E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Maqedoni, linjë hekurudhore në 2009-ën



Berisha: Shqipërisë i mbeten edhe 3 kilometra

Maqedonia përcakton trasenë dhe shpronësimet

Një linjë hekurudhore do të lidhë dy vendet fqinje, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Kjo, pasi dy qeveritë, ajo shqiptare dhe maqedonase, mbështesin projektin për ndërtimin e një hekurudhe brenda vitit të ardhshëm. Qeveria maqedonase tashmë ka përcaktuar trasenë dhe shpronësimet, ndërkohë që qeverisë shqiptare i mbeten edhe 3 kilometra rrugë për t’i përfunduar brenda 2009-ës. Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij maqedonas, Nikolas Gruevski, shprehën dje angazhimin për "fillimin e ndërtimit të lidhjes hekurudhore mes dy vendeve". Z. Berisha ishte dje në Shkup ku mori pjesë në veprimtaritë festive me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha zhvilloi mesditën e djeshme një takim miqësor me Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, gjatë të cilit u konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe u diskutua rreth mundësive për intensifikimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe atë rajonal. Në bisedimet e tyre, dy kryeministrat u ndalën veçanërisht në zhvillimin e projekteve konkrete që zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve. Kryeministri Berisha vlerësoi si një nga lajmet më pozitive që del nga ky takim, faktin se qeveritë respektive do fillojnë ndërtimin e lidhjes hekurudhore mes dy vendeve. "Qeveria maqedonase është marrë me përcaktimin e trasesë dhe shpronësimet, ndërsa Shqipërisë i kanë edhe mbetur tre-katër kilometra dhe ne do përpiqemi që brenda vitit 2009 ta kompletojmë detyrimin tonë", - tha Berisha. Gjatë takimit, të dyja palët shprehën interesin e tyre për një bashkëpunim të gjerë në të gjitha fushat, në luftën kundër kriminalitetit, për një marrëveshje të re për menaxhimin e ujërave të përbashkëta dhe mbrojtjen e tyre, kontrollin e integruar të kufijve, pikat e reja doganore etj.

Maqedoni, festohet 100-vjetori i alfabetit

Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në shtetin fqinj, Maqedoni, vlerësoi ceremoninë e organizuar dje në kryeqytetin e Maqedonisë për një nga ngjarjet më të mëdha e më rrezatuese në historinë e kombit shqiptar, 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe alfabetit shqiptar. Ai përgëzoi për këtë homologun e tij Gruevski, ndërkohë që partia shqiptare në opozitë po kërkon një ligj të ri për gjuhën shqipe. PDSH-ja po përgatit një tjetër ligj për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, disa kohë pas miratimit të ligjit nga mazhoranca. Partia Demokratike Shqiptare do të kërkojë që shqipja të jetë zyrtare në të gjitha nivelet e shtetit. Komiteti i Këshillit të Evropës ka bërë vërejtje për shkak të miratimit të ligjit të gjuhëve me procedurë të përshpejtuar dhe se opozita duhet të propozojë amendamente për ligjin. PDSH-ja akuzoi shumicën se ligji për përdorimin e gjuhës nuk i plotëson të gjitha interesat e shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›