E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet me armë gjahu bariu, dyshohet për hakmarrje

Vlorë Policia deklaron se viktima Hasko Sina dyshohej për vrasjen e një taksisti në vitin 1997

Një bari është gjetur i vrarë me armë zjarri dje në Vlorë. Sipas policisë, ai dyshohet të jetë ekzekutuar për hakmarrje dhe kjo është pista më kryesore ku po përqendrohen hetimet. Viktima Hasko Sina njihet si person problematik në zonën e Gjormit, vendlindjes së tij. Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije për “Shqip” se 45-vjeçari në vitin 1997 ka vjedhur dhe grabitur shumë banorë të fshatrave të lumit të Vlorës dhe sidomos të Gjormit, ku nuk kanë munguar edhe rastet e përpalljes me armë nga banorët e zonës. Të njëjtat burime saktësojnë se 45-vjeçari i ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm me armë gjahu dyshohet se ka vrarë në vitin 1997 një shofer taksie. Ndërkohë policia ka pohuar se ka identifikuar autorin e vrasjes dhe është në ndjekje të tij.
Ngjarja është konstatuar në mëngjesin e djeshëm, ndërkohë dyshohet se viktima Hasko Sina është ekzekutuar disa orë më parë. 45-vjeçari lindur në fshatin Gjorm dhe banues në lagjen Uji i Ftohtë të Vlorës, në momentin e ngjarjes ka qenë në një stan, në zonën e Jonufrës në Vlorë, rreth 200 metra larg nga rruga nacionale. Ai është qëlluar me armë nga një distancë jo shumë e largët, kanë saktësuar blutë, ndërkohë që sipas tyre autorët janë larguar nga vendngjarja. Trupi i pajetë është gjetur nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Stani ku ndodhej dhe çobani i vrarë është një zonë malore në kodrën e Ujit të Ftohtë, e cila lidhet dhe me malin e Shushicës. Blutë sapo kanë mbërritur, kanë bërë ekspertimin e vendit të ngjarjes dhe e kanë dërguar kufomën në morg. Mjeku ligjor konstatoi se viktima ka marrë disa saçma në pjesën e kraharorit, disa prej të cilave i kanë dëmtuar mushkëritë dhe zemrën, çka ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 45-vjeçarit. Viktima është baba i tre fëmijëve dhe prej disa vitesh jetonte në lagjen informale në kodrën pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›