Kryeparlamentari i Bosnje-Hercegovinës, në Tiranë me ftesë të Topallit
Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Bosnje-Hercegovinës, Niko Lozançiç, mbërrin sot në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare treditore (23-26 nëntor), me ftesë të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Në një njoftim për shtyp të Kuvendit të Shqipërisë, axhenda e kryeparlamentarit boshnjak nis të hënën paradite (ora 10:00) me një takim me kryetaren Topalli, mbas të cilit pritet të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, kryeparlamentari i Bosnje-Hercegovinës do të pritet në takime të veçanta nga personalitetet më të larta të shtetit shqiptar si, Kryeministri Sali Berisha, Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Një takim të veçantë do të ketë edhe në Komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme. Vizita e z. Lozançiç pason vizitën zyrtare që znj. Topalli zhvilloi në korrik të këtij viti në Bosnje-Hercegovinë. Gjatë kësaj vizite kryetarja e Kuvendit, veç takimeve me zyrtarët më të lartë, u takua dhe me trupat paqeruajtëse shqiptare, të cilat ndodhen në këtë vend nga shtatori i vitit 1996. Bosnje-Hercegovina është një shtet në juglindje të Evropës, në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në veri dhe jug ajo kufizohet me Kroacinë, në lindje kufizohet me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa ka një dalje në detin Adriatik në afërsi të Mostarit.
Pas luftës katërvjeçare (1992-1996), Bosnje-Hercegovina dallon për transformimet e mëdha. Ndonëse një shtet multietnik e multifetar, ajo gëzon stabilitet e siguri në perspektivën euroatlantike. Bosnje-Hercegovina strehon edhe rreth 120 mijë shqiptarë të ardhur ndër vite nga treva të ndryshme shqiptare e që kanë ruajtur gjuhën e traditat e tyre.