E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Konferencën Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të marrë pjesë në Konferencën Evropiane të Kryetarëve të Parlamenteve, që do të zhvillohet në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, më 22-23 maj. Sipas burimeve nga Kuvendi, në këtë Konferencë, ndër pesë kryeparlamentarë, është përzgjedhur të diskutojë edhe kryetarja Topalli në një referat ku do të trajtohet progresi, sfidat dhe angazhimi i gjithë faktorëve të politikës shqiptare, në perspektivën evropiane të Shqipërisë. Konferenca do të trajtojë dy sfidat kryesorë të së ardhmes së Evropës, gjetjen e rrugëve më të mira për të afruar shoqërinë civile më pranë jetës politike të kombeve, si edhe përfshirjen e vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe të shtetit ligjor, në politikat e përditshme në nivel kombëtar dhe atë evropian. Në konferencë, ku do të marrin pjesë 47 kryetarët e parlamenteve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, janë të ftuar edhe kryetarët e parlamenteve me statusin e vëzhguesit pranë Asamblesë Parlamentare të KE-së (Kanada, Izrael, Meksikë), si edhe të Asambleve Parlamentare Ndërkombëtare (OSBE, IPU, NATO, PABSEK, CEI etj).
Ky lajm është publikuar: 22/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›