Kryeqyteti ka nevojë për më shumë zjarrfikës
Brigada e Zjarrfikësve në kryeqytet, këtë vit do të hyjë në objektin e ri të saj. Shefi i brigadës, Latif Zeka, thotë se kushtet që tani punojnë aktualisht nuk plotësojnë as për së afërmi kushtet për veprimtarinë e tyre. Zeka thotë se objekti i ri, do të ofrojë komoditet dhe është në fazën përfundimtare.
“Në objektin ekzistues ku jemi, ai objekt nuk i plotëson as kushtet minimale për punën dhe veprimtarinë tonë. Mendojmë diku kah muaji i pestë do të kalojmë në objektin tonë të ri, punët e vrazhda janë kryer, tash janë në përfundim punët finale”, shpjegon Zeka.
Zeka thotë se Brigada e Zjarrfikësve ka nevojë për personel shtesë. Ai thotë se ka bërë kërkesë në organet kompetente për këtë, sepse numri i qytetarëve në kryeqendër është dukshëm i lartë, dhe kjo sipas tij, mund të ndikojë edhe në mosrealizimin e plotë të obligimit të tyre ndaj qytetarëve.
“Personeli është i pakët, unë kam bërë kërkesë të pranohen punëtorë të rinj, sepse, siç dihet, me standardin që duhet, është se në 1 mijë e 500 banorë duhet të jetë një zjarrfikës, kam kërkuar që së paku nga 150-200 zjarrfikës t’i ka komuna e Prishtinës, pasi që ne mbulojmë edhe komunën e Fushë-Kosovës dhe Obiliqit, për këtë arsye na duhen më shumë”, tha Zeka. /rtk/