E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeparlamentarja ngushëllon popullin kinez për viktimat

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi të mërkurën në mesditë ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, për të shprehur ngushëllimet e saj për viktimat e shkaktuara nga tërmeti i 12 majit në këtë vend. Kryetarja Topalli i shprehu ambasadorit të Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Uong Jun Ling ngushëllimet më të sinqerta dhe mbështetjen për të gjithë qytetarët kinezë që po vuajnë pasojat shkatërruese, që shkaktoi kjo tragjedi natyrore. “I shpreh ngushëllimet më të thella kombit kinez, në emër të Parlamentit të Shqipërisë. Kjo është një fatkeqësi e madhe dhe unë shpreh besimin se do të përballohet me forcë dhe kurajo nga populli kinez. Me këtë rast, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, për kombin kinez në këto momente të vështira të fatkeqësisë natyrore”, - citohet mesazhi i shkruar nga zonja Topalli, në librin e ngushëllimeve. Nga ana e tij, ambasadori Jun Ling i shprehu zonjës Topalli mirënjohjen për mbështetjen në këto momente të vështira. Po dje ka shprehur ngushëllimet në ambasadën kineze edhe deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe anëtar i Grupit të Deputetëve të Miqësisë Shqipëri-Kinë. Sipas zyrës së shtypit të deputetit Biberaj, pas shënimit në librin e ngushëllimeve, ai i shprehu ambasadorit të Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Uang Jun Ling, keqardhjen për fatkeqësinë e ndodhur si dhe solidaritetin me popullin kinez në këto ditë tepër të vështira. Biberaj vlerësoi masat e emergjencës të marra nga qeveria dhe ushtria kineze për minimizimin e pasojave të kësaj tragjedie natyrore me përmasa të jashtëzakonshme. Gjithashtu, deputeti Biberaj shprehu shpresën për kapërcimin e situatës dhe kthimin e normalitetit në rajonin e prekur nga tërmeti.

Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›