Konflikt i armatosur, plagosen dy vetë

PËRPLASJA/ Mustafa Daci e Jetmir Keqi kanë përfunduar në pranga, ndërkohë që është në kërkim Klodian Keqi
Mësohet se zanafillë e ngjarjes është një sherr i ndodhur rreth një vit më parë mes dy vëllezërve dhe Dacit
KRUJË - Një duel i armatosur mes dy personave në Halilaj të Krujës ka përfunduar me dy të plagosur. Burime nga policia bëjnë të ditur se lidhur me këtë ngjarje janë prangosur dy personat e lënduar, ndërkohë që një i tretë është shpallur në kërkim.
Armët e përdorura kanë qenë një automatik kallashnikov dhe një armë tip "shotgun", ndërkohë që mësohet se zanafillë ka qenë një ngjarje e vjetër e rreth një viti më parë. Në pranga kanë përfunduar Mustafa Daci dhe Jetmir Keqi, të cilët janë arrestuar në spital, ndërsa është shpallur në kërkim Klodian Keqi.
Konflikti
Mësohet se rreth një vit më parë një nga vëllezërit Keqi ka përfunduar i rrahur prej Mustafa Dacit.
Një histori, e cila nuk është harruar prej tij dhe që duket se ka vendosur të hakmerret në momentin e duhur. Kështu, dy netë më parë, bashkë me të vëllanë, të pajisur edhe me armë ata kanë shkuar për të "takuar" Dacin. Mësohet se përballja e tyre ka ndodhur pranë një karburanti të fshatit, rreth orës 18:00. Por konflikti ka vijuar me armë mes dy palëve, pasi edhe kundërshtari ka qenë i armatosur.
Burime të policisë shprehen se si pasojë kanë mbetur të plagosur shtetasit Jetmir Keqi dhe Mustafa Daci. Këtij të fundit iu kap një armë tip "Shotgan" të cilën e mbante pa eje, ndërkohë që arma kallashnikov është marrë me vete nga i shpalluri në kërkim Klodian Keqi. Akuzat e ngritura ndaj të tre të pandehurve janë "vrasje e mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje".
Mësohet se policia është njoftuar pas mbërritjes në spital të të plagosurve. Pasi janë marrë dëshmitë nga palët, për ta është prerë edhe fletë-arresti, ndërsa është shpallur në kërkim i treti. Policia zbuloi se në konflikt kishin qenë të përfshira të dyja palët dhe se kishin qenë të parapërgatitura.
Policia
Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Halilaj të Krujës. Në pranga përfunduan Mustafa Daci, 45 vjeç, dhe Jetmir Keqi, 26 vjeç. Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak në Tiranë. Ndërkohë, në kërkim është 28-vjecari Klodian Keqi, vëlla i Jetmirit, i cili është larguar nga vendngjarja duke marrë edhe armën me vete.
Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se pavarësisht se kishin marrë armën me vete, dy vëllezërit fillimisht kishin pasur synimin vetëm për ta rrahur Dacin, por më pas, ndërsa edhe ai vetë kishte qenë i armatosur, ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit. Gjithsesi, pritet që ngjarja të zbardhet plotësisht pas arrestimit të të shpallurit në kërkim i cili mund të hedhë më tepër dritë mbi konfliktin e armatosur.