E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeprokurorja: “Nuk fshehëm dokumente, dorëzuam më kryesoret”

Pas sulmit të Topallit, Prokuroria thotë versionin e saj. Deklarimi i Topallit binte ndesh me Gjykatën Kushtetuese

Habjon Hasani

Tiranë - Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat e kryeparlamentares Jozefina Topalli, sipas së cilës Prokuroria i kishte fshehur prova mbi ngjarjen e Gërdecit Këshillit të Mandateve. ”Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë e sheh të arsyeshme të prononcohet në lidhje me deklarimin e bërë në Komisionin e Mandateve, se i janë fshehur Kuvendit të Shqipërisë dokumente që lidhjen me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Qëndrimi i organit të Akuzës në lidhje me këtë deklarim është se Kuvendit të Shqipërisë nuk i janë fshehur dokumente dhe as do t’i fshihen në të ardhmen. Nga hetimi i çështjes së Gërdecit Prokuroria e Përgjithshme ka arritur të administrojë një sërë dokumentesh që janë pjesë e fashikullit të hetimit”, - shkruhet në deklaratën e Prokurorisë. Sipas organit të Akuzës, në përgjigje të kërkesës së paraqitur nga Këshilli i Mandateve, i janë paraqitur këtij të gjitha aktet mbi të cilat është argumentuar kërkesa për heqjen e imunitetit të z. Mediu.
Kërkesa
“Këto materiale u konsideruan prej nesh si të mjaftueshme për t’i dhënë mundësinë Kuvendit të Shqipërisë që të arrinte në një konkluzion në lidhje me kërkesën tonë. Në të njëjtën kohë organi i Akuzës është i gatshëm të vlerësojë me seriozitet çdo kërkesë të Kuvendit për akte të veçanta që do të gjykoheshin prej tij se do t’i shërbenin për të arritur në një vendimmarrje sa më të drejtë të tij në lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit”, - qartëson institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas kësaj deklarate, në të gjithë veprimtarinë e tij organi i Akuzës është drejtuar nga qëllimi i vetëm kushtetues dhe ligjor, për të siguruar një procedim të barabartë, të drejtë dhe të rregullt ligjor për të gjithë personat për të cilët ka të dhëna se kanë kryer një vepër penale. “Në përmbushje të këtij parimi është kërkuar prej Kuvendit që organi i Akuzës të autorizohet prej tij për t’i hapur rrugë procedimit edhe në drejtim të hetimit të deputetit, zotit Fatmir Mediu”, -përfundon deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme.
Topalli
Dy ditë më parë, kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht dhe kryesuesja e Këshillit të Imuniteteve, Jozefina Topalli, ka pohuar se vendimi për imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes do të “sitet” mirë dhe do të shkojë në afate të papërcaktuara. Por motivi bazë kryesor që ka çuar në këtë zvarritje pa afat ka të bëjë me pretendimin se deputeti Mediu ka sjellë disa dokumente të reja që mund të provojnë pastërtinë e tij. Këtu ka marrë shkas dhe qëndrimi i kryeparlamentares Topalli, e cila është shprehur se Prokuroria nuk ka sjellë dokumentacion të plotë, ndërsa mënyra se si Topalli e ka artikuluar këtë qëndrim ka lënë të kuptohet se Prokuroria e Përgjithshme e ka privuar Parlamentin nga prova dhe dokumente domethënëse. Në këtë mënyrë kryeparlamentarja Topalli ka shënjuar një qëndrim të paprecedentë duke marrë rolin e gjykatëses mes Prokurorisë dhe të pandehurit (deputetit Mediu). Ky rol i Topallit duket se është jashtë çdo kornize ligjore e për më tepër kur pikërisht për këtë çështje ka një praktikë të sqaruar tashmë.

2 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›