Vasili: Projekti për "spiunët", farsa e radhës e shumicës
Nisma e fundit për hapjen e dosjeve ka shkaktuar edhe reagimin publik të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sekretari i përgjithshëm, Petrit Vasili, e konsideroi abortive këtë nismë. "Për të ashtuquajturin ligjin e dosjeve, apo të spiunëve, të pagëzuar në mënyrë gjithfarëshe, ka qenë konsideruar nga ne një farsë e radhës për të krijuar një fokus vëmendjeje të re politike për opinionin publik, një vëmendje dhe një fokus i paqenë", u shpreh Vasili. Duke qenë një farsë, shtoi ai, ajo nuk do ta meritonte votën tonë, sepse ne nuk votojmë farsë. Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu shqetësim sakaq për nivelin shumë të ulët të realizimit të investimeve nga qeveria e Berishës. "Shifrat skandaloze të realizimit të investimeve janë provë e qartë e dështimit të kësaj qeverie në politikën e investimeve", tha Vasili. Teksa shtoi se shifrat shumë të ulëta të realizimit të investimeve, veçanërisht në shëndetësi, sektor që po vuan krizën më të rëndë të të gjithë këtyre viteve të pluralizmit janë provë e paaftësisë së qeverisë për të zgjidhur situatën, si dhe për fat të keq ato tregojnë se kjo situatë do të rëndohet edhe më shumë në të ardhmen. Sipas LSI-së, situata në shëndetësi është e rënduar në mënyrë dramatike, duke filluar nga mungesa e barnave, e deri te gjërat më minimale, shoqëruar kjo edhe me një klimë të thellë mosbesimi nga qytetarët e me ngjarje të rënda, që po kërcënojnë edhe integritetin e komunitetit mjekësor. "Gjithë kjo situatë është krejtësisht e kundërt me situatën e gënjeshtërt që qeveria kërkon të krijojë nëpërmjet spoteve demagogjikë të tipit agjitacion e propagandës, ndërkohë që shifrat flasin për një situatë krejt të ndryshme e alarmante", u shpreh Vasili. LSI-ja vlerëson se qeveria duhet ta pranojë publikisht dështimin e saj në politikën ekonomike, e në mënyrë të veçantë në thelbin e saj që janë investimet, të pranojë paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe amatorizmin në planifikimin e investimeve, si dhe korrupsionin e përhapur në proceset e tenderimit, i cili ka qenë një frenues i rëndësishëm në realizimin e tyre.