Kursantë për patenta në Elbasan, tani testimi on-line
25/02/2010 ELBASAN- Drejtoria rajonale e Transportit Rrugor në Elbasan nis aplikimin e testimit të teorisë nëpërmjet kompjuterit online duke evituar çdo mundësi për ndërhyrje subjektive. Në sallën ku kursantët konkurrojnë për të fituar testin e përgatitjes teorike për dëshminë e drejtuesit të mjetit është instaluar rrjeti i programit që vlerëson on-line të gjithë kursantët dhe përgjigjet jepen brenda një kohe të shkurtër. Futja e këtij programi bashkëkohor sipas drejtorit të Drejtorisë rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor për Elbasanin, Astrit Xhelili, e rendit vendin tonë në krah të vendeve të Bashkimit Evropian dhe eliminon njëherë e përgjithmonë abuzimet në dhënien e provimit të teorisë duke evituar çdo mundësi. Njëkohësisht aplikuesit sipas këtij programi kanë të gjitha mundësitë jo vetëm të testojnë denjësisht veten, por edhe të njihen me rezultatin e provimit në çast dhe pa pasur nevojë të komunikojnë me të tjerë. Ndërkaq ing. Edmond Valera e cilësoi këtë formë të re të testimit të konkurrentëve për pajisje me leje drejtimi të përsosur dhe mjaft nxitëse në përvetësimin e njohurive teorike. Kandidatët do të kenë mundësinë të testohen 5 herë për teorinë dhe në rast se kalojnë 10 gabimet e mundshme mund të kërkojnë për ta dhënë edhe për disa herë të tjera. Kursanti ka mundësi të korrigjojë edhe gabime në harkun kohor të 40 minutave në dispozicion, pasi pas kalimit të kësaj kohe testi mbyllet automatikisht.