Kryeqyteti, me dhjetë rrugë të sigurta

Gjatë fazës së parë të punimeve do ndërtohen korsi për autobusë dhe biçikleta. Do ndërhyhet edhe në 14 kryqëzime
Rama: Korsitë e dedikuara do të reduktojnë lëvizjen e mjeteve private, si dhe do të shtojnë sigurinë në rrugë
Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, prezantoi dje nisjen e fazës së parë të projektit, "Transportit Multimodal /Korsitë e Dedikuara dhe Rritja e Sigurisë Rrugore", pranë kryqëzimit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.
Një projekt ky që ka për qëllim zgjidhjen e problemit të trafikut në shumë akse rrugore të kryeqytetit. Pas përfundimit të disa korsive të dedikuara, si p.sh., ajo në "Rrugën e Barrikadave", bashkia ka nisur punimet në rrugën "Muhamed Gjollesha", e cila nuk do të jetë as e fundit dhe as e vetmja, pasi brenda një dekade Bashkia ka në plan të ndërhyjë në infrastrukturën e dhjetë rrugëve dhe 14 kryqëzimeve. "Përpara disa ditësh ne prezantuam për publikun Masterplanin e Madh të Transportit në Tiranë.
Sot prezantojmë një pjesë të këtij masterplani, duke filluar me shtimin e atyre elementeve të transportit multimodal që janë vënë re tek-tuk në Tiranë në këto vite, por që do të bëhen tashmë pjesë integrale e transportit, në korsi të dedikuara për autobusët, për biçikletat dhe në korsi, të cilat i japin përparësi atyre që nuk përdorin transportin privat dhe njëkohësisht me krijime hapësirash të ndërmjetme që lehtësojnë edhe më shumë këmbësorët", - u shpreh gjatë inaugurimit të fillimeve të punimeve kreu i bashkisë.
Sipas Ramës, ky projekt synon t'i japë një zgjidhje problematikës së trafikut të rënduar, duke reduktuar lëvizjen e mjeteve private, si dhe duke shtuar sigurinë në rrugë.
Etapat e projektit
Gjatë fazës së parë të projekti parashikohet vendosja e korsive të dedikuar për autobusë dhe biçikleta në disa rrugë kryesorë të Tiranës si p.sh: Rrugën e "Kavajës" (segmenti Qendër - sheshi "Ataturk"), Rrugën e "Durrësit" (Segmenti Qendër - Sheshi "Karl Topia"), Rrugën "Mine Peza", Rrugën "Muhamet Gjollesha", Rrugën "Sulejman Delvina", Rrugën e "Dibrës" (nga farmacia 10 deri tek ish - Ndërmarrja "Rruga/Ura") si dhe në Bulevardet "Zhan Dark", "Gjergj Fishta", "Bajram Curri", "Zogu i Parë" dhe "Dëshmorët e Kombit". Gjatë një tjetër faze do të kryhen punimet për sistemimin e kalimeve të këmbësorëve në kryqëzime, ndarësit e trafikut, si dhe vendkalimet përgjatë akseve rrugore, duke marrë në konsideratë standardet që kërkon lëvizja e njerëzve me aftësi të kufizuara, (përmendim vendosjen në trotuar të pllakës për të verbrit).
Vç kësaj do të bëhet edhe rikonceptimi i 14 kryqëzimeve, me qëllim e përmirësimit të trafikut. Projekti gjithashtu parashikon vendosjen e sinjaleve rrugore dhe elementëve të sigurisë siç janë ndarësit plastikë të korsisë së rezervuar "Bus", sinjalet e ndriçueshëm dhe elektronikë për lëvizjen këmbësore, sinjalet elektronikë për lëvizjen e mjeteve "Bus" dhe korsive të biçikletës, si dhe sinjalizimin tabelor dhe vijëzimi përkatës.
Ndërsa korsia biçikletës në kryqëzime do të ketë një ngjyrë të dallueshme do të shoqërohet me sinjalizimin përkatës, përgjatë vazhdimësisë së saj.
Korsitë e rezervuara "Bus" dhe Biçikletë do të vendosen tek:
• Rruga e "Kavajës" (segmenti Qendër- sheshi "Ataturk")
• Rruga "Durrësit" (Segmenti Qendër - Sheshi "Karl Topia")
• Rruga "Mine Peza"
• Bulevardi "Zhan Dark"
• Bulevardi "Gjergj Fishta"
• Bulevardi "Bajram Curri"
• Rruga "Muhamet Gjollesha"
• Bulevardi "Zogu i Parë"
• Bulevardi "Dëshmorët e Kombit"
• Rruga "Sulejman Delvina"
• Rruga e "Dibrës" (nga farmacia 10 deri tek ish - Ndërmarrja "Rruga/Ura")