Kryeministrit Berisha uron përfaqësuestit e mediave në konferencën për shtyp të fundvitit
Së pari, ju përshëndes. Së dyti, dua t’ju jap një lajm të gëzuar. Para takimit me ju përgatita një fjalim të gjatë, por në fund më erdhi ndërmend se ky është vit që flet vetë dhe në këtë kontekst, e lashë mënjanë fjalimin.
Viti 2008 është viti i shqiptarëve. E vërteta më e madhe e këtij viti është se ai ishte viti i pavarësisë së Kosovës, si kurorëzim i një përpjekjeje mbinjerëzore, si një kryevepër e qëndresës së gjithanshme të shqiptarëve të Kosovës dhe kombit në tërësi, i cili, duhet ta pranoj, në një kuadër ligjor ndërkombëtar tmerrësisht të salduar dhe të konsoliduar, ia doli të shpallë pavarësinë. Me këtë akt, shqiptarët fituan dinjitetin që e kishin të përgjysmuar, gjersa gjysma e tyre nuk ishte e lirë.
Viti 2008 është viti i shqiptarëve, një vit ndër më të mëdhenjtë në historinë e kombit. Ky vit është viti kur Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit në NATO. Kjo ftesë ka rëndësi të shumëfishtë, por dy janë më kryesoret. Shqiptarët do të kenë mundësi si komb i lirë të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të shkëputen nga historia e tyre e mbijetesës dhe të hyjnë në historinë e ndërtimit të lirisë. Së dyti, ky është gjithashtu një moment i madh, sepse pas disa shekujsh pushtimesh, copëtimesh e diktature, vendi kthehet në familjen e kombeve të lira perëndimore. Nuk ka mëdyshje se ftesa e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimi i saj në NATO përbën, pas betejave të Skënderbeut dhe faqeve të ndritura që ai shkroi në histori, momentin më të rëndësishëm në rikthimin e kombit dhe të vendit në familjen e kombeve që ai i përket.
Viti 2008 është viti i reformave të mëdha e të gjithanshme. Juve ju pëlqejnë konsensuset dhe ajo që mund të them është se si asnjë vit tjetër, ky vit nisi me konsensus për ligjin e votuar për sistemin e drejtësisë dhe u mbyll sërish me konsensus për Kodin Zgjedhor që u votua sot, ligji për prokurorinë dhe një serë ligjesh të tjera të rëndësishme, pjesë e Kodit të Procedurës Penale dhe Civile etj.. Këto reforma kanë konsoliduar institucionet e vendit, kanë shkëputur Shqipërinë nga dushku, kanë hedhur bazën ligjore për një sistem të lirë e të ndershëm zgjedhor. Këto reforma kanë konsoliduar parlamentarizmin në Shqipëri, kanë thelluar karakterin parlamentar të republikës, pra, janë një fitore e republikanizmit.
Reformat kanë qenë shumë të rëndësishme për sistemin e drejtësisë. Faktikisht, ky sistem, në tërësi, funksion mbi një bazë të re ligjore të standardeve ndërkombëtare. Reformës iu nënshtrua Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili doli jashtë konfliktit të interesit, sistemi gjyqësor dhe tani së fundi, sistemi i institucionit të akuzës.
Reformat kanë qenë ‘perpetum mobile’ në të gjitha fushat e tjera si atë fiskale, ekonomike, në fushën e arsimit etj..
Ky ka qenë viti i reformave të mëdha, por edhe viti i rezultateve të mëdha të këtyre reformave.
Këtë vit, Shqipëria ia doli të renditet e dyta në botë për sa i përket suksesit të reformave për klimën e biznesit.
Këtë vit, Shqipëria, në një turravrap të madh, la mbrapa 51 vende të botës në këtë reformë. Këtë vit, Shqipëria u rendit në 10 vendet më të suksesshme në botë për luftën kundër korrupsionit, një kancer i vërtetë që duhet luftuar çdo orë, çdo ditë, çdo javë për të zvogëluar e parandaluar pasojat e tij.
Këtë vit, Shqipëria u rendit e para në Ballkan për luftën kundër korrupsionit.
Rezultatet më spektakolare të këtyre reformave besoj se janë rritja ekonomike dyshifrore në 3 tremujorët e parë të këtij viti. Shqipëria në orbitën e rritjes dyshifrore, është mesazhi më i mirë, më i fuqishëm dhe më pozitiv që vendi mund t’i dërgojë dhe i dërgon komunitetit ndërkombëtar të biznesit.
Shqipëria një vend tërheqës për investimet e huaja. Në muajin dhjetor të këtij viti, ju jeni dëshmitarë se janë firmosur koncesione në fushën e energjisë dhe fusha të tjera me vlerë prej 3.5 miliardë euro.
Ky ishte viti i privatizimeve të mëdha, ARMO-s, TELEKOM-it, INSIG-ut.
Pra, është viti i mbajtjes së premtimeve të mëdha.
Natyrisht, viti 2008 ishte viti, në të cilin një aksident tragjik shumë i rëndë ndodhi në Gërdec. Qeveria bëri ndërhyrjen më energjike për rikuperimin e pasojave të këtij aksidenti dhe për rindërtimin e zonës. Një proces hetimor është në zhvillim, i cili shpresoj dhe uroj të vendosë para ligjit të gjithë përgjegjësit e tij.
Jam i bindur se ky ka qenë viti kur shqiptarët janë ndjerë më të lirë se kurrë. Liritë e të drejtat e tyre kanë njohur dimensione të reja. Liria e medias është respektuar e do të respektohet tërësisht. Nuk mund të them se nuk ka pasur akte agresioni ndaj gazetarëve, çka nuk e dëshiroj. Këto akte i kam dënuar dhe i dënoj me ashpërsinë më të madhe. Një prej tyre është kryer nga një zyrtar dhe është në turpin e atyre që nuk e vendosën para ligjit. Por ju siguroj se qeveria nuk do të heshtë. Ne nuk pranojmë që kundërshtitë me Shqipërinë zyrtare, që ju keni dhe janë jetike për funksionimin e demokracinë, të shndërrohen, në asnjë rast apo rrethanë, në akte agresioni, intimidimi ndaj jush. Ju garantoj se kjo qeveri qëndron e të do të qëndrojë me forcën më të madhe ndaj çdo cenimi që do t’ju bëhet juve. E theksoj sërish se ju përfaqësoni parlamentarët e fjalës së lirë. Raste të tjera nuk kanë munguar, por janë vendosur dhe do të vendosen rigorozisht para ligjit. Liria e shtypit është kusht vendimtar që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë e tyre.
Ky vit, ka qenë për 800 mijë familje shqiptare një vit në të cilin janë shpërblyer më misë se asnjëherë tjetër në historinë e tyre. Kështu, pagat e 104 mijë punonjësve të administratës pësuan një rritje mesatare, në një rezultante tre vjeçare, me 54 për qind, të arsimtarëve me 75 për qind, punonjësve të shëndetësisë me 81 për qind, u rritën pensionet në fshat me 75 për qind dhe pensionet në qytet me 45 deri në 70 për qind. Në këtë proces, Shqipëria ndërmori rritjen më të mëdha të pagave e pensioneve se çdo vend tjetër në këtë kontinent. Dua të garantoj shqiptarët se kam qenë e mbetem i palëkundur në politikën time të rritjesh së pagave e pensioneve, se këtë komponent të Kejnsit e konsideroj gjeniale, sikundër konsideroj gjeniale lirinë fiskale e taksën e ulët të Hajekut. Ndaj unë do të vazhdoj të lëviz në këto dy drejtime me shpejtësinë më të madhe të mundshme. Në këtë drejtim, këtë vit ne kemi lënë mbrapa jo vetëm vende të rajonit, por edhe vende të Bashkimit Europian. Sërish këtë garë, ne do ta vazhdojmë, sado e vështirë që është, në mënyrë që shqiptarët të mund të kenë një jetë më të begatë.
Por, nëse më pyesni se çfarë i mbetet borxh vitit që shkoi, do të thosha se që të gjitha do t’ia laj gjatët vitit që vjen. Jam përpjekur të mos i mbetem, por kjo është e pamundur, gjithsesi vitin që vjen e kam përpara. Zotimi im është se do të bëj çdo përpjekje për zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është detyrimi më madhor. Unë do të bëj çdo gjë që shqiptarët në këto zgjedhje të votojnë njësoj si qytetarët e tjerë europiane. Ju garantoj se ky është qëllimi im më i parë për këto zgjedhje. Së dyti, të respektoj me vendosmërinë më të madhe verdiktin e tyre.
Duke i shpallur zgjedhjet e ndershme si objektivin më madhor të qeverisë, ju siguroj se reformat, sërish, do të mbeten ‘perpetum mobile’. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për lehtësimin e klimës së biznesit, në mënyrë që kriza që po troket derë pas dere në vende të tjera kësaj herë të na kursejë e të mos ndjehet. Dhe jam shumë optimist, sepse kemi vendosur një kuadër ligjor shumë të favorshëm. Jam optimist, sepse me një politikë të re të zbatuar i është dhënë përgjigje problemit të energjisë. Ju jeni dëshmitarë se premtimi im se nga fundi i vitit 2007 e tutje nuk do të ketë ndërprerje është realitet. Nuk mund të them se është realitet për shkak të burimeve të reja, por është realitet për shkak të zbatimit të politikës që përcakton si çmimin më të lartë të energjisë, mungesën e saj, çka do të thotë, import maksimal energjie dhe jo ndërprerje të saj dhe kjo politikë ka dhënë rezultat. Përveç ndërprerjeve për defekte e riparime dhe në ndonjë rast edhe për papërgjegjshmëri, pasi zyrtarë e nëpunës të pandërgjegjshëm, të cilët ne po përpiqemi t’i identifikojmë, për të raportuar humbje më të ulëta, mund edhe ta kenë bërë këtë, politika e qeverisë në vitin 2007 ka qenë zero ndërprerje të energjisë. Këtë vit ne shkojmë drejt një sigurie më të madhe, sepse shtohen burime të reja, Vlora dhe ecim drejt burimeve të tjera të reja. Kështu që, mund të them se, përveç ndonjë situate tejet të jashtëzakonshme, shqiptarët shkëputen nga një politikë e shkuar, një politikë që, për të pasur deficencë KESH-i, konsistonte në pasjen e një, dy, tre, katër opsione dhe një nga opsionet zyrtare ishte ndërprerja e energjisë dhe dënimi kolektiv i popullatës. Kjo nuk ndodh më dhe nuk do të ndodhë.
Pra, janë të gjitha shanset e mundësitë që vitin që vjen të ketë një rritje të shpejtë ekonomike. Sa do të jetë shkalla e ndikimit të krizës globale nuk mund të parashikoj, veçse parashikoj se do të bëjmë çdo përpjekje që ajo të jetë minimale. Nuk besoj që kjo krizë të jetë kaq e qëndrueshme. Shpresoj se 20 janari shënon një datë kthese. Inaugurimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama përbën një moment entuziazmi të madh jo vetëm politik, por edhe për tregjet e SHBA-së, ekonomia e së cilës udhëheq ekonominë botërore.
Gjithashtu, do të bëjmë çdo përpjekje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në samitin e prillit. Deri tani procesi ka ecur me shpejtësi të madhe. Protokolli i anëtarësimit është ratifikuar nga shumica e vendeve anëtare dhe është në proces ratifikimi në rreth 7 vende të tjera.
Muajt e parë të vitit të ardhshëm, siç e kemi deklaruar, Shqipëria do të paraqesë kërkesën zyrtare për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Shpresoj të gjejmë mirëkuptim, sikundër jemi të vendosur të bëjmë të gjitha reformat dhe të plotësojmë çdo kërkesë të domosdoshme për statusin e kandidatit.
Në mbyllje, dua ta ritheksoj se kemi pasur një vit të papërsëritshëm në histori, por parashikoj një vit sërish të madh, një vit siç do ta donim ne të gjithë.
Edhe një herë ju uroj gëzuar!
Pyetje: Zoti Kryeministër, nuk do të ndalim tek shifrat, por ju përmendet pak më parë figurën e Skënderbeut që nga koha e Skënderbeut. Këto ditë ka nisur një debat për këtë figurë, ajo që quhet ç’mitizim i figurës së Skënderbeut për njerëzit që e kanë kritikuar dhe për disa të tjerë për rishikimin e historisë së tij. Cili është mendimi juaj në këtë debat mes disa historianëve dhe intelektualëve?
Kryeministri Berisha: Nuk mendoj se është konferenca e shtypit momenti për t’u përfshirë në këtë debat, por, natyrisht, e ndjek me vëmendje dhe nuk mund të pajtohem me opinione dhe mendime të atyre që shpëlajnë trurin me një libër. Lexojnë një libër dhe thërrasin ‘eureka’. Për Skënderbeun janë shkruar me qindra, në mos mijëra, libra. Të përpiqesh t’i tjetërsosh kombit Skënderbeun është njësoj s’i t’u tjetërsosh italianëve Garibaldin që është më recent, i bëri të pavarur italianët. Skënderbeu është një histori më e largët, por është një histori që i shoqëroi shqiptarët. Grave në veri futën e zezë nuk ua vendosi as pushtuesi, as harresa, por e mbajtën nga gjenerata në gjeneratë si zi për Skënderbeun. Ne flasim për kultin. Në qoftë se ka kult të merituar në historinë e një kombi dhe historinë e kombit tonë, është ai i Skënderbeut, i cili pati shtet, kur të tjerët humbën shtetet, kur dhe vetë Bizanti u fundos. Se ç’i ka kapur kjo dashuri për ta tjetërsuar apo, siç po flasin, për ta demitizuar dhe njerëz që kanë një kulturë rudimentare, nga antiglobalistë e të tjerë me radhë. Kjo është e vërteta. Të përpiqesh t’i japësh Skënderbeut drejtime të tjera është donkishoteske. Kjo është një përpjekje e vjetër e historiografisë serbe, që nga mbreti i tyre Karagjorgjeviç, sepse donin me çdo kusht ta zëvendësonin, por përpjekje e pasuksesshme.
Pyetje: Zoti Berisha, meqenëse pak më parë përmendët lirinë e medias, mund të më jepni një shpjegim për vendimin e qeverisë për objektin e veçantë të ish topografisë ushtarake, një vendim i cili ka vënë në vështirësi gazetën Tema që gjendet në atë territor?
Kryeministri Berisha: Zoti na ruajt nga mediat e pavarura që preferojnë sqetullën e qeverisë. Por si mund të jesh i pavarur në sqetullën e qeverisë. Pavarësia e mediave nuk përcaktohet nëse qëndron apo jo në sqetullën e qeverisë, ajo përcaktohet nëse flet apo jo lirshëm kundër qeverisë. Unë ju siguroj se ajo dhe çdo gazetë tjetër është e lirë dhe do të jetë e lirë që 24 orë të shkruajë kundër kësaj qeverie. Të pretendosh se po të cenohet liria, ç’do të më thonin gazetat e tjera që nuk janë në lehtësirat e qeverisë. A nuk do kishin edhe ato të drejtë të thonin se po u shkelet barazia? Në Shqipëri ka 30 gazeta dhe nuk di ndonjë gazetë tjetër që të jetë në sqetullën a folenë e qeverisë. Dua t’u them se një dashuri që nuk duhet ta pëlqeni shumë është ajo me shtetin. Ndaj kjo nuk ka asgjë me fjalën. Ai është një objekt i qeverisë që duhet për destinacion tjetër dhe kaq. Është thjeshtë çështje administrative.
Pyetje: Për vitin tjetër, çfarë mekanizmi keni menduar për të nxitur qytetarët që të pajisen me karta identiteti, që në një kohë sa më të shkurtër të bëhen të gatshëm ose të pajisur me dokumentacionin për të votuar?
Kryeministri Berisha: Pajisja me karta identiteti fillon në janar. Unë shoh se ka një interes të madh nga qytetarët për t’u pajisur me kartat e identitetit. Ne po bëjmë çdo ëprpjekje që ky interes të përballohet nga kompania. Mendoj se heqja e TVSH-së për kartat që u vendos sot, heqja e disa tarifave të tjera e ka bërë plotësisht të mundshme kartën e indentitetit për t’u blerë nga qytetarët shqiptarë.
Pyetje: Kjo do të bëhet në mënyrë vullnetare apo do të ketë mekanizma detyrues?
Kryeministri Berisha: Do të duhet të negociojmë me opozitën për disa ndërhyrje që mund të bëhen. Kemi të bëjmë me zgjedhje dhe vendimet duhet të jenë të përbashkëta me opozitën.
Pyetje: Një pyetje për rrugën Durrës-Kukës që nuk e përmendet në deklaratën tuaj. Përse e quani sukses të jashtëzakonshëm tuajin personal dhe të qeverisë?
Kryeministri Berisha: Rrugën nuk e përmenda se do ta inauguroj dhe ajo do inaugurohet qartësisht para zgjedhjeve. Datën nuk po e them se nuk e kam për mbarë të fiksoj data. Sot, në rast se jeni informuar, porosita në mënyrë të prerë Ministrinë e Punëve Publike të ndërmarrë me urgjencë tenderin e projektit të boshtit të Jugut, i cili duhet të ketë për trajektore linjën më të shkurtër që bashkon Memaliajn me Tepelenën. Duke ardhur tek pyetja juaj nëse e quaj apo jo meritë personale rrugën. Ajo është meritë e taksapaguesve shqiptarë. Natyrisht, merita ime është se po shndërroj në realitet një projekt ëndërr që bashkon dy pjesë të kombit. Ky projekt ka ekzistuar në mendjen e njerëzve në shekuj e dekada, por tani po bëhet realitet. Së dyti, të gjitha rrugët më të shkurta do të realizohen dhe do bëhen. Unë po merrem me zëvendësimin e rrugëve të pushtimeve me rrugët e zhvillimit. Pas rrugës së Arbrit që është në ndërtim e sipër, boshti i jugut, mbeten dhe 34 kilometra rrugë Fierzë-Koman dhe mbyllen rrugët e shkurtra në të gjitha drejtimet. Shqiptarët do të qarkullojnë mbi akse rrugore më të shkurtrit.
Pyetje: Për liberalizimin e vizave, çfarë sigurie u jepni qytetarëve shqiptarë për të hyrë në BE pa viza?
Kryeministri Berisha: Për sa i përket liberalizimit të vizave, kushti më kryesor, siç e dini, janë letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike. Deri tani gjithçka shkon sipas parashikimeve. Nuk mund të bëhet fjalë për liberalizim të vizave pa u pajisur shqiptarët me këto dokumente dhe nuk shoh ndonjë pengesë tjetër serioze për këtë proces pas pajisjes me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike.
29/12/2008