E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratimi i kërkesës për statusin, një shuplakë për bojkotin e Edi Ramës

Një tjetër lajm i mirë u “inportua” dje nga Brukseli. Bashkimi Evropian, saktësisht ministrat e jashtëm të këtij unioni pranuan shqyrtimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Miratimi i djeshëm, vjen 6-7 muaj pas kërkesës për aplikim të Shqipërisë si vend kandidat, që Kryeministri Sali Berisha dorëzoi në Pragë. Më shumë se skepticizmi, dorëzimi i kësaj kërkese është pasuar me xhelozi, që opozita e 6-7 muajve më parë, e konfirmuar sërish si e tillë, ka demonstruar, sigurisht e trembur (në të drejtën e saj legjitime) përballë përdorimit të mundshëm të këtij argumenti, si një “as”, gjatë fushatës elektorale. Në morinë e zhurmnajës së saj, opozita në përgjithësi, por edhe emra të përveçëm të saj, duke fërkuar duart pse miratimi i saj u shty për disa javë, thjesht dhe vetëm për disa probleme teknike gjermane, nuk kanë reshtur së lidhur kushtëzimin sipas tyre të miratimit të këtij aplikimi me certifikimin e zgjedhjeve. Në fakt, sinjalin e parë për një “përqasje” të tillë e dha Ara Dade, pikërisht në 28 prill 2009, ditën kur Kryeministri Sali Berisha dorëzoi kërkesën për aplikim të Shqipërisë si vend kandidat në BE. “Tani qeverisë i mbetet të garantojë zgjedhje të lira. Nga kjo varet edhe fati i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE”, deklaronte Arta dade në fundprillin e këtij viti. Në këtë “frymë”, por edhe të nxitur edhe nga “premtimet” e BE-s, që vetë kishte deklaruar se “do të pritej rezultati i zgjedhjeve, para se të merrej në shqyrtim kërkesa”, herë Edi Rama, herë Ditmir Bushati, dhe herë ndonjë tjetër, duke besuar jo vetëm “paralajmërimin” e Arta Dades, kanë shpresuar njëherazi, që ky aplikim të shtyhej e të shtyhej, aq sa vetë Edi Rama të besonte se mosmiratimi i këtij aplikimi, ishte një moscertifkim i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, sepse këtë e kishte “parathënë” edhe Arta Dade.
Po nga dje, “profecia” e Arat Dades, 6-7 muaj më parë mund të lexohet sot nga Edi Rama, Ditmir Bushati e të tjerët, si përgjigje ndaj “merakut” të saj në formën, “Qeveria i garantoi zgjedhjet të lira. Nga këto u var edhe fati i djeshëm i shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE”. Pas këtij leximi, Edi Rama nga dje duhet të kuptojë, se vjedhja e supozuar e votave në 28 qershor as në nivelin e një ëndrre nuk është një histori për t’u besuar, aq më tepër deri atje sa të këmbëngulet kokëfortësisht për hapje kutish e rinumërim votash. Me miratimin e djeshëm ministrat e jashtëm të BE-së ën Bruksel, nuk kishin kurrsesi qëllim të tyre kryesor, ti dërgonin një mesazh Edi Ramës në Tiranë, për të hequr dorë nga rruga e bojkotit, sepse vendimi i tyre i djeshëm, përveçse një konfirmim i raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, apo konfirmim i qëndrimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës po për këto zgjedhje, për më tepër ishte edhe “shansi i fundit” për Edi Ramën. Nga dje, Edi Rama, nuk ka më në dorë asnjë “argument ndërkombëtar” që t’i ngjallë shpresat për të tërhequr njerëzit zvarrë nëpër rrugë për një kapricio të vetën. Ai vetë e kishte thënë e pranuar me gojën e vetë, të Arat Dades apo Ditmir Bushatit, se “nga zgjedhjet e lira varet fati i aplikimit të Shqipërisë si vend në kandidat në BE”. Në vijim të këtij konteksti, nga dje edhe ky certifikim i fundit, përpos përftimit të madh për Shqipërinë dhe shqiptarët, “certifikoi” edhe zgjedhjen e pamotivuar të Edi Ramës për bojkot. Për Edi Ramën nga dje, moshapja e kutive të votimit nuk pengon aspak qeverinë në projektet dhe rezultatet e saj integruese, nuk pengon aspak Shqipërinë t’i afrohet edhe një hap BE-së, ndaj edhe ai, Edi Rama, i çarmatosur edhe nga armët e Ditmir Bushatit dhe Arta Dades, tashmë mund të vazhdojë, edhe për qejf të vijë vërdallë rrugëve të Shqipërisë, apo Tiranës, me ndoca “mbështetës” pas vetes, por të paktën të demonstrojë kapriçio të tjera e të përdorë argumente të tjera, jo si ato të Arta Dades apo Ditmir Bushatit, që të mos përballet me dështimin “boomerang” të radhës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›