E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeqytetasit bojkotojnë zgjedhjet e pjesshme vendore

16/11/2009  Zhvillohen votimet në pesë njësi vendore, në Tiranë marrin pjesë vetëm 20 % e zgjedhësve

Garuan për krerët vendorë PD, LSI dhe PPSHK. PD fiton shumicën e njësive

Bojkoti i opozitës për pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit, veçanërisht atyre në kryeqytet, është shoqëruar edhe me bojkotin e zgjedhësve. Kjo vihet re nga numri shumë i ulët i pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e votimit - rreth 20 % në Tiranë dhe më i lartë në komunat e tjera. Kutive të votimit në 5 njësi vendore dhe 65 qendra votimi kishin të drejtë t’u drejtoheshin 45 mijë zgjedhës, ndërkohë që rreth 36 për qind e tyre kanë marrë pjesë realisht në votim. Zgjedhjet e pjesshme u zhvilluan në minibashkinë numër 10 në Tiranë, Bashkinë e Klosit në Burrel, komunën e Otllakut në Berat, Bashkinë e Fushë-Arrëzit dhe komunën e Fierzës. Në zgjedhjet e djeshme garuan dy subjekte zgjedhore: Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërsa në komunën e Otllakut edhe Partia e Punës e Shqipërisë e Rinovuar. Këto forca politike kandiduan me përfaqësuesit e tyre për të plotësuar vendet e ish-drejtuesve lokalë pas zgjedhjes së tyre në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit në detyrën e deputetit. Shumica e komunave do të kryesohet nga PD-ja dhe pjesa tjetër nga LSI-ja. Zgjedhjet e pjesshme lokale u bojkotuan nga Partia Socialiste dhe forcat e tjerat të opozitës, të cilat nuk morën pjesë në to jo vetëm me kandidatë, por as me komisionerë, një detyrim ligjor ky i kërkuar Kodi Zgjedhor. Vendet e tyre në të gjitha komisionet zgjedhore i zuri Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila zgjodhi të jetë e pranishme në proces vetëm për ta administruar dhe vëzhguar atë, pasi PBDNJ-ja nuk paraqiti kandidatë. Ecuria e procesit me përjashtim të pjesëmarrjes ka qenë e kënaqshme. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, njofton për mbarëvajtjen e procesit, përfshirë edhe përgatitjen e institucionit qendror për ta administruar atë. “KQZ-ja ka dërguar pranë të gjitha njësive vendore specialistët dhe instruktorët e KQZ-së, që asistojnë zgjedhjet nga fillimi i tyre dhe në vazhdim. Nga komunikimi i vazhdueshëm që kemi me ta, por dhe me drejtuesit e KZAZ-ve, mësojmë se gjithçka ka vijuar normalisht dhe vazhdon normalisht”, - tha Olli. Procesi i votimit të djeshëm nisi në orën 7:00 të mëngjesit dhe përfundoi në orën 18:00 të mbrëmjes.

Kandidatët e zgjedhjeve vendore për çdo njësi

Qarku i Beratit

Komuna e Otllakut

1. Hektor Hysen Beqollari - PPSHR

2. Muharrem Idriz Hoxha - PD

3. Nasi Mistrush Gjoka - LSI

Qarku i Dibrës

Bashkia e Klosit

1. Ramazan Banush Mjeshtri - PD

2. Xhevdet Ali Reçi - LSI

Qarku i Kukësit

Komuna e Fierzës

1. Gjelosh Kolë Perkolaj - PD

2. Mehmet Ram Ponari - LSI

Qarku i Shkodrës

Bashkia e Fushë-Arrëzit

1. Alfred Zef Qafa - PD

2. Dedë Mark Gjergji - LSI

Qarku i Tiranës

Njësia bashkiake nr. 10

1. Blendi Bilal Fuga - PD

2. Gjergji Petraq Thomai - LSI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›