Të dënuarit shqiptarë në Itali, mundësi transferimi në Shqipëri
TIRANË – Të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënimin në Itali shumë shpejt do të mund të transferohen në Shqipëri, ku do të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit. Kjo ka qenë tema kryesore e bisedimit mes kryeprokurores Ina Rama dhe kryeprokurorit të Antimafias italiane, Piero Graso. Në një takim të zhvilluar ditën e djeshme mes dy krerëve të Akuzës, janë diskutuar dhe një sërë temash të tjera që kanë lidhje me bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy institucioneve. Por temë kryesore ishte dhe thellimi e bashkëpunimi mes dy institucioneve në drejtim të luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Takimi
Pas vizitës së dy ditëve më parë të kryeprokurorit spanjoll, ditën e djeshme, një tjetër drejtues i lartë ka vizituar Prokurorinë e Përgjithshme shqiptare. Bëhet fjalë për kryeprokurorin e Antimafias italiane, Piero Graso, i cili është pritur në një takim nga prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama.
Edhe pse takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se biseda mes tyre është përqendruar në çështje konkrete në interes të dy palëve, që janë pikërisht ato çështje që ndiqen në mënyrë paralele nga dy prokuroritë. Gjithashtu është diskutuar për ekzekutimin e letër-porosive respektive që janë në proces e sipër nga të dyja zyrat, si dhe në evitimin e vonesave të mundshme.
Por, një nga temat më të rëndësishme të diskutuara gjatë takimit të djeshëm mes prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe prokurorit kombëtar të Antimafias italiane, Piero Graso, ishte mundësia e transferimit të disa shtetasve të dënuar nga shteti italian për të vuajtur dënimin e mbetur në Shqipëri, gjithçka në zbatim të të gjitha procedurave ligjore.
Vendimet
Një tjetër pikë e prekur në bisedën mes dy krerëve të institucioneve ishte dhe njohja e vendimeve penale të shtetit italian ndaj shtetasve shqiptarë. Nga ana e tij Graso i bëri të njohur kryeprokurores Rama hapat e ndërmarrë deri tani për ratifikimin e marrëveshjes mbi ekstradimin e shtetasve, marrëveshje e nënshkruar kjo nga qeveritë respektive në dhjetor të vitit 2007. Sërish gjatë bisedës së djeshme është përforcuar vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta mes institucioneve të Prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane, me synim thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve në drejtim të luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve. Vetëm pak javë më parë, prokuroritë e dy vendeve koordinuan një operacion të përbashkët, ku morën pjesë edhe Greqia e Belgjika, duke arrestuar një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike. Aksioni i koduar “Sunrise” përfundoi me prangosjen e 51 personave, ku 37 prej tyre ishin shtetas shqiptarë.
Bllokohet peshkarexha italiane, kishte hyrë në ujërat shqiptare
VLORË – Kishte hyrë në ujërat territoriale shqiptare pa leje, bllokohet peshkarexha italiane. Mjeti i huaj, i cili kishte flamur italian dhe emërtimin “Niko”, është sjellë nga ana e forcave të kufirit shqiptar dhe mjeteve të tjera të Marinës Shqiptare drejt Portit të Vlorës, ku aktualisht ndodhet. Burime nga kapiteneria e portit bëjnë me dije se anija është gjendur duke peshkuar në ujërat shqiptare. Një fakt i tillë nuk është pranuar nga ana e ekuipazhit të peshkarexhës. Ata thanë se nuk kanë pasur as qëllim dhe as kanë kryer ndonjë veprim në ujërat tona, duke respektuar gjithë bazën ligjore në lundrim. Por, gjithsesi, kapja në flagrancë do të jetë objekt hetimi nga ana e palës shqiptare. Sipas burimeve portuale, ky mjet ishte 6 milje larg nga Kepi i Gruzës dhe sipas këtyre burimeve, në momentin e kapjes kanë qenë dhe dy të tjera, por janë larguar sapo kanë parë mjetet tona detare.
Aksidenti, përplaset për vdekje 30-vjeçari
DURRËS – Gjen vdekjen si pasojë e përplasjes me makinën 30-vjeçari Ilmi Hallucaj. Policia e qytetit bregdetar njofton se në afërsi të rrethrrotullimit te “Rruga e Re”, Elton Velaj, 34 vjeç, në kohën kur drejtonte veturën tip “Benz” me targë DR 4932 D, është përplasur me një motoçikletë tip “Yamaha” pa targa, e cila drejtohej nga Ilmi Halluca, rreth 30 vjeç. Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i motoçikletës, i cili është dërguar në Spitalin e Durrësit ku me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë nuk ka mundur të shpëtojë. Drejtuesi i veturës është shoqëruar në Polici. Në vendin e ngjarjes grupi hetimor vazhdon kryerjen e veprimeve për përcaktimin e rrethanave të aksidentit.
Pranga dy të kërkuarve për vjedhje dhe vrasje
DURRËS – Vihen në pranga dy të kërkuar nga policia. Sipas një njoftimi për shtyp të Policisë së qytetit bregdetar bëhet e ditur se është arrestuar Dorian Kacaj, i dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Durrësit për vjedhje në bashkëpunim, si dhe Durim Matmuja, i dyshuar për veprën penale të vrasjes mbetur në tentativë.
Policia thekson se Gjykata e Rrethit Durrës, me vendimin penal të datës 22.02.2010, ka përcaktuar në mungesë ndaj këtij shtetasi dënimin me 7 vjet burg për veprën penale të vjedhjes me armë mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim, vendim i cili ka marrë formë të prerë më datë 04.03.2010. Kjo për arsye se është bërë e mundur të dokumentohet se Dorian Kacaj, në bashkëpunim me vëllezërit Sokrat e Vasil Xhangolli, më datë 21.01.2004 kanë tentuar të vjedhin dyqanin e shtetasit A. B. Në kohën kur pronari i dyqanit ka dëgjuar zhurmë dhe ka dalë për të parë, ai është qëlluar me armë zjarri nga autorët, të cilët nuk kanë mundur t’i shkaktojnë dëmtime. Në vijim të punës operative për kapjen e tij, paraditen e djeshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës bënë të mundur kapjen e tij në Lagjen Nr. 15 të qytetit bregdetar.
Ndërsa lidhur me arrestimin e dytë, polica bën të ditur se Durim Matmuja dyshohet se më datë 24.08.2008, në grindje e sipër, së bashku me shtetasit Lumjan (Emiljano) e Granit Matmuja, kanë tentuar të vrasin me sende të forta (zinxhirë hekuri) shtetasin K. Xh., duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë e trup. Dyshohet se këta shtetas i kanë shkaktuar dëmtime edhe shtetasit Gj. T. Pas ngjarjes Durim Matmuja është larguar duke iu shmangur hetimit. Nga ana e policisë është bërë shpallja në kërkim e tij më datë 27.08.2008 dhe është punuar në vazhdimësi për përcaktimin e vendndodhjes së tij. Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Rrethit Durrës ka filluar procedimin për veprën penale të vrasjes me dashje mbetur në tentativë në bashkëpunim dhe më datë 02.09.2008 ka lëshuar ndaj tij urdhër-ndalimi.
Rrëshqitjet e dheut bllokojnë aksin Korçë-Pogradec
POGRADEC – Bllokohet aksi rrugor Korçë-Pogradec si pasojë e rrëshqitjeve të dheut. Mesditën e djeshme një masiv dherash ka rënë mbi rrugë duke shkaktuar tërësisht bllokimin e saj. Për pasojë, shumë automjete që po kalonin aty kanë mbetur të bllokuara në të dyja korsitë. Menjëherë ka ndërhyrë Drejtoria Rajonale e Rrugëve duke dërguar mjete për pastrimin e aksit, ndërsa radha e automjeteve që prisnin të kalonin ka vijuar.
Ndërkaq, Policia Rrugore ka paralajmëruar drejtuesit e mjeteve që të shmangin përkohësisht udhëtimin në këtë aks deri në pastrimin e plotë të tij dhe parandalimin e rrëshqitjeve të tjera.
18 Mars 2010