Kryepolici i Dibrës i vjedh kompetencat Task-Force për kromin

Shemsi Prençi
BULQIZE – Kryepolici i Dibrës, Shemsi Prençi, thirri dje në një mbledhje të zhvilluar në komisariatin e Bulqizës administratorët dhe pronarët e biznesit të kromit në këtë qytet. Sipas Prençit, sektori ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë të këtij rajoni, Drejtoria e Tatimeve dhe Sigurimeve Shoqërore ishin të interesuara t’u komunikonin firmave private të kromit se duhet të heqin dorë nga informaliteti. Kreu i Policisë së Dibrës deklaroi se të gjitha firmat ishin njoftuar me shkrim për mbledhjen, që prej datës 13 mars, por dje sipas tij munguan një pjesë e administratorëve. Në këtë mbledhje mungoi dhe prefekti i Dibrës, Genc Sharku. Në një komunikim për mediat, Sharku, i cili është njëkohësisht dhe kreu i Task-Force së qarkut, deklaroi se, “mbledhja nuk kishte lidhje as me Ministrinë e Ekonomisë, as me Task Force që udhëheq unë. Nuk ka pasur përfaqësues të këtyre në këtë mbledhje. Drejtori i policisë nuk ka mbledhur Task Force, pasi aty duhet të jetë drejtori i zyrës së punës, i tatimeve, prefekti. Këtë grup e mbledh prefekti”. Nga ana e tij, drejtori i policisë së Dibrës, Shemsi Prençi, u shpreh se “takimi ishte planifikuar ditë më parë, njoftimi ka qenë zyrtar dhe qëllimi kryesor i mbledhjes ishte disiplinimi i biznesit të kromit, pasi për policinë kryesore është sigurimi i jetës dhe shëndetit të minatorëve”. Prençi tha dje se për shkak se mbledhja kishte në qendër kriminalitetin nuk ka qenë e nevojshme thirrja e prefektit. Sipas Prençit, firmave u është kërkuar të ndalin abuzimet me kromin, me nxjerrjen dhe shitjen e tij. “Ne, – theksoi zyrtari i Policisë rajonale, – do ta monitorojmë me kujdes gjithë situatën, duke evituar çdo mundësi për korrupsion apo vjedhje të pasurisë kombëtare. Po ashtu, do të bëhet shumë kujdes për të parandaluar ngjarjet kriminale që kanë lidhje me biznesin e kromit”. Pritet që forca të shumta policie dhe strukturat e tjera shtetërore të nisin një kontroll të gjerë në të gjitha subjektet minerare të Bulqizës.