E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet një nga ekzekutorët e Shpuzës, Ermal Dhampiri

Policia e Shkodrës ka bërë të mundur arrestimin e njërit prej ekzekutorëve të Hysni Shpuzës, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në këtë qytet. Prangosja e shtetasit Ermal Dhampiri është bërë e mundur në orët e mesnatës, duke u gdhirë dita e djeshme, pas një operacioni të mirëorganizuar dhe orë të tëra ndjekjesh të dy vëllezërve, njëri prej të cilëve është ende në kërkim. Sipas burimeve zyrtare policore, vëllezërit Ermal dhe Besnik Dhampiri janë autorët e vrasjes së Hysni Shpuzës. Sipas burimeve policore, vrasja është kryer në bashkëpunim nga dy vëllezërit, ndërkohë që është kryer për motive të dobëta. Sipas po të njëjtave burime, vrasja edhe mund të ishte parandaluar. Emrat e vëllezërve Dhampiri kanë qenë mjaft të dëgjuar për policinë e Shkodrës, pasi, sipas burimeve, vetëm 2 vjet më parë disa prej tyre kanë rrezikuar jetën për arrestimin e tij, Ermal e Albert Dhampirit. I dënuar me 2 vjet e katër muaj, Ermali, tashmë i arrestuar, kishte dalë në mars të këtij viti direkt nga salla e Gjykatës të Shkodrës, ndërsa sipas burimeve policore, Hysni Shpuza kishte denoncuar edhe pas lirimit të tij rrezikun që i kanosej.

Historia

Historia e konfliktit midis dy familjeve fqinje me njëra-tjetrën, që dikur shkonin mjaft mirë, nisi në vitin 2005, kur Albert Dhampiri kërkonte të fejohej me vajzën 15 vjeçe të viktimës së djeshme, Hysni Shpuza. Familja Shpuza refuzoi dhe ky, në shenjë hakmarrjeje, në datën 13 prill të vitit 2004 tentoi të vriste Hysni Shpuzën, i cili në atë kohë i shpëtoi atentatit. Më pas, më 10 korrik të 2006-s, Alberti, së bashku me vëllezërit Ermal dhe Bledar Dhampiri, qëllojnë vëllanë e Hysniut, Hamza Shpuzën, i cili merr plagë të lehta në krah. Pas këtyre veprimeve, Alberti, së bashku me vëllanë, Ermalin, rrëmbejnë vajzën e Hysni Shpuzës dhe largohen duke e dërguar atë në disa zona të thella malore. Mëngjesin e 19 korrikut 2006, policia ndërmerr një operacion në shkallë të gjerë, të mbështetur dhe nga ajri me helikopterë. Por dy vëllezërit bëjnë rezistencë, duke qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tyre dhe arrijnë t’i ikin policisë, duke lënë të lirë vajzën. Në një hark kohor prej dy muajsh, shtator-tetor 2006, policia e Shkodrës arrin të prangosë tre vëllezërit Albert, Ermal dhe Bledar Dhampiri, me akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë, plagosjes, rrëmbim personi, tentativë vrasjeje ndaj forcave të policisë dhe armëmbajtje pa leje. Aktualisht, Albert Dhampiri gjendet në burg, duke vuajtur dënimin prej katër vjetësh, Ermal Dhampiri është i lirë, pasi e ka kryer dënimin prej dy vitesh e tre muaj burg, ndërsa Bledar Dhampiri nuk ka rezultuar i implikuar dhe është shpallur i pafajshëm nga gjykata. Ndërkohë, Besmir Dhampiri po kërkohet nga policia për vrasjen e djeshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›