Vrau fqinjin, pranga në spital të dënuarit me 14 vjet burg
Tiranë- Një i dënuar për vrasje, me vendim të formës së prerë, është arrestuar dje nga policia e kryeqytetit falë një operacioni të mirëorganizuar, në bashkëpunim edhe me forcat speciale. Naim Luli, 47 vjeç, u arrestua rreth mesditës së djeshme në kuadër të operacionit të koduar “vizita e fundit”, pasi ndalimi i tij është kryer pranë një poliklinike në zonën e “21 Dhjetorit”, në kryeqytet. Policia tha se Naim Luli ishte në kërkim prej disa vitesh për akuzën e vrasjes, edhe pse ndaj tij kishte një vendim të formës së prerë, të dhënë nga Gjykata e Apelit në Tiranë, që e dënonte atë me 14 vjet heqje lirie, për akuzën e vrasjes me dashje dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Ngjarja për të cilën akuzohet 47-vjeçari Luli, ka ndodhur në maj të vitit 2002 në Zall Herr, të kryeqytetit, kur ai në bashkëpunim edhe me persona të tjerë kanë vrarë shtetasin Astrit Cani. Gjatë dy proceseve gjyqësore, Prokuroria, por edhe Gjykata nuk kanë mundur të gjejnë motivin e ngjarjes së rëndë, që ka ndodhur vetëm disa metra larg banesës së viktimës. Vendimi i Gjykatës së Tiranës tregon dinamikën e ngjarjes dhe pranimin e vrasjes nga ana e të akuzuarve për këtë krim. Sipas vendimit që mban firmën e gjyqtarit, Fehmi Petku, të datës 16 qershor të vitit 2005 rezulton se në datën 05 të vitit 2002, rreth orës 17:00, Naim Luli, në bashkëpunim me nipin e tij, Agim Luli, kanë vrarë me armë zjarri në afërsi të banesës së tij shtetasin Astrit Cani. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Çekreze, ku të pandehurit dhe viktima janë fqinj mes tyre. “I pandehuri Naim Luli ka zbritur me automatik në dorë dhe i është afruar viktimës, Astrit Cani, i cili po rregullonte një zetor. Nga një distancë e afërt, ai e ka qëlluar viktimën me një breshëri automatiku. Pasi viktima është plagosur, ka bërë përpjekje për t’u larguar në drejtim të avllisë së shtëpisë së tij, por Naim Luli ka qëlluar sërish me breshëri në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar atij vdekjen” - argumenton Gjykata e Tiranës, në vendimin që dënon Naim Lulin me 21 vjet heqje lirie. Më tej, gjykata shprehet se autorët e dyshuar kanë shkuar në vendngjarje me një automjet tip “Volksvagen”, me targa të huaja A CV 415, mjet i cili ishte në pronësi të Naim Lulit. “Pas kryerjes së këtyre veprimeve, i pandehuri ka shkuar te mjeti i tij, ku e priste i pandehurit Agim Luli dhe pasi është ulur në sediljen e pasme të makinës, është larguar sëbashku me të pandehurin Agim Luli me shpejtësi në drejtim të lagjes “Qinam”. Gjatë rrugës, në vendin e quajtur “Gropa e Gëlqeres”, ata e kanë braktisur autoveturën dhe janë fshehur” - thuhet në vendimin e Gjykatës. Sipas këqyrjes së trupit të viktimës, rezultoi se ai kishte marrë 9 plagë në kraharor, të shkaktuara nga armë zjarri, të cilat kanë qenë vdekjeprurëse për Astrit Canin. Për këtë ngjarje, Gjykata e Tiranës ka dënuar me 21 vjet heqje lirie Naim Lulin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai ka përfituar uljen e një të tretës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 14 vjet burg. Ky vendim është lënë në fuqi një vit më vonë edhe nga Gjykata e Apelit në Tiranë, ndërsa i dënuari ka mundur të qëndrojë në arrati për rreth 5 vjet, derisa u arrestua ditën e djeshme pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit” në Tiranë.