E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakër në Devoll, vret me sëpatë bashkëshorten, plagos të bijën dhe kunatin



DEVOLL – Krimi në familje godet sërish. Një person ka qëlluar me sëpatë bashkëshorten e tij duke e lënë të vdekur, ka plagosur vajzën e tij dhe kunatin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas mesditës së djeshme në fshatin Eçmenik të Devollit, ku Hekuran Demiraj ka qëlluar për vdekje me sëpatë Basije Demirajn.

Ngjarja
Ka qenë ora 13:00 e ditës së djeshme kur fqinjët e familjes Demiraj kanë njoftuar lidhur me ngjarjen që ka ndodhur në këtë familje. Policia, brenda pak minutash ka mbërritur në vendngjarje dhe ka mundur të arrestojë autorin që ishte larguar nga vendi i krimit. Hekuran Demiraj u arrestua në dalje të fshatit Eçmenik. Policia e Korçës konfirmoi se shtetasi Hekuran Demiraj, 65 vjeç, ka vrarë për vdekje me sëpatë shtetasen Basije Demiraj, 60 vjeç. Të plagosur kanë mbetur vajza e çiftit Sonila Demiraj dhe kunati i autorit, Myfteri Met’holli. Janë ende të paqarta arsyet, por paraprakisht dyshohet të ketë pasur një grindje në familje dhe më pas ka ndodhur masakra nga ana e Hekuranit.

Hetimet
Menjëherë pas arrestimit të autorit, policia e qytetit juglindor ka nisur punën për identifikimin e rrethanave që e shtynë Hekuran Demirajn të kryente këtë masakër. Sipas të dhënave paraprake bëhet e ditur se 65-vjeçari ka pasur probleme mendore.
Ngjarja ndodhi gjatë një debati në shtëpi pas të cilit Hekuran Demiraj rrëmbeu sëpatën dhe goditi bashkëshorten e tij duke e vrarë në vend. Më pas ai goditi edhe të bijën 25-vjeçare, si dhe vëllanë e bashkëshortes së tij duke i plagosur rëndë që të dy.
Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se dy ditë më parë, autori i vrasjes, i shoqëruar nga bashkëshortja, u dërgua për vizitë në spital për shkak të gjendjes depresive nga e cila ai vuante prej kohesh. Mjekët i rekomanduan mjekim, por gjendja e tij u rëndua derisa arriti në akte dhune.
Në fshatin Vidhovë në rrethin e Devollit, pak javë më parë ndodhi një krim i trefishtë, ku shtetasi Besim Karaj masakroi me automatik tre vëllezër, pasi njëri prej tyre kishte kryer marrëdhënie jashtëmartesore me bashkëshorten e tij.

I vodhi varësen nga qafa, arrestohet autori

TIRANË – I vodhi varësen nga qafa një shtetaseje, arrestohet autori. Policia e Tiranës bën të ditur se ka vënë në pranga ditën e djeshme 32-vjeçarin Alri Sejdo në ambientet e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë për vjedhje. Kapja e tij u bë për vjedhje me dhunë të një shtetaseje në brenda ambienteve të spitalit. “Ky shtetas, në ambientet e spitalit ‘Nënë Tereza’, ka kryer vjedhjen me dhunë të një shtetaseje. Nga puna e bërë rezultoi se shtetasi Altin Sejdo është autor i dyshuar edhe i vjedhjes me dhune të një shtetaseje tjetër, së cilës, po në këtë ambient, i ka vjedhur një varëse floriri”, - thuhet në njoftimin e Policisë së kryeqytetit.

Trafiku i drogës, pranga pesë shqiptarëve dhe dy italianëve

ROMË – Pesë shqiptarë dhe dy italianë u arrestuan dje nga policia në kryeqytetin e Italisë me akuzën e trafikut të drogës.
Grupi kriminal u zbulua gjatë hetimeve që policia ishte duke zhvilluar mbi tentativën e vrasjes ndaj pronarit të një bari në Romë. Gjatë marrjes në pyetje të personave me dijeni për ngjarjen, hetuesit mësuan se pronari i lokalit ishte i përfshirë në aktivitetin e shpërndarjes së kokainës. Faktet e zbuluara më pas gjatë hetimit gjetën se biznesmeni kishte pasur konflikte të vazhdueshme me një grup shqiptarësh dhe italianësh për shkak të tregtisë së drogës. Policia i vazhdoi hetimet e saj dhe dje në mesditë arriti të arrestojë shtatë persona, 5 shqiptarë dhe dy italianë, të akuzuar për trafik narkotikësh. Policia tha se u sekuestroi të arrestuarve mijëra doza kokaine të gatshme për shitje si dhe një shumë financiare prej 15 mijë euro.

Aksidenti në punë, plagosen dy shqiptarë

ITALI - Dy emigrantë shqiptarë u plagosën rëndë pas një aksidenti të ndodhur në punë, ku gjeti vdekjen një shtetas italian.
Ngjarja ka ndodhur gjatë punimeve në një çerdhe në Pistoia. Sipas policisë, aksidenti në punë ka ndodhur dje në mëngjes rreth 8, në oborrin e objektit në momentin kur punëtorët po kryenin ngarkimin dhe shkarkimin e mallrave. Aksidenti ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të sindikatave të punëtorëve për mungesën e masave të sigurisë në punë. Policia ka thënë se i vdekuri është shtetasi italian Emiliano Bessi, 49 vjeç, ndërsa emrat e dy shqiptarëve të plagosur nuk u publikuan. Drejtuesi i pushtetit lokal në këtë zonë reagoi menjëherë pas ngjarjes, duke thënë se “si kryetar i Bashkisë dhe në emër të administratës së qytetit, unë dua të shpreh ngushëllimet e gjithë qytetit dhe të afërmve të familjes, gruas dhe fëmijëve të Emilio Bessi-t. Pas incidentit që shkaktoi vdekjen e punëtorit italian dhe plagosjen e dy shqiptarëve, grupi i hetimit ka mbajtur të ndaluar të gjithë punëtorët që janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.

I gjendet armë në shtëpi, tenton të qëllojë mbi policinë

SHKODËR – I gjendet armë në shtëpi, pranga të riut që tentoi të qëllonte mbi policinë. 27-vjeçari Sokol Kola, banor i fshatit Bushat të Shkodrës, është arrestuar në flagrancë gjatë një operacioni blic të organizuar nga forcat policore pasi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohej se ai mbante armë zjarri në shtëpi. Pasi u ushtrua kontroll në banesën e tij, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik, si dhe një krehër me 30 fishekë. I arrestuari i ka kundërshtuar forcat e policisë dhe në një moment ka mbushur armën e zjarrit duke tentuar t’u drejtohej atyre, por falë veprimeve të shpejta të ndërhyrjes, ato bënë të mundur neutralizimin e tij.

18 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›