Emërimi i gjyqtarëve, PS-ja akuza Topallit
Dy grupet parlamentare, i Partisë Socialiste dhe i Partisë Demokratike kanë shkëmbyer replika në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në një konferencë për shtyp kryetarja e Grupit Parlamentar socialist, Valentina Leskaj, përsëriti dje qëndrimin se PS-ja po vlerëson idenë për mocion ndaj kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Sipas Leskajt, “kryetarja e Kuvendit nuk ka reflektuar pas kritikave të opozitës se ka tejkaluar çdo kompetencë kur ka dërguar për verifikim organeve të Ministrisë së Drejtësisë, Policisë dhe Ministrisë së Brendshme emrat e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dekretuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi”. Ajo e akuzon Topallin se në rastin e 5 kandidatëve, të dekretuar nga Presidenti i Republikës, ka shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe ka cenuar personalitetin e tyre. “PS-ja është bërë iniciuese e paktit për reformat në Drejtësi, por reformat në Drejtësi humbasin vlerën kur vazhdon presioni për të kapur institucionet e pavarura, kur nuk respektohet pavarësia e tyre”, - vazhdon Leskaj. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike. Sipas kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deklaratat e Partisë Socialistë janë tendencioze. “Çdo formë presioni e PS-së është e papranueshme”, - tha Patozi duke shtuar se PS-ja po bën deklarata abuzive për interesa politike. Presidenti dekretoi pak kohë më parë Artan Zenelin, Kristaq Trajën dhe Zamir Podën si anëtarë të Gjykatës së Lartë, ndërsa pritet miratimi i tyre nga Kuvendi.
2 Qershor 2008