Burgjet, ndryshojnë rregullat për lejet shpërblyese
Laureta Rryçi
Ndryshojnë rregullat për lejet shpërblyese nëpër burgje. Këshilli i Ministrave miratoi dje disa ndryshime në rregulloren e burgjeve, duke përcaktuar kritere të reja për dhënien e lejeve të burgosurve. Gazeta ”Albania” zbardh në numrin e sotëm këto rregulla, si dhe disa ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me masat që do të marrin drejtuesit e burgjeve ndaj të dënuarve. Më së shumti ndryshime janë bërë për të drejtat ndaj të dënuarve të mitur. Ndryshimet e reja i bëjnë ata që të përfitojnë më shumë takime me familjarët, si dhe më shumë telefonata gjatë periudhës njëmujore.
Lejet shpërblyese
Sipas rregullores së re, pas marrjes së kërkesës nga i dënuari, drejtori i IEVP-së urdhëron, brenda tri ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, përgjegjësin e sektorit ligjor, përgjegjësin e sektorit të sigurisë dhe përgjegjësin e kujdesit social të kryejnë verifikimin dhe të përgatisin dokumentacionin lidhur me plotësimin e kushteve ligjore, për miratimin e lejeve shpërblyese. Përgjegjësi i sektorit ligjor përgatit (brenda pesë ditëve nga data e marrjes së urdhrit) raportin i cili shpjegon dhe dokumenton se kushti lidhur me kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit është plotësuar ose jo, ditët e lejeve shpërblyese që ka përfituar i dënuari nga fillimi i vitit, si dhe propozimin e argumentuar të dhënies ose jo të lejes shpërblyese dhe të ditëve që duhet të marrë i dënuari, si leje shpërblyese. Përgjegjësi i sektorit të sigurisë dhe përgjegjësi i kujdesit social përgatisin, brenda pesë ditëve nga data e marrjes së urdhrit, raportin e përbashkët, i cili shpjegon dhe dokumenton kushtin për respektimin e kësaj rregulloreje dhe të rregullores së brendshme të IEVP-së nga i dënuari, sjelljen e të dënuarit, rrezikshmërinë e tij, interesin që paraqet për rehabilitimin e të dënuarit, sjelljen e të dënuarve lidhur me punonjësit e IEVP-së e të dënuarit e tjerë, ndjenjën e përgjegjësisë, pjesëmarrjen në programet rehabilituese, që zhvillohen nga institucioni, besueshmërinë që paraqet i dënuari lidhur me qëndrimin e tij jashtë IEVP-së, si dhe propozimin e miratimit apo të refuzimit të lejes shpërblyese e të ditëve që duhet të marrë i dënuari, si leje shpërblyese. Raportet, propozimet dhe dokumentacioni i paraqiten drejtorit të IEVP-së, i cili i shqyrton dhe jep miratimin apo refuzimin e motivuar për dhënien e lejes shpërblyese.
Shkaqet
Sipas rregullores së re, me anëtarë të familjes të së burgosurit nënkuptohen nëna, babai, fëmijët, motra, vëllai, bashkëshorti/ja. Përgjegjësi i sektorit të sigurisë dhe përgjegjësi i kujdesit social përgatisin, brenda ditës nga data e marrjes së urdhrit, një raport të përbashkët, të hollësishëm, i cili shpjegon dhe dokumenton lidhjen e ngushtë familjare të të burgosurit me personin e sëmurë rëndë, të vdekur, të lindur ose të martuar, kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit, lejet e kryera më parë, respektimin e kësaj rregulloreje e të rregullores së brendshme të IEVP-së, rrezikshmërinë dhe besueshmërinë që paraqet i burgosuri lidhur me qëndrimin e tij jashtë institucionit, pjesëmarrjen në programe rehabilituese, që zhvillohen në institucion, çdo të dhënë tjetër që ka të bëjë me të burgosurin, si dhe propozimin e argumentuar të miratimit apo të refuzimit të lejes së veçantë dhe të ditëve që duhet të marrë i burgosuri, si leje e veçantë.
Masat e reja që do të marrin drejtuesit e burgjeve ndaj të dënuarve
Rritja e nivelit të sigurisë për parandalimin e kontakteve me persona të dyshuar si pjesëtarë të organizatave kriminale ose terroriste.
Transferimi i përkohshëm i të burgosurit në një institucion më të përshtatshëm të vuajtjes së dënimit.
E drejta e takimeve vetëm me familjarët bashkëjetues, në një numër jo më pak se një dhe jo më shumë se dy në muaj, që zhvillohen në intervale kohore të rregullta dhe në vende të posaçme që nuk mundësojnë kalimin e objekteve. Këto takime mund të jenë nën kontroll shikimi por jo dëgjimi nga personeli mbikëqyrës. Përjashtimisht, takimi mund të jetë nën kontroll dëgjimi dhe me regjistrim vetëm në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi i Procedurës Penale dhe legjislacioni në fuqi.
Realizimi i bisedave telefonike, vetëm një bisedë në muaj me familjarët bashkëjetues, me kohëzgjatje jo më shumë se 10 minuta. Këto biseda telefonike nuk mund të përgjohen nga personeli mbikëqyrës. Përjashtimisht, biseda telefonike mund të përgjohet vetëm në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi i Procedurës Penale dhe legjislacioni në fuqi për përgjimet e telekomunikimeve.
Kufizimi i shumave, i të mirave materiale e i objekteve që mund të marrë i burgosuri nga jashtë.
Mbikëqyrja e korrespondencës, përveç asaj me funksionarët më të lartë të shtetit, deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare, kompetente në fushën e drejtësisë apo të mbrojtjes të të drejtave të njeriut.
E drejta e qëndrimit në ajrim në grupe me jo më shumë se 5 (pesë) veta dhe kohëzgjatje deri 2 (dy) orë në ditë.
Të burgosurit e mitur kanë të drejtë të takohen me familjarët dhe të marrin ushqim prej tyre 8 herë në muaj.
Kur vizitori tenton të fusë sende të ndaluara, drejtori i IEVP-së ndalon takimin e të burgosurit me këtë vizitor për një periudhë nga 3 (tri) deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj.
Të burgosurit të mitur i lejohet korrespondenca telefonike 16 (gjashtëmbëdhjetë) herë në muaj.
Inspektimi në IEVP
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dërgon pranë IEVP-ve grupe inspektimi, të përbëra nga specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët bëjnë verifikime për çështje të caktuara në urdhër. Në përfundim të inspektimit, grupi harton një akt kontrolli në prani të personave të kontrolluar, duke bërë rekomandimet e nevojshme për përmirësimin e shkeljeve të konstatuara. Kur konstatohen shkelje, grupi i inspektimit i propozon drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve marrjen e masave disiplinore konkrete ndaj personave përgjegjës për shkeljen.
Zëvendësdrejtori i IEVP-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, kryesisht ose me propozimin e drejtorit të IEVP-së. Transferimi dhe komandimi në detyrë i punonjësit brenda sistemit të burgjeve bëhen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, vetëm për nevoja dhe interesa të argumentuara të punës. Transferimi, në asnjë rast, nuk mund të zgjasë më tepër se 6 (gjashtë) muaj”.
Komisioni i Vlerësimit të Sjelljes
Komisioni i Vlerësimit të Sjelljes së të burgosurve ngrihet në IEVP dhe ka në përbërje zëvendësdrejtorin e IEVP-së, përgjegjësin e sektorit të kujdesit social, edukatorin e grupit, specialistin e regjimit të brendshëm dhe juristin. Kundër vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Sjelljes mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve te drejtori i IEVP-së. Kundër vendimit të Këshillit Disiplinor, i burgosuri ka të drejtë të paraqesë ankim brenda 15 ditëve, pranë Komisionit të Apelimit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Apelimit përcaktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Vëzhgimi dhe programet e trajtimit
Personeli i kujdesit social vëzhgon personalitetin e të burgosurit, me qëllim vlerësimin e nevojave psikologjike e sociale, aftësinë dhe vullnetin e të burgosurit për punë e formim profesional. Në bazë të rezultatit të vëzhgimit dhe të të dhënave personale, familjare, shoqërore, të masës së dënimit, personeli i kujdesit social harton planin e vuajtjes së dënimit për çdo të burgosur dhe programin e individualizuar të trajtimit për grupe të veçanta, i cili përgatitet nga një grup specialistësh, i përbërë nga psikologë, punonjës socialë dhe edukatorë. Plani i vuajtjes së dënimit përfshin këshillim, terapi, edukim, arsimim, formim profesional, punësim, shërbim bibliotekar, si dhe çdo shërbim tjetër, të nevojshëm. Punonjësi i kujdesit social evidenton të dhënat e grumbulluara nga vëzhgimi, trajtimi individual, si dhe nga sjellja gjatë të gjithë periudhës së burgimit, të përfshira në dosjen personale të të burgosurit. Punonjësi i kujdesit social diskuton me të burgosurin planin e vuajtjes së dënimit dhe programin e individualizuar dhe bën rivlerësimin dhe ndryshimin në përputhje me ecurinë e trajtimit.
18 Mars 2010