Lëkundet koalicioni
Koalicioni qeverisës PDK – AKR vazhdon ta ketë ende opsion kryesor kandidaturën e Behgjet Pacollit për President të vendit.
Kështu kanë thënë zyrtarë të lartë të AKR’së, parti e cila të shtunën në mëngjes kërcënoi se do të braktisë Qeverinë nëse marrëveshja e nënshkruar për koalicionin nuk përmbushet në tërësi.
Të shtunën është përfolur se Kryeministri Hashim Thaçi i ka kërkuar partnerit të tij Behgjet Pacolli, që të tërhiqet nga synimet për t’u bërë President për shkak të refuzimeve të opozitës për të marrë pjesë në seancë kur të votohet për të. Por kjo kërkesë e Thaçit vlen vetëm për Pacollin, e jo edhe për partinë e tij, AKR’në dhe partitë e koalicionit përreth saj.
Kjo ka nxitur reagimin e AKR’së, e cila ka kërcënuar me largim nga Qeveria.
“Zyrtarë të lartë të AKR’së dhe Koalicionit për Kosovë të Re, njëzëri janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes se menjëhershme të koalicionit qeverisës.
Qëndrimi për shkëputje të koalicionit qeverisës vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në vend”, thuhet në një njoftim të AKR’së të dërguar në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Në këtë reagim, AKR’ja ka lënë vetëm të kuptohet rreth përfoljeve se Thaçi ka kërkuar që Pacolli të heqë dorë nga kandidatura.
“AKR’ja në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re, gjatë këtyre konsultave, është shprehur e gatshme të ndërpresë kontratën e koalicionit qeverisës nëse kjo kontratë nuk do të përmbushet në tërësinë e saj”, thuhet në njoftim.
AKR’ja e ka bërë më serioz paralajmërimin e saj në fund të njoftimit.
“Konsultat po vazhdojnë edhe tani dhe do të intensifikohen në orët e hershme të mëngjesit në një takim të Kryesisë së AKR’së dhe Koalicionit për Kosovë të Re, ku do të vendoset për hapat e mëtejmë lidhur me shkëputjen e koalicionin qeverisës me PDK’në”, thuhet në njoftim.
Pavarësisht këtij “kërcënimi”, ushtruesi i detyrës së Kryetarit të AKR’së, Ibrahim Makolli ka thënë se marrëveshja mes partnerëve të koalicionit qeverisës nuk është rrezikuar.
“Kjo më tepër është në sferën e diskutimeve tona për gjendjen e krijuar. Ne jemi në marrëveshje me partnerin e koalicionit”, ka thënë Makolli të shtunën për Express.
Ai nuk ka mundur të thotë nëse Thaçi i ka kërkuar Pacollit që të heqë dorë nga kandidatura për President.
“Nuk e di, nuk e besoj”.
Makolli madje ka theksuar se koalicioni ende është duke planifikuar të thërrasë seancën për zgjedhjen e Presidentit me Pacollin kandidat.
“E kemi përfunduar mbledhjen e nënshkrimeve edhe tash do të shohim momentin për ta deponuar në Kryesi të Kuvendit edhe kërkesën për seancë të jashtëzakonshme. Do të thotë janë këto veprime për të cilat edhe më tutje nuk i kemi përfunduar .Besoj që të hënën e tutje, sepse tash vendi ka ushtruesin e detyrës së Presidentit sipas sqarimit të Gjykatës Kushtetuese edhe do të procedojmë në mënyrë të rregullt, sipas proceduarave për më tutje”, ka thënë Makolli.
Kërcënimin e Koalicionit për Kosovën e Re e ka komentuar zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Ai ka thënë se nuk ka informacione rreth paralajmërimeve për tërheqje nga koalicioni.
“Unë nuk besoj që është një qëndrim i tillë zyrtar, unë nuk kam informacione”, ka thënë Kuçi.
Zëvendëskryeministri ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në të cilat vendi mund të shkojë nëse shpërbëhet koalicioni.
“Cilado që është zgjidhje kushtetuese për Partinë Demokratike, nuk është edhe shumë shqetësuese. Ne jemi të përgjegjshëm për vendin. Jemi të përgjegjshëm për qytetarin, jemi të përgjegjshëm për procedurat, sa u përket garave politike, nëse të tjerët janë të gatshëm që të bllokojnë çdo gjë dhe të shkojnë në zgjedhje, edhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Për këtë ka komentuar edhe ushtruesi i detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë zgjidhje.
“Unë nuk kisha thënë zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne i kemi kryer zgjedhjet, por besoj se partitë politike duhet të ulen dhe të bisedojnë, e të dakordohen që brenda një kohe të bëjnë reformën zgjedhore, e cila është e domosdoshme; që të bëjnë ndryshimet kushtetuese dhe pastaj ta gjejmë - në bazën e një marrëveshjeje, rrugën më të mirë për të ecur përpara”, ka thënë Krasniqi.
Limaj kundër zgjedhjeve
Deputeti i PDK’së, Fatmir Limaj ka përsëritur qëndrimin e tij kundër koalicionit PDK –Koalicioni Kosova e Re. Ai ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk do të ishin në favor të vendit.
“Mendoj që duhet të bëjmë një zgjidhje të përhershme, e cila është ndërrimi i nenit kushtetues që presidenti të shkojë drejt zgjidhjes nga qytetarët e Kosovës, sepse kemi mundësi, tani kemi ushtruesin e detyrës 6 muaj dhe në këtë kohë me vullnetin e mirë të të gjitha forcave politike, ne mund të arrijmë në një zgjidhje të tillë”, ka thënë Limaj.
Ai shtoi se përgjegjësia rreth situatës aktuale bie mbi PDK’në.
“PDK’ja si fituese e zgjedhjeve, si partia më e madhe dhe koalicioni tash i përbashkët ka obligim të japë zgjidhje, t’i prijë procesit dhe zgjidhjes së problemit dhe përgjegjësia kryesore është mbi partinë e cila udhëheq me vendin. Këtu s’ka asnjë dilemë”, ka thënë Limaj.