Punonjësit e Hekurudhës, 2 muaj pa rroga
DURRES – Prej dy muajsh, rreth 1400 punëtorë të shoqërisë aksionere të hekurudhës shqiptare nuk kanë marrë pagat e tyre. Shkak për vonesat e pagave është bërë mungesa e fondeve, pasi hekurudha si shoqëri aksionere i mbulon shpenzimet me të ardhurat e saj. Por, duke parë që vitet e fundit shoqëria ka dalë me humbje, pasi pjesa më e madhe e trenave kanë dalë jashtë përdorimit, ndërsa ata pak që janë në gjendje pune nuk vihen në funksion, shoqëria nuk po akumulon më të ardhura nga shërbimet e saj. Bizneset e mëdha që i sillnin mjaftueshëm fitime shoqërisë i kanë shkëputur marrëdhëniet me të. Tashmë, për shkak të vendosjes së lëndëve plasëse në linjat hekurudhore, fabrika e çimentos në Fushë-Krujë, e cila shtonte fuqishëm të ardhurat hekurudhës në kohën që transportonte çimento në drejtim të Portit të Durrësit, tashmë po i kryen me kamion. Gjithashtu edhe Kurumi nuk është ndjerë, pasi ka probleme me energjinë dhe ka ndërprerë prodhimin. E po kështu janë larguar nga hekurudha edhe subjekte të tjera që më parë kishin marrëveshje me këtë ndërmarrje. 1400 punëtorët e hekurudhës presin me padurim të marrin pagat e tyre. Burime nga Drejtoria e Hekurudhave sqarojnë se në arkat e shoqërisë nuk ka asnjë qindarkë për të paguar rrogat e punëtorëve. Nga të njëjtat burime mësohet se për të zgjidhur situatën e vështirë financiare që ka hekurudha duhet të realizohet shitja e rreth 2000 tonëve skrap, që shoqëria i ka në pronësi. Pjesa më e madhe e donacionit me vlerë 120 milionë lekë, dhënë nga shteti për subvencion, u përdor për blerjen e karburantit të trenave, duke lënë të vetmen rrugë shitjen e skrapit për të paguar punëtorët. l.m