisha: Unë kam një  marrëveshje me Partinë Republikane që do të  bënim fushatën bashkë si aleatë dhe do të qeverisnim pas zgjedhjeve. Kjo është marrëveshja që kanë dy forcat politike. Së dyti, jam shprehur publikisht se unë nuk do të diktoj, por do të respektoj vendimet e forumeve të Partisë Republikane. Unë për zonjën Godo kam pasur dhe kam respektin më të palëkundur. Dua ta falënderoj shumë për punën e madhe që ajo ka bërë. E vetmja gjë që s’mund të bëja unë, ishte që t’i diktoja PR-së emrin e personit që do të sillte si propozim në qeveri.

Lidhur me zotin Mediu; ka pasur një akuzë, siç ju jeni në dijeni, fillimisht për korrupsion, nuk thuhej për korrupsion, por thuhej se ka spostuar dhe anashkaluar ushtarakët. Kjo akuzë, në finalizim, ra. Ka një akuzë për shpërdorim detyre. Së pari, unë ju garantoj se kjo qeveri dhe kjo mazhorancë do të zbatojë çdo vendim të drejtësisë. Së dyti, dua të jem shumë i qartë se për qeverinë time dhe mazhorancën time, imuniteti nuk ekziston. E kemi faktuar këtë gjë mandatin e kaluar, por ky standard është i gjithëfuqishëm edhe gjatë këtij mandati. Mendoj se paragjykimi nuk i shërben askujt. Ky është mendimi im. Një akuzë e madhe  ra vet nga ata që e nisën. Mazhoranca ime është e hapur dhe, jo vetëm në rastin e zotit Mediu, por në çdo rast, nuk ka dhe nuk do të ketë as pengesën më të vogël, Institucioni i akuzës apo sistemi gjyqësor, për të trajtuar problematikat që lidhen me zyrtarët e kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance.

Pyetje: Kur e keni vendosur përbërjen e kësaj qeverie që na e publikuat sot?

Kryeministri Berisha: Kjo është një qeveri si rezultat i konsultimeve të gjata, dymujore. Madje mund t’ju them, meqenëse keni kureshtje, edhe deri para pak minuta para se të vija këtu në konferencë. Unë jam konsultuar me bashkëpunëtorët e mi, jam konsultuar me aleatët e mi, jam konsultuar gjerësisht. Natyrisht, nuk mund të them se jam konsultuar me ata që janë në konflikt interesi me konsultimin, sepse kjo besoj se nuk është etike, sepse e prish konsultimin. Por nuk kam marrë kurrë mendime më të gjera se kësaj radhe, për ndërtimin e një kabineti qeveritar.  

Pyetje: Ju thatë se nuk mund ta keni arritur përsosmërinë në ndërtimin e këtij kabineti, a i referoheni ndonjë pakënaqësie të mundshme të krijuar për shkak të lëvizjes së disa emrave, largimit të disa të tjerëve? Kam parasysh edhe deklarimet tuaja të herë pas hershme që kërkonit mirëkuptimin e kabinetit.

Kryeministri Berisha: Po të mos isha i rrymës së qeverisë së vogël, unë kam 40-50 deputetë që mund t’i emëroja ministra. Rrethanat kanë bërë këtë gjë. Unë nuk mund të vë në diskutim për asgjë suksesin e zotit Gjana, apo të zotit Alibeaj, të zotit Oketa, zotit Turku, zonjës Godo. Jo, s’mund ta vë në diskutim. Por, përderisa është fakt që kemi gjithsej 15  dhe bashkë me mua , 16 poste, nuk e kam parë të arsyeshme që unë të lëviz nga ky kuadër, sepse mbetem njeri i qeverisë së vogël. Pra, ka prevaluar parimi mbi vlerësimet e shkëlqyera për individët.

Pyetje: Pyetja ka lidhje me PBDNJ. Ju thatë pak më parë se për disa probleme kjo parti nuk është përfshirë në qeveri. Kjo do të thotë që ndoshta në një kohë të ardhshme do ta kemi PBDNJ-në në qeveri, apo do mjaftoheni me përfaqësimin e minoritetit?

Kryeministri Berisha:  Zoti Ksera është përfaqësues i Partisë Demokratike dhe nuk është vendosur ministër si përfaqësues i PBDNJ-së. Jo, por unë e them që nuk do të krijoja kabinet pa pasur edhe minoritetin të përfaqësuar, të përfaqësuar nga PD. Unë e kuptoj që përfaqësim më i gjerë është PBDNJ. Por ama, tashmë ka një përfaqësues të tyre, një përfaqësues me të cilin, gjatë këtyre katër viteve, kemi bërë investimet më të mëdha se në çdo periudhë tjetër në zonën e minoritetit, pse ai ka qenë një avokat i shkëlqyer i tyre, i fshatrave minoritare, për ujësjellësit, rrugët, shkollat, për gjithçka. Në këtë kontekst, ai tani merr një detyrë tjetër, por sërish do të punojmë së bashku dhe më vjen mirë që do të punojmë së bashku dhe është anëtar kabineti. Ai është një djalë shumë i zoti, i talentuar, me aftësi të mëdha organizative.

Pyetje: Përse nuk e keni ftuar Partinë për Drejtësi dhe Integrim, të komunitetit çam në qeverisje?

Kryeministri Berisha: Në qeverisje do të jetë PDI. Problemi është i thjeshtë. Asnjë sekret. Koalicioni ka një numër votash. Kush të dojë, të pjesëtojë postet. Jemi shprehur për proporcionalitet dhe është bërë një ndarje shumë e ndershme. Por të  jeni të sigurt që Partia për Drejtësi dhe Integrim do të përfaqësohet qartësisht në qeverisje. Besoj se jeni dakord që nuk janë vetëm ministrat. Ka shumë poste dhe funksione të tjera. Ashtu siç ju deklarova edhe në mbledhjen e grupit tonë parlamentar, unë ju garantoj se secili nga aleatët që ishte në koalicion me forcën time politike, do të marrë qartësisht më tepër sesa proporcioni. Nuk mund të them ekstremisht më tepër, sepse ajo pastaj prish balancat.

Pyetje: Zoti Kryeministër, së pari, më lejoni t’ju shpreh vlerësimet për përfundimin e punës për t'í dhënë vendit qeverinë e re. Së dyti, ju deklaruat më herët që i keni besuar zotit Ilir Meta dhe zotit Lulëzim Basha, dy prej ministrive që janë kryesorë në objektivin që ka qeveria ; heqjen e vizave për shqiptarët. A keni ju ndonjë afat konkret se kur do të jetë heqja e vizave dhe mbi cilat kritere e keni bazuar përzgjedhjen e këtyre dy ministrave?     

Kryeministri Berisha; Lidhur me këta dy bashkëpunëtorë, unë kam besim se zoti Meta, i cili ka nj eksperiencë të gjatë në marrëdhëniet ndërkombëtare - ai e ka drejtuar edhe më parë atë dikaster - ka edhe të gjithë peshën e Zv/Kryeministrit, do të jetë një promotor i fuqishëm  në procesin e integrimit të vendit. Sepse duhet të jemi realistë, që politika e jashtme e Shqipërisë ka dhe do të ketë si objektiv më madhor integrimin e Shqipërisë. Në qoftë se nuk ka ekzistuar, në mënyrë absolute, asnjë ujdi në të shkuarën, midis Sali Berishës dhe Ilir Metës, midis LSI dhe PD-së, këtë nuk e them dot 100 për qind mes Ilir Metës dhe Lulëzim Bashës. Pra, kimizmi i tyre është shumë premtues, që ata këtë proces të rëndësishëm  për çdo shqiptar, ta nxjerrin në krye me sukses, sepse e vërteta është se 3 janë dikasteret më direkte në këtë drejtim. Janë ministria e Jashtme, ministria e Brendshme dhe ministria e Drejtësisë. Pyetësori , 85 për qind të pyetjeve i ka për këto dikastere. Kështu që, këto ministri do të kenë mbështetjen e plotë të Kryeministrit në këtë objektiv madhor. Unë jam shumë optimist. Ju me të drejtë pyesni, se kur do të ndodhë heqja e vizave. Unë kam deklaruar gjatë fushatës elektorale, se vendimi për heqjen e plotë të vizave do të merret gjatë vitit të parë të mandatit tonë të dytë. Ky është premtimi që unë kam bërë në mënyrë të përsëritur. Unë do të bëj çdo gjë që këtë premtim ta mbaj dhe ta shndërroj në realitet.

Pyetje: Kur do të votohet qeveria në parlament dhe kush është reforma e parë me të cilën do të nisë punën qeveria e re?

 Kryeministri Berisha: Nuk mund të përcaktoj datën, sepse Presidenti i Republikës ka kohën e tij për dekretimin. Por, pas dekretimit, Kryeministri, brenda 10 ditëve – dhe unë do të përpiqem që të jetë sa më e shkurtër kjo kohë -, duhet të paraqesë qeverinë dhe programin në parlament.

Për sa i përket pyetjes për reformën e parë të qeverisë. Dy janë drejtimet e para që do përpiqemi të lëvizin me shpejtësi; lufta kundër korrupsionit dhe shëndetësia. Ne kemi bërë gati ligjin i cili i jep fund një trashëgimie abuzive publike me veturat. Me këtë ligj ne vendosim njërin prej standardeve më të mira në Evropë. Ligji, jo vetëm kursen së paku 30 milionë dollarë, por vendos një normë morale jashtëzakonisht të rëndësishme tani e tutje. Zyrtarët do të kenë një bonus të plotë dhe të ndershëm për transportin,  por nuk do të kenë vetura personale. Vetura zyrtare do të kenë vetëm drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Ky është standardi që vendosim ne. Sot është një gjendje absolutisht jashtë çdo standardi. Të dhënat që unë kam dhënë para disa javësh në Këshillin e Ministrave janë të pjesshme, por të dhënat e plota tregojnë edhe më tepër. Kursimi do të jetë së paku 30 milionë dollarë. Do të vendosim një kuotë. Nuk ka ndërmend ky shtet, në mënyrë absolute, që t’i vështirësojë askujt udhëtimin, transportin, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, por kjo do të bëhet mbi një kod etik krejtësisht tjetër nga ai i trashëguari.

Reforma kundër korrupsioni është e lidhur shumë me luftën kundër informalitetit. Liria e tregut nuk ka armik më të egër se informaliteti. Do të kalohet në bilance on-line, do të kalohet në vlerësime të bilanceve. Ne kemi vendosur sistemin fiskal më të ulët dhe kemi bërë shumë mirë. Ju e patë dje se sa e rëndë ishte, kur në një nga mediat pamë biznesmenët e vegjël të Korçës në protestë. Ishte shumë e rëndë. Unë u kërkoj autoriteteve lokale ta marrin atë protestë me seriozitetin më të madh. Ata biznesmenë kërkonin luftë kundër informalitetit. Ndaj dhe lufta kundër informalitetit do të jetë një drejtim kryesor.

Drejtim tjetër themelor do të jetë shëndetësia. Me zotin Petrit Vasili do të bashkëpunojmë ngushtë për të shtyrë para reformën në shëndetësi, si një nga reformat më kryesore, më jetike për shoqërinë shqiptare. Siç e dini, unë mbetem gjithmonë për përballjen shumëplanëshe, sepse kështu e kërkojnë reformat dhe unë kështu do të vazhdoj.

Pyetje: Në vitin 2005 ju krijuat një traditë, duke paraqitur një program, ku angazhimet kanë qenë të detajuara  me afate 100 ditore e më tej. A do ta ruani këtë traditë?

Kryeministri Berisha: 100-ditëshi është për rishtarët. Unë do të rishoh se çfarë është e vyer prej asaj tradite, sepse kur e shpalla njëherë, më vërshuan mesazhet dhe më thanë se ti nuk je “biginer”. Por unë do ta shoh këtë me shumë përparësi, sepse është një mënyrë motivimi.

Pyetje: Kësaj here ndoshta qeveria juaj do të votëbesohet pa votat e opozitës. Si ju duket situata e pas këtyre katër viteve?

Kryeministri Berisha: Zoti Rama përfaqëson një forcë politike dhe merr vendimet që gjykon se janë më të dobishme për veten e tij, apo për atë forcë politike. Cilat janë motivet që e shtyjnë zotin Rama? Janë absolutisht motive me të cilat zoti Rama kërkon që krizën e tij personale ta shndërrojë në një dhimbje për qytetarët shqiptarë për të penguar vizat. Nuk ka asnjë qëllim tjetër. Ai e di që gjatë këtyre muajve që vijnë do të merren vendimet dhe mendon se, duke mos qenë ne parlament, ato vendime nuk do merren, për shkak të mungesës së tij dhe, në këtë mënyrë do të bëjë përgjegjëse qeverinë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë. Të përpiqesh të bllokosh të rinjtë shqiptarë që të mos lëvizin të lirë në Evropë, si gjithë moshatarët e tyre, të përpiqesh të bllokosh bashkimet familjare, vizitat tek njëri – tjetri që shqiptarët i kanë më të nevojshme, sepse asnjë komb nuk ka familjarë jashtë vendit, sesa ne dhe e bën këtë të gjithën vetëm për interesat e tua, nuk e di se ku e vendos veten. Çfarë mund të them për të? Vendet janë të lira në parlament dhe ata janë të mirëseardhur. Së dyti, do të ketë një hapësirë të plotë bashkëpunimi. Së treti, për çdo kërkesë ligjore, nuk do të hezitojmë  kurrë të respektojmë opozitën. Ju duhet t'ua transmetoni shikuesve dhe dëgjuesve tuaj këtë. Ai kërkon që unë dhe ai të bëjmë Gjykatën Supreme. Por është turp ta dëgjojë njeri këtë. Si mund të vendos unë mbi vendimin e Gjykatës ?  Unë kam bindjen dhe dua të jem i sinqertë me ju, që një mandat i yni humbi në Fier, por unë nuk mund ta kërkoja atë, sepse vendosi gjykata. Kam bindje dhe kam shumë dëshirë që të numërohet kutia e Fierit. Por s’mund ta bëj këtë, ka një vendim të një Kolegji Zgjedhor, të zgjedhur nga unë dhe z. Rama me konsensus. Atëherë unë duhet t’u them gjykatësve që ju vendosët, por ne jemi mbi gjykatësit !? Jo, ne jemi politikanë, ne kemi mandat të fuqishëm, etj., por s’jemi gjykatës. A jemi ne për shtetin ligjor? Të kërkosh gjëra të cilat nuk mund të bëhen -nuk ka ndodhur kurrë që politika të zhbëjë një vendim gjykate- , atëherë ti vë kushte për të mos u realizuar. Por përse zoti Rama nuk kërkon, që në prezencën tuaj, të numërohen në filmim. Por zoti Rama e numëroi Beratin, e mori komplet në film. Në datën 8 dhe 10 korrik, zoti Gjoçaj, ka marrë nga Kryetari i KQZ-së videon e numërimit në Berat dhe e ka parë numërimin dhe nuk ka gjetur as edhe më të voglën shkelje. Nuk ka asnjë procesverbal të pa firmosur nga të gjithë komisionerët. Procesi ishte perfekt dhe kjo ka qenë arsyeja që kanë firmosur të gjithë komisionerët. Rama njëherë akuzon komisionerët, njëherë zihet Erjoni me Erjonin, njëherë e ka fajin Sali Berisha, pastaj e kanë me njëri – tjetrin. Kjo nuk është fare serioze. Mua më vjen keq për këtë.

Tani, le  t’i urojmë ekipit tonë kombëtar një fitore të shkëlqyer  me njërin prej ekipeve më dinamikë, më të shkathët e më të talentuar të Evropës, sepse ky do të ishte një lajm që do të gëzonte mbarë kombin shqiptar. Prandaj le ta ndjekim këtë ndeshje.


09/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›